Search
Close this search box.

Pearlstein – artisti që përcaktoi pikturën realiste

Piktori amerikan Philip Pearlstein, i njohur për portretet e tij nudo realiste, vdiq të shtunën në moshën 98-vjeçare.

Vdekja e Pearlstein u konfirmua nga galeria e tij “Betty Cuningham”, nëpërmjet një postimi në Instagram. Është raportuar se ai vdiq në një spital në Nju-Jork, por nuk u dha asnjë shkak për vdekjen.

I konsideruar si një nga mjeshtrit e figuracionit të shekullit 20, Pearlstein kishte filluar të pikturonte modele nudo në vitet 1960, gjatë një epoke kur ekspresionizmi abstrakt konsiderohej ende forma më e mirë e krijimit të artit.

Refuzimi i Pearlstein ndaj emocionalizmit dhe formalizmit të ekspresionistëve abstraktë u shoqërua me një përqafim të asaj që ai e quajti “realizëm i vështirë”, art që ishte “i mprehtë, i pastër, i paqartë”, siç kishte thënë ai për “ART News” më 1967. Kjo përkthehej në figura të pikturuara me rigorozitet që shfaqen me ndriçim të ashpër, ngjyra të përmbajtura dhe poza natyraliste, ndonjëherë jo të këndshme, me trupa shpesh të prerë në skajet e kanavacës.

Pearlstein ishte i qartë për qasjen e tij ndaj figurës njerëzore që në fillim. Në një artikull të vitit 1962 për Pearlstein kishte shkruar se shumë artistë e përdorin figurën si “një mjet tregimi” ose se ata “shtrembërojnë” atë në mënyrë që të “funksionojë si një simbol për evokime poetike”. Pearlstein kishte këmbëngulur që figura – dhe kështu objekti i artit – ekzistojnë vetëm si vetvetja.

“Karakteri i një vepre arti rezulton nga pajisjet teknike të përdorura për ta formuar atë dhe kuptimi e vlera përfundimtare e një vepre arti qëndron në shkallën e arritjes teknike”, kishte shkruar ai në të njëjtën pjesë. Ai kishte vazhduar: “Si artist, nuk mund të pranoj asnjë bazë tjetër për gjykime vlerash”.

Përqeshja e Pearlstein ndaj ekspresionizmit abstrakt, të cilin ai e kishte praktikuar në fillim të karrierës, ishte shprehur edhe nga artistë të tjerë, përfshirë ikonën e artit pop Andy Warhol, i cili si Pearlstein ishte me prejardhje nga Pittsburgh, Pensilvani.

I lindur më 24 maj 1924 nga një baba emigrant rus i gjeneratës së parë dhe nënën emigrante lituane , Pearlstein si fëmijë ka ndjekur mësimet e së shtunës në Muzeun e Artit “Carnegie”.

Ai ka studiuar artin në Institutin e Teknologjisë “Carnegie”, tani Universiteti “Carnegie Mellon” derisa u dërgua në ushtri më 1943, ku shërbeu si artist grafik dhe kaloi kohën duke parë artin e Renesancës. Ai iu rikthye studimeve tre vjet më vonë, ku u takua me Andy Warhol. Të dy u bënë miq dhe u vendosën së bashku në Nju-Jork.

Në vitin 1950, Pearlstein u martua me Dorothy Cantor, shoqen e klasës në “Carnegie Tech”, e cila ishte gjithashtu piktore. Ajo vdiq në vitin 2018 dhe së bashku lanë pas tre fëmijë dhe dy nipër.

Pearlsten fillimisht kishte pikturuar ato që ai i quajti piktura “simboliste”, bazuar në simbolet kryesore amerikane si “supermeni”. Në mesin e viteve 1950, ai kishte pikturuar peizazhe abstrakte të frymëzuara nga ekspresionistët bazuar në vendet e Maines. Megjithatë në vitin 1963, kishte treguar një seri modelesh të zhveshura të pikturuara në mënyrë realiste në galerinë “Allan Frumkin”.

Modelet nudo u bënë subjekti i tij bashkë me rekuizitat më të përpunuara dekorative për 50 vjetët e ardhshëm.

Puna e Pearlstein është në koleksionet e shumë institucioneve kryesore, duke përfshirë Muzeun Metropolitan të Artit, Muzeun e Artit Amerikan “Whitney”, Muzeun e Artit Modern, Muzeun “Hirshhorn” dhe Institutin e Artit të Çikagos.

Almanart