Për mendimin tim/ Episodi 2 – Monologu “Vdes Sic Vdes Një Vend” – Dimitris Dimitriadis

Në episodin e dytë të podkastit “Për mendimin tim” do të diskutohet mbi monologun “Vdes siç vdes një vend” nga autori grek Dimitris Dimitriadis në kuadër të rubrikës Podkast në platformën kulturore AlmAnart.

Mbi librin

“Vdes siç vdes një vend” është psikanaliza letrare e një vendi që dekompozohet ngadalë, rrëfimi tronditës i një gruaje real – imagjinare, që shikon me tmerr sesi trupi i saj merr përmasat e vendit të saj të kalbëzuar dhe si përthahet çdo burim nga rrjedhin lëngjet e saj jetësore.

Rrëfimi ka formën e një kronike postmoderne ku me një vërtetësi rrënqethëse dhe në mënyrë fantazmagorike përshkruhet Vendi i Hybris, demonit të dhunës dhe intolerancës, e fanatizmit ideologjik dhe fetar, e mendësisë mesjetare, korruptive, ksenofobike, nacionaliste, ajo e shterpësisë krijuese dhe shpirtërore.

Ndonëse në tekst nuk përcaktohet koha, vendi dhe hapësira gjeografike, aludimi rreth periudhës së luftës civile greke, asaj të diktaturës së kolonelëve, si dhe jehona e ngjarjeve të Majit ’68 në Francë lidhet me botimin e parë të librit në vitin 1978, ku kujtimet dhe plagët e historisë, gjallonin ende si fantazma të pakallura.


Adela dhe Gjyljana përzgjedhin herë pas libra me interes publik dhe personal dhe disa prej tyre, do diskutohen në podcast. Faleminderit që lexoni.


Almanart