Piktori i njohur, Gazmend Leka ka bërë një rrëfim të rrallë në emisionin “Pas Mesnate” në ABC News. Ai zbuluar dhe arsyet pse zgjedh që çdo fillim tetori të realizojë një ekspozitë të re dhe kjo mesa duket nuk lidhet vetëm me ditëlindjen e tij.
Leka theksoi që punon 12 orë çdo ditë në studio dhe ka gjithmonë një koncept të krijuar paraprakisht lidhur me ekspozitën.
“Gjithmonë kam thënë që unë nuk kam një kalendar siç kanë të gjithë pa mendjemadhësi. Unë nuk e kam vitin e shënuar, e kam me titujt e ekspozitave të mija. Domethënë kur dua të kujtojnë një ngjarje, them kjo ka ndodhur kur kam bërë “Kaloi një grua” etj.
Domethënë janë titujt e ekspozitave të mia, të cilat janë si gurë kilometrikë që ma kanë ndarë gjithë kufirin tim ku kam shëtitur. Këtë e bëj çdo vit sepse unë punoj çdo ditë. Punoj gati 12 orë në ditë në studio, e di se cila është galeria ku do t’i ekspozojë, i di përmasat e saj, i di se ku do t’i vendosë, i di sa piktura mban.
Gjëja që është më kryesore, është se gjatë muajit tetor-nëntor vijnë studentët. Unë jam dhe profesor në Akademinë e Arteve dhe më intereson që studentët ta njohin profesorin e tyre, të dinë se çfarë bën profesori i tyre dhe të gjitha këto fjalë që thotë profesori i tyre nuk janë fjalë në ajër, por janë veprat, por janë dhe të mbështetura në një sfond intelektual nga pas”, tha ai./abc/