Search
Close this search box.

Premiera e shfaqjes “Luba” në Teatrin Eksperimental Kujtim Spahivogli

Teatri Eksperimental paraqiti premierën e shfaqjes Luba, Një histori tragjike dashurie, me skenar të Yljet Aliçkës dhe regji të Armando Borës. Premiera e Tiranë u shfaq ditën e premte me datë 20 janar me pjesëmarrjen e një numri të madh dashamirësish të artit dhe personazhesh të politikës. Vetë Lulzim Basha ishte prezent në këtë premierë, me disa miq të tij. Më parë, skenari i kësaj shfaqjeje ka qenë adaptuar në filmin Mbjellja e Pemëve, me rol kryesor të Luiza Xhuvanit dhe roli i fundit i aktorit Guljem Radoja. Ylljet Aliçka tregon për Goodmorning Albania, se frymëzimi për këtë histori e ka marrë nga një ngjarje e treguar nga një ish-gardian burgu të Spaçit, në kohën kur Aliçka ishte mësues.

Sipas gardianit, një i burgosur qante sa herë merrte letra nga e shoqja, një grua nga Ukraina, dhe se refuzonte ushqimin. Për gardianin, kjo qe një histori për të qeshur, gjë e cila e kishte tronditur më tej autorin. Stili i shfaqjes ishte i llojit Playback, ku aktorja kryesore luante rolin e një personi nga publiku që do tregonte historinë e saj, për t’u inskenuar nga aktorët me gjeste, muzikë dhe forma dialogjesh muzikale. Në fakt, shfaqja nuk ishte mirëfilli ‘playback’ por një inskenim i asaj që ndodh në këtë format teatral, pasi personi nga audienca nuk ishte rastësisht aty, por aktorja Xhoana Karaj. Qëllimi dukej se qe të krijohej një shfaqje e mundshme, nëse Shqipëria në vitet 80 do kishte lirinë për ta bërë këtë, ku persona të tillë të traumatizuar nga diktatura, do tregonin historitë e tyre. Një nga përdorimet e këtij zhanri të teatrit është terapia, qoftë për personin që tregon, qoftë për ata që e ndjekin. Shfaqja ka pasur premierën e parë në qytetin e Fierit dhe tashmë do shfaqet te Arturbina në Tiranë.

Almanart