Premierë në Tiranë e dokumentarit artistik “Edhe një ditë” nga Eneos Çarka

Dokumentari artistik “Edhe një ditë” nga regjisori Eneos Çarka ka në fokus njerëz dhe ngjarje nga jeta. Filmi më i fundit shqiptar “Another day” (Edhe një ditë) dokumentar artistik i një zhanri në rritje në audiencën botërore, por shumë pak të lëvruar në vendin tonë, ka premierën mbrëmjen e së hënës në kinema Millennium në Tiranë. Filmi shfaqet në Shqipëri për herë të parë për publikun e Tiranës, pas premierës ndërkombëtare në festivalin numër një të filmit dokumentar të sotëm “IDFA”, Amsterdam. Regjisori Eneos Çarka tregon se “Edhe një ditë” është filmi i tij i parë i metrazhit të gjatë, ku një pjesë e mirë e xhirimeve janë bërë në Milano dhe në Rimini të Italisë, por ka dhe një pjesë të vogël në Tiranë dhe Shkodër. Regjisori Çarka tregon se për realizmin e këtij filmi ka qenë një punë që ka vijuar në 5 vite. “Unë kam qëndruar me dy prej protagonistëve për 2 vite rresht, që i kam xhiruar. Më pas tre vite tjera kanë marrë montazhi, etj, për ta mbyllur filmin në produkt final. Kështu që i gjithë filmi ka marrë 5 vite kohë nga jeta ime si projekt dhe kjo nuk është gjë e veçantë. Kjo është shumë normale prej metodës së punës, pastaj dhe nga ana kreative është shumë më pranë filmit artistik me aktorë, nga metodat kinematografike kur vjen puna te montazhi, tek ndërtimi i historisë dhe se si xhirohen gjithashtu. Në filmin “Edhe një ditë” kemi mëshuar shumë në ndërtimin e dy personazheve, që janë Rafael Hoxhaj dhe Besmir Sula”, tregon regjisori. Dokumentari artistik “Edhe një ditë” vjen në vijim të aktivitetit me kinemanë të regjisorit Çarka, por ai shprehet se për realizimin e tij gjithçka lindi kur një nga protagonistët në dokumentar i tregoi për jetën e tij. Çarka tregon se ai kishte parë filmat e tij të realizuar më parë. “Më tha kishte dhe një jetë paralele që bënte në Itali. Dhe në fakt kishte mbi 10 vjet bashkë me shokun e tij të ngushtë Besmir Sulën që lëviznin nëpër sheshe të Italisë të performonin në shfaqje që janë pak teatër, pak cirk, break dance dhe shumë unike në llojin e tyre që tërhiqnin vëmendjen e audiencave dhe ata jetonin me këtë punë. Dokumentari ndjek këtë rrugëtim të tyre dhe se si miqësia e tyre fillon dhe pak nga pak shpërbëhet dhe jetët i çojnë në drejtime të ndryshme”, tregon Çarka. Në film janë Rafael Hoxhaj, Besmir Sula dhe Sonila Zaganjori. Muzika nga Bledi Boraku, dizajni Stiv Imami.

Filmi më parë në “IDFA”

“Edhe një ditë” si prodhim 100 për qind në Tiranë është financuar në masën më të gjerë me fondet private të autorëve, si dhe mbështetur nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë dhe RTSH. Producenti Joni Shanaj tregon se filmi u përfshi në “IDFA” në konkurrencë zyrtare në seksionin Luminous mes 23 prodhimeve të tjera nga e gjithë bota si dhe u nominua mes 10 filmash të përzgjedhur mes 270 filmave më të fundit të 2023 për ‘Filmin më të mirë debutues’ të festivalit. “Në kontekstin e një klime të ngarkuar politike botërore, e cila gjeti shprehi edhe në debatet e krijuara në “IDFA” mes një komuniteti ndërkombëtar prej 3000 pjesëmarrësve të akredituar në festival, “Edhe një ditë” pati një pritje të jashtëzakonshme si një nga filmat e paktë të metrazhit të gjatë të përqendruar në botën njerëzore të marrëdhënieve të protagonistëve të tij relata që në këndvështrimin e autorëve mbeten esenciale dhe përfaqësuese universalisht, pavarësisht vendit, kohës, prejardhjes së protagonistëve, autorëve dhe aktualiteteve politike apo interesave të tjera të çastit”, tregon Shanaj. Eneos Çarka, pas përfundimit të Bachelor në Regji Filmi & TV, UART dhe përfundimit si ekselent i diplomuar vitet e fundit me dy mastera Film Studies UCL, Londër dhe ‘Doc Nomads’ Bruksel, Lisbonë, Budapest, kryen sot studimet për doktoraturë në ‘Film Studies’ pranë University of South California, Los Angeles, SHBA. Eneos Çarka deri tani ka prodhuar si regjisor 7 filma të shkurtër dhe film të gjatë të parë “Edhe një ditë”. Ka marrë pjesë në 133 selektime zyrtare festivalesh të filmit me punët e tij dhe është vlerësuar me 14 çmime. Burimi/sot/

Almanart