Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit do të nisë për herë të parë ditën e premte, Akademinë Teatrale, një program profesional muzikor, i cili ka në fokus mjeshtërinë artistike të talenteve të rinj të artit klasik.
Studentët pjesëmarrës do të trajnohen nga profesionistë të artit të muzikës, mes tyre edhe sopranoja shqiptare me famë ndërkombëtare, Ermonela Jaho, e cila rikthehet në Shqipëri enkas për çeljen e kësaj Akademie.
“Akademia Teatrale”, programi i parë profesional muzikor në Shqipëri, i cili ka në fokus mjeshtërinë artistike të talenteve të rinj të artit klasik, veçanërisht në disiplinën lirike, nis pas disa ditësh në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit.
Këto masterclasse janë ndërtuar mbi bazën e përvojave më të suksesshme ndërkombëtare. Studentët e përzgjedhur nëpërmjet disa audicioneve, do të kenë mundësi të trajnohen rreth interpretimit skenik, teknikës vokale, trajnimeve specifike të stilit dhe interpretimit të “Bel Cantos” italiane.
Pjesë e stafit të Akademisë do të jenë profesionistë të artit të muzikës, operës e baletit, por edhe figura të shquara, siç është sopranoja ikonike me famë ndërkombëtare, Ermonela Jaho, e cila mban edhe detyrën e kryetares së bordit.
Akademia Teatrale, është një mundësi shumë e mirë për të rinjtë pjesëmarrës, pasi mund të spikaten talente, të cilëve mund t’ju krijohet një mundësi punësimi, duke qenë të trajnuar me një platformë profesionale e standardeve ndërkombëtare.
Për vitin 2023 janë planifikuar 5 ditë studimi në sezonin e parë, i cili nis në datën 14 Prill dhe përfundon në datën 18 Prill. Ndërsa në sezonin e dytë, i cili do të mbahet në muajin Tetor, do të zhvillohen 4 ditë studimi. Pas përfundimit të masterclass-it, artistët do të pajisen me një certifikatë vlerësimi.