𝐏𝐄̈𝐑𝐒𝐄 𝐁𝐈𝐄 𝐊𝐉𝐎 𝐃𝐀𝐔𝐋𝐋𝐄 ?
Një program retrospektivë e filmit shqiptar i kuruar në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, në kuadër të FESTIVALIT FOLKLORIK TË GJIROKASTRËS 2023.
Çdo mbrëmje, 24 qershor – 1 korrik, duke nisur nga ora 16:00 te KUBE, Xhamia e Pazarit, Rruga Ismail Kadare.
Frymëzuar nga titulli i filmit “Përse bie kjo daulle” i bazuar në romanin “Dasma” të Ismail Kadaresë (regj. P. Milkani, 1969), u titullua kështu ky program filmik i përzgjedhur me kujdes dhe kuruar në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit.
Me një program të ngjeshur ditor, përgjatë të gjitha pasditeve të Festivalit, do të prezantojmë përpara publikut shqiptar dhe të huaj, një mundësi të rrallë njohjeje me dokumentarë dhe filma artistikë të zgjedhur nga fondet arkivore ku kryefjala është muzika dhe tradita folklorike, doket dhe zakonet, kostumet shumëngjyrëshe dhe instrumentet e larmishme popullore, gërshetuar me heroizmin dhe tiparet tipike të shqiptarëve të formësuara në këto 46 vjet histori që përmblidhen në këtë program (1949 – 1995).
Filmat artistikë vijnë në versione të restauruara dhe me titra në anglisht, me cilësinë maksimale të figurës dhe zërit për të mos humbur asnjë detaj nga magjia e kinematografisë shqiptare.
Filmat dokumentarë na risjellin Festivalet folklorike në vite si dhe grupet artistike që kanë performuar me aq pasion dhe emocion elementet e këngëve dhe valleve tradicionale shqiptare.
Ky program risjell në vëmendje dhe vlerësim kinematografinë shqiptare, autorët, kërkuesit shkencorë, bartësit e traditës dhe interpretuesit që e bënë Festivalin, dhe që ende sot e festojmë si trashëgimi sa artistike ashtu edhe historike.
Të gjithë në Gjirokastër!