Search
Close this search box.

Promovo artin shqiptar: Ekspozita në Budapest dhe Londër nga Bruku Velo

Për artistët shqiptarë, të ekspozuarit e punimeve apo punëve artistike larg atdheut ka shërbyer si një formë konfirmimi për brilancën, origjinalitetin apo dhe “marrjen e vendit të takuar” në Shqipëri. Por jemi larg atyre ditëve. Gjithnjë e më shumë krenohemi me artistë të rinj e të konfirmuar që arrijnë të ekspozojnë punët e tyre më të mira në galeri, ekspozita ndërkombëtare, krahas artistëve bashkëkohorë, nga shtete të mëdha e të vogla.

Një nga këta artistë që sot do të promovojmë quhet Bruku Velo. Artistja do të promovojë punët e saj në Budapest dhe Londër gjatë muajit shtator. “Toolip Art Gallery” quhet galeria në Budapest ku do të promovohen pikturat e Velos dhe “Artio Art Gallery” do të jetë galeria në Londër.

toolip budapest

Në Londër, Bruku do të prezantojë pikturat “Life Beyond Difficult” and “Man & Fish,” duke reflektuar mbi tematikat e shpresës, vështirësive dhe ndërgjegjësimi mbi mjedisin. Ekspozita do të mbahet gjatë datave 26 deri 29 shtator 2024 në “Biennale of Women in Art – London”.

bruku velo london

Profili i artistit

Bruku ka studiuar për grafikë dhe për marketing. Është autor i librit “Kalvar hapash”, një libër për fëmijë deri në 13 vjeç, me grafika nga Endri Beqo dhe historia e këtij libri, të paraqitur në formën e një novele grafike, rrëfen temën e emigrimit, një temë kjo shumë e hershme që prej ndryshimeve politike në Shqipërinë e viteve 2000, me qëllimin për të gjetur dhe krijuar kushte më të mira jetese. Libri ka marrë pjesë dhe në Festivalin “Comic Book” në Francë. Më 15 deri 24 tetor 2021, ka zhvilluar një ekspozitë në “La Maison de l’Albanie”, në Paris. Ka marrë pjesë dhe në “Bienalen Ndërkombëtare të Grafikës” në “Galerinë e Artit” Tiranë gjatë muajit tetor e nëntor 2022. Më 17 deri 22 prill 2024 ka marrë pjesë në “Artio Gallery” në ekspozitën “Interconnecting Lines” në New York, SHBA. Më 28-30 qershor 2024, ka qenë pjesëmarrës në Ekspozitën Ndërkombëtare “Beyond Barriers” në “European Museum of Modern Art” në Barcelonë. Gjithashtu ka marrë disa vlerësime për punët e bëra për tematikën e Luftës në Ukrainë.

Puna artistike

Në punët e piktores vihen re tematika aktuale si lufta, mjedisi, ndërlidhja e njeriut me natyrën, krahas portreteve apo peisazheve natyrore, që përcjellin mesazhe me rëndësi për kohët ku jetojmë. Pikturat ndërthuren shpesh me elementë grafikë për ta bërë më futuristike dhe retro njëkohësisht. Ngjyrat janë të shumëllojshme, por në peisazhe natyrore dominojnë ndërthurja e bardh-e-zisë, ku shprehet me detaje thellësia e objekteve dhe madhështia e tyre. Nuk mungojnë as piktura mbi tematikat e luftës, kryesisht të asaj në Ukrainë, ku dallohen qartë notat e trishtimit, shkatërrimit e të absurdit që shkakton lufta në jetën e njerëzve dhe jo vetëm.

I urojmë Brukut suksese për punën e deritanishme dhe arritje sa më të mëdha profesionale, si artiste dhe përfaqësues i artit bashkëkohor shqiptar!

Almanart