Që prej kohës kur njeriu mësoi të përdorë mjetet e punës, të kultivojë tokën e të mbarështojë kafshët, lindi dhe lidhja e tij fillestare me truallin, por, sakaq, edhe burgu i njeriut prej kësaj mënyre të re jetese.
Me kalimin e shekujve, trualli shndërrohet në qytet, duke nënkuptuar jo vetëm përmasën fizike të kompleksit të banesave urbane, por edhe krijimin e kodeve dhe marrëdhënieve të sanksionuara mes njeriut dhe bashkëbanorëve të të njëjtit mjedis urban, si dhe formësimin e marrëdhënieve të individit me peizazhin urban.
Përvoja na dëften se letërsia është e përfshirë në këtë proces komunikimi individual dhe kolektiv, ndaj dhe lind pyetja: a mundet të na shërbejë sot letërsia në përgjithësi dhe, konkretisht, poezia, për të dialoguar me qytetin dhe për të mbajtur apo rivendosur marrëdhëniet me realitetin urban? Poezitë u përzgjodhën nga Sokol Çunga dhe Anna Shkreli.