Search
Close this search box.

Regjisori Erenik Beqiri, kandidat për një “Luan të artë” në Venecia me filmin “Një Udhëtim i Shkurtër”

Regjisori i ri shqiptar Erenik Beqiri, ndau lajmin e gëzueshëm se filmi i tij “Një Udhëtim i Shkurtër” është përzgjedhur zyrtarisht për edicionin e 80-të të Festivalit të Filmit në Venecia.

“I emocionuar për të njoftuar se filmi ynë i shkurtër, është përzgjedhur zyrtarisht për edicionin e 80-të të Festivalit të Filmit në Venecia, në seksionin Orizzonti. Është një nder i madh të jesh pjesë e një eventi kaq prestigjioz kinematografik”, shkroi Erenik Beqiri në rrjetet sociale.

Filmi i tij garon së bashku me 12 filma të tjerë në kategorinë “Orizzonti Cortometragio” dedikuar filmave që përfaqësojnë tendenca të reja estetike dhe shprehëse të kinematografisë botërore, me fokusin tek talentet e rinj dhe kinematografitë më pak të njohura.

Në fakt filmi i regjisorit shqiptar është një prodhim francez. Pasi ka falenderuar gjithë kastin e filmit, regjisori Beqiri ka falenderuar për mbështetjen edhe Ambasadën franceze në Tiranë.

“Një falënderim nga zemra për të gjithë ata që e bënë të mundur këtë dhe qëndruan pranë, veçanërisht për kastën e talentuar dhe ekipin punëtor, pa të cilët ky film nuk do të ishte i mundur”, shkruan regjisori, i cili me një tjetër vepër ka qenë edhe konkurrent në “Oscars”.

Almanart