Vepra të panjohura më parë nga publiku të piktorit Guri Madhi janë publikuar këto ditë në Galerinë e Arteve të Tiranës. Ekspozita e titulluar ‘Retrospektivë’ sjellë punime që datojnë që nga fillimet e krijimtarisë së artistit të njohur.
Retrospektivë, është kjo ekspozita e piktorit Guri Madhi, me punimet që datojnë duke filluar nga viti 1937 e deri në vitin 1988.
“Janë rreth 53 vepra të artistit Guri Madhi që janë ekspozuar në të tre sallat e galerisë. janë të ndara në tre periudha të ndryshme ashtu siç ka qenë dhe rrjedha e gjithë jetës së tij dhe gjithë lidhja që ka pasur me artin pamorë,” – u shpreh Tana Kalemaj, përgjegjëse në Galerinë e Arteve.
Guri Madhi është një ndër ata artistë, ku pikturat e tij ja ka dedikuar Shqipërisë, përditshmërisë, luftës, kulturës, trashëgimisë, historisë e gjithë të papriturave që ajo i solli këtij vendi kohë pas kohe.
Shumica e punimeve ne këtë ekspozitë shfaqen për herë të parë për publikun. Familja I ka ruajtur me fanatizëm. Por tashmë të gjithë duhet të risillnin në vëmendje, artin e tij.
Punimet ndër vite
Në periudhën e viteve 1936-1945 Guri Madhi ka realizuar dhjetra portrete (ndoshta dhe më shumë), si nga natyra, ashtu dhe zmadhime të fotografive. Në këtë ekspozitë paraqiten disa nga këto vizatime, që i takojnë atyre viteve, midis të cilave dhe portreti i të fejuarës. Gjithashtu paraqiten dhe 2 ilustrime të tij, të vitit 1936 pjesë e librit të Ilo Mitke Qafëzezit “Dhaskal Gjoka”. Studimet e larta në Shën Peterburg dhe përfundimi i tyre “odlicno” (shkëlqyeshëm) i dhanë piktorit shpresën dhe nxitjen, që të vijonte më tej rrugën e artit dhe pse jo dhe suksesin. Shumica e pikturave në vaj dhe teknika të tjera të realizuara gjatë programit mësimor akademik, ndodhen në fondin muzeal të Akademisë së Shën Peterburgut. Në kompozimet mbi ngjarje historike, janë një sërë vizatimesh dhe skica, që u realizuan më pas (disa nga këto kompozime janë zhdukur përgjatë viteve, veçanërisht në tranzicionin shqiptar), si: “Ali Kelmendi me punëtoret”, “Para pushkatimit”, “Beteja e Mushqetase”, etj. Ndër vite, Guri Madhi realizoi shumë portrete në ngjyra vaji dedikuar familjes, po kështu dhe shumë skica dhe vizatime, disa prej të cilave paraqiten në ekspozitë. Janë shumë vepra në vaj nga piktori dedikuar detit Adriatik dhe Jon, apo liqenit të Ohrit. Në këtë ekspozitë paraqiten gjithashtu disa vizatime, pastele të realizuara drejtpërdrejt në natyrë, etj. Nuk mungojnë dhe disa skica, vizatime, portrete, të realizuara edhe gjatë qëndrimit në Kosovë, por dhe pas kthimit prej saj. Në vitet 1960-1968 ka disa vepra në pikturë, që reflektojnë drejtimin e tij drejt abstraksionizmit. Dhe disa nga këto vepra u zbuluan pas ndarjes së tij nga jeta. Për arsyen e thjeshtë se ishin fshehur nga autori, aty në studion e tij të punës. Ekspozita personale e qershorit 1987, tregoi ndryshimin tjetër të stilit të tij. Vepra e fundit e tij, e titulluar më pas si “Shqetësimi i piktorit” (maj 1988), shënon rikthimin e tij tek arti abstrakt. Guri Madhi (15 maj 1921 – qershor 1988) në vitin 1976 merr titullin më të lartë artistik “Piktor i Popullit”.