Nga Roland Barthes
Dihet se gjuha është tufë rregullash dhe shprehish, të përbashkëta për të gjithë shkrimtarët e një epoke. Kjo do të thotë se gjuha është si një natyrë që përshkon tërësisht të folurit e shkrimtarit, pa i dhënë ndërkaq asnjë formë, as pa e ushqyer: ajo është si një rreth abstrakt të vërtetash dhe vetëm jashtë saj nis të kullojë dendësia e verbit të vetmuar.
Ajo mbërthen të gjithë krijimtarinë letrare përafërsisht si qielli, dheu dhe bashkimi i tyre që përvijojnë vatrën intime të njeriut. Ajo është shumë pak rezervë materialesh se sa horizont, përkatësisht ajo është njëherësh kufi dhe ndalesë, me një fjalë, hapësirë e sigurt e një ekonomie.
Shkrimtari prej aty nuk merr asgjë tekstualisht: gjuha për të është më tepër si një linjë, shkelja e së cilës do ta tregonte mbinatyrën e ligjërimit: ajo është zona e veprimit, përkufizimi dhe pritja e së mundshmes. Ajo nuk është vend i angazhimit shoqëror, po vetëm refleks që nuk zgjidhet, pronë e pandashme e njerëzve dhe jo e shkrimtarëve; ajo mbetet jashtë ritualit të Letrave; është objekt shoqeror për nga përkufizimi, jo për nga zgjedhja.
Pa artificialitet askush nuk mund të fusë lirinë e vet prej shkrimtari në tejdukshmërinë e gjuhës, për shkak se përmes saj qendron e tërë Historia, e plotë dhe njësore si Natyrë.
Gjithashtu, për shkrimtarin, gjuha është vetëm horizont njerëzor që në largësi vendos njëfarë afrimi, pos tjerash fare negativ; të thuash se Kamy dhe Keno flasin të njejtën gjuhë, kjo do të thotë vetëm t’i sjellësh në mëndje përmes një veprimi dallues të gjitha gjuhët, të shkuara dhe të ardhme, që ata nuk i flasin: pezull midis formave të vjetruara dhe formave të panjohura, gjuha e shkrimtarit është shumë më pak bazë se kufi i fundit; ajo është vendi gjeometrik i gjithë asaj që shkrimtari nuk do të mund ta thoshte pa e humbur, si Orfeu derisa rikthehej, domethënien e qëndrueshme të veprimit të tij dhe gjestin thelbësor të sociabilitetit të tij.
Gjuha, pra, është përpara Letërsisë. Stili është gati përtej: imazhet, ritmi, leksiku lindin vetë trupi dhe e kaluara e shkrimtarit dhe pak nga pak bëhen automatizma të artit të tij. Kështu nën emrin e stilit formohet një ligjërim autokratik që zhytet vetëm në mitologjinë personale dhe të fshehtë të autorit, në njatë hipofikë të të folurit, ku formohet ndërlidhja e parë e fjalëve dhe e gjërave, ku vendosen njëherë e përgjithmonë temat e mëdha verbale të ekzistencës së tij.
Sado i stërholluar që të jetë, stili gjithmonë përmban diçka bruto: ai është formë pa destinacion, ai është prodhim i shtysës, jo i mëtesës, ai është një dimension vertikal e i vetmuar i mendimit. Referencat e tij janë në rrafsh të një biologjie ose të një të kaluare, jo të një Historie: ai është “gjëja” e shkrimtarit, shkëlqimi dhe burgu i tij, ai është vetmia e tij.
Stili është thjesht fenomen i rendit të mugullimit, ai është shpërndërrim i karakterit. Edhe aluzionet e stilit shpërndahen në thellësi; të folurit ka strukturë horizontale, fshehtësitë e tij ndodhen në të njëjtën linjë me fjalët e tij, ndërsa ajo që fsheh të folurit zbulohet nga tërësia e vazhdimësisë së tij; në të folur çdo gjë ofrohet, është e destinuar për një përdorim të pandërmjetmë, dhe verbi, heshtja dhe këmbimi i tyre nxitojnë drejt një kuptimi të shtyrë për më vonë: është transfer pa rezistencë dhe pa vonesë.
Përkundrazi, stili ka vetëm një dimension vertikal, ai zhytet në kujtimin e mbyllur të personit; ai arrin patejdukshmërinë duke u nisur nga një përvojë e caktuar e materies; stili është gjithherë vetëm metaforë, përkatësisht barazim midis mëtesës letrare dhe strukturës karnale të autorit (do rikujtuar se struktura është deponimi i një zgjatjeje).
Gjithashtu stili është gjithmonë fshehtësi; por teposhtëzja e heshtur e referencës së tij nuk ka të bëjë me atë që në natyrën e ligjërimit është e lëvizshme dhe gjithnjë e shtyshme; fshehtësia e tij është kujtimi i ngujuar në trupin e shkrimtarit: virtyti aluziv i stilit nuk është fenomen shpejtësie, si në të folur, ku e pathëna mbetet një ndërkohë e ligjërimit, po fenomen dendësie, sepse ajo që rri drejt e thellë nën këtë stil, e ngjeshur apo e labërguar në figurat e tij, janë fragmente të një realiteti tërësisht të huaj për ligjërimin.
Mrekullia e këtij shndërrimi bën nga stili një lloj veprimi mbiletrar, që njeriun e sjellë te dera e fuqisë dhe e magjisë. Me prejardhjen e tij biologjike stili vendoset jashtë artit, përkatësisht jashtë paktit që lidh shkrimtari me shoqërinë. Mund të merren me mend, pra shkrimtar që parapëlqejnë sigurinë e artit ndaj vetmisë së stilit.
Vet tipi i shkrimtarit pa stil është Zhid (Gide), mënyra artizanale e të cilit shfrytëzon kënaqësinë moderne të njëfarë etosi klasik, mu ashtu siç e ripunoi San-Saensi (Saint-Saëns) Bahun (Bach), apo Pulani (Poulenc) Shubertin (Schubert). Në anën tjetër, poezia moderne, e Hygoit, e Remboit (Raimbaud) apo e Sharit (Char), është e ngopur me stil dhe është art vetëm përmes referencës ndaj një mëtese për të shkruar Poezi. Është autoriteti i stilit, përkatësisht lidhja absolutisht e lirë e ligjërimit me kripcin e tij prej mishi, ajo që imponon shkrimtarin si një freski përmbi Historinë.
Horizont i gjuhës dhe vertikalitet i stilit për shkrimtarin paraqesin diçka të natyrshme, sepse ai nuk zgjedh as njërin as tjetrin. Gjuha funksionon si negativitet, kufiri nistor i së mundshmes, stili është Domosdo që lidh karakterin e shkrimtarit me ligjërimin e tij. Në gjuhë ai gjen afërsinë e Historisë, në stil atë të së kaluarës së tij.
Në të dy rastet është çështja e natyrës, përkatësisht e një lëvizjeje intime, ku energjia është vetëm e rendit veprues, kështu që një herë përdoret për numërimin, herën tjetër për shndërrimin, por kurrë për gjykimin as për shenjimin e zgjedhjes.
Por çdo formë është gjithashtu vlerë; prandaj midis gjuhës dhe stilit ka vend për një tjetër realitet formal: shkrimin. Në çdo formë letrare ka zgjdhje të përgjithshme të një toni, të një etosi, po të doni, dhe pikërisht këtu shkrimtari individualizohet në mënyrë të qartë, për shkak se pikërisht këtu angazhohet.
Gjuhë dhe stil janë të dhëna paraprake për çdo problematikë të ligjërimit, gjuhë dhe stil janë prodhimi natyror i Kohës dhe i vetës biologjike; por identiteti formal i shkrimtarit vendoset me të vërtetë vetëm jashtë vendosjes së normave të gramatikës dhe të përhershmërive të stilit, atje ku vazhdimësia e shkruar, së pari e mbledhur dhe e mbyllur në një natyrë gjuhësore përsosmërisht virgjër, do të bëhet më në fund shenjë e tërësishme, zgjedhje e një sjelljeje njerëzore, pohimi i një të Mire të caktuar, duke angazhuar kështu shkrimtarin ta hetojë dhe komunikoj fatin e fatkeqësinë, dhe duke lidhur formën njëherësh normale dhe të veçantë të të folurit të tij me Historinë e gjerë të të tjerëve.
Gjuha dhe stili janë forca të verbra; shkrimi është akt i solidaritetit historik. Gjuha dhe stili janë objekte; shkrimi është funksion: ai është raporti midis krijimit dhe shoqërisë, ai është ligjërimi letrar i shnërruar nga destinimi i tij shoqëror, ai është forma e mbërthyer në mëtesën e saj njerëzore dhe e lidhur kështu me krizat e mëdha të Historisë.
Për shembull, Merime (Mérimé) e Fonëlon (Fainelon) dallojnë midis tyre me fenomene gjuhe dhe me veçanti stili; megjithatë, ata ushtrojnë një ligjërim të ngarkuar me të njëjtin intencionalitet, i referohen së njëjtës ide të sormës dhe të thelbit, ata pranojnë të njëjtin rend të konvencave, ata janë vendi i reflekseve të së njëjtës teknikë, ata përdorin njësoj me një shekull e gjysmë distancë, të njëjtin mjet pa dyshim pak të modifikuar në pamjen, assesi në vendosjen e as në përdorimin e tij: sghkurt, ata kanë të njëjtin shkrim.
Përkundrazi, gati bashkëkohës, Merime e Lotreamohn (Lotréamon), Malarme e Selinë (Céline) dhe Keno, Klodel (Claudel) e Kmy, që kanë folur ose flasin të njëjtën gjendje historike të gjuhës sonë, përdorin shkrime thellësisht të ndryshme; i ndan gjithçka, toni, ritmi, qëllimi, morali, e natyrshmja e të folurit të tyre, në shkallën që fakti se epokën dhe gjuhën i kanë të përbashkëta bëhet më pak i rëndësishëm kur ke parasysh se shkrimet e tyre janë aq të kundërvëna dhe aq mirë të përkufizuara me vetë kundërvëniet e tyre.
Këto shkrime janë vërtet të ndryshme, por të krahasueshme, për shkak se janë prodhuar nga një lëvizje identike, që është refleksion i shkrimtarit mbi përdorimin shoqëror të formës së tij dhe mbi zgjedhjen që fillon vetëm me të, shkrimi në thelb është morali i formës, është zgjedhja e kuadrit shoqëror në gji të të cilit shkrimtari do ta vendosë Natyrën e ligjërimit të tij. Por ky kuadër shoqëror për të cilin shkruan: ai e di mirë se, pos kur bën llogari me një Revolucion, këtë mund ta bëjë gjithmonë vetëm për një shoqëri.
Zgjedhja e tij është zgjedhje e vetëdijes, jo e efikasitetit. shkrimi i tij është mënyrë për ta menduar Letërsinë, jo për ta përhapur. Ose edhe më mirë: për shkak se nuk mund të ndryshojë asgjë në të dhënat objektive të konsumit letrar (këto të dhëna thjesht hisporike nuk i mbërthen dot edhe nëse është i vetëdishëm për to) shkrimtari shtron vullnetarisht kërkesën për një ligjërim të lirë te burimet e tij dhe jo atje ku konsumohet.
Kështu shkrimi është realitet i dysishëm: nga njëra anë, ai lind pakontestueshëm nga një ballafaqim i shkrimtarit me shoqërinë nga ana tjetër, nga ky finalitet shoqëror, përmes një lloji transferi tragjik, e shpie shkarimtarin te burimet mjetore të krijimit të vet. duke mos mundur t’i japë një ligjërim që do të konsumohej lirisht, Historia i propozon kërkesën për një ligjërim të prodhuar lirisht.
Kështu zgjedhja e një shkrimi, pastaj përgjegjësia ndaj tij, shënojnë një liri, por kjo liri nuk i ka të njëjtit kufinj në momentet e ndryshme të Historisë. Shkrimtarit nuk i është dhënë ta zgjedhë shkrimin e vet nga ndonjë arsenal jokohor i formave letrare.
Shkrimet e mundshme të një shkrimtari të caktuar vendosen nën trysninë e Historisë dhe traditës: ekziston një Histori e shkrimit; por kjo histori është e dyfishtë në momentin kur Historia e përgjithshme propozon – ose imponon – një problematikë të re të ligjërimit letrar, shkrimi ende mbetet plot kujtime nga përdorimet e tij të mëparme, sepse ligjërimi kurrë nuk është virgjër: fjalët kanë një kujtesë të dytë që shtrihet në mënyrë misterioze deri në qendër të domethënieve të reja.
Shkrimi është pikërisht ky kompromis midis një lirie dhe një kujtimi, ai është njajo liria që kujtohet e që është liri vetëm në gjestin e zgjedhjes, por tashmë nuk është në vazhdimin e saj. Pa dyshim, unë mund të zgjedh për vete sot një shkrim të këtillë apo të atillë, dhe me këtë gjest ta afirmoj lirinë time, të synoj freskinë ose traditën; por unë nuk mund të zhvilloj më tutje në një zgjedhje pa u bërë pak nga pak rob i fjalëve të tjetrit dhe madje edhe i fjalëve të mia.
Një mbetje kokëfortë, që vjen nga të gjitha shkrimet parashkruese dhe nga e kaluar e vet shkrimit tim, mbulon zërin e tashëm të fjalëve të mia. Çdo gjurmë e shkruar kullohet si një element kimik, së pari i tejdukshëm, virgjër dhe asnjanës, ku në saje të zgjatjes së thjeshtë, pak nga pak del një e kaluar e tërë e mbetur, një kriptografi e tërë gjithnjë e më e dendur.
Si liri, shkrimi është, pra, vetëm një moment, por ky moment është një nga më të shtjelluarit të Historisë, pasi që Historia është gjithmonë dhe para së gjithash mu zgjedhja dhe kufijtë e kesaj zgjedhjeje. për shkak se shkrimi del nga një gjest domethënës i shkrimtarit, prania e tij në Histori është më e ndjeshme se e cilësdo prerje tjetër të letërsisë. njësia e shkrimit klasik, homogjen me shekuj, shumësia e shkrimeve moderne, të shumuara këta njëqind vjet deri në vetë kufijtë e faktit letrar, ky lloj i shpërthimit të shkrimit frëng i përgjigjet një krize të madhe të Historisë së përgjithshme, që në historinë lëtrare të mirëfilltë shihet në një mënyrë shumë më konfuze.
Ajo që e dallon “mendimin” e Balzakut nga ai i Floberit është një variacion shkolle; ajo që i kundërvë shkrimet e tyre është thyerje thelbësore, e krijuar në momentin madje kur ndërrohen dy struktura ekonomike, duke ngërthyer në nyjëtimin e vet ndryshime vendimtare mentaliteti e vetëdije.
*Shkëputur nga libri “Aventura semiologjike”, Roland Barthes, Dukagjini, Pejë 2008 /observer/