Search
Close this search box.

Rozi Kostani: Në veprën “Tre dimra” publiku shikon historinë e jetës së tij

Vepra teatrore “Tre dimra”, që ndjek fatet e katër brezave të grave të një familjeje gjatë një shekulli të trazuar pritet të jetë dhe këtë vit në sezonin artistik të teatrit Metropol. Në vijim të shfaqjeve që do të jenë në skenën teatrore për publikun edhe vepra me regji të Rozi Kostanit, që pati një sukses vitin që lamë pas do të rikthehet në skenën teatrore. Vepra e autores kroate Tena Stiviçiç me regji nga Rozi Kostani ka qenë një prej produksioneve teatrore që u mirëprit nga publiku, që mbushte sallën në netët kur shfaqej në Metropol. Kjo bëhej me dije më parë dhe nga vetë institucioni, që publikonte materiale rreth shfaqjes. Regjisorja Rozi Kostani shprehet se u pëlqye, sepse publiku shikon në “Tre dimra” një histori kroate të ngjashme me historinë tonë. “Nga kërkesat e publikut pritet të rikthehet në Metropol sërish kjo shfaqje. “Tre dimra” publikun e joshi për ngjarjet familjare dhe për njësimin. Ajo ishte si tek ne. Publiku e ka pëlqyer, sepse ka parë historinë e jetës së tij, e vërteta është një histori kroate, por e ngjashme me një histori tonën. Ajo më ka joshur edhe mua në ngjarje”, tregon regjisorja Rozi Kostani, një nga emrat e vlerësuar të jetës artistike në vend, ku ka sjellë për publikun vepra të ndryshme teatrore. Në vepër janë aktorët Yllka Mujo, Luiza Xhuvani, Marjeta Ljarja, Viktor Zhusti, Sokol Angjeli, Elia Zaharia, Armela Demaj, Sonila Kapidani, Xhino Musollari, Klea Konomi, Kastriot Ramollari, Klesta Shero, Ketjona Pecnikaj, Ina Morinaj, Amri Hasanlliu dhe Lindar Kaja. Trupa e Ansamblit Tirana si dhe studentë të Universitetit të Arteve. Muzika Genti Rushi dhe kostumograf Frenci Gjerasi.

Ngjarjet e veprës

Drama “Tre dimra” e Tena Stivicic u shfaq si fillim premierë në Teatrin Kombëtar, Londër, në nëntor 2014 dhe fitoi çmimin Susan Smith Blackburn në vitin 2015. Por teatri Metropol në vitin që lamë pas çeli sezonin e ri artistik 2022 me “Tri dimra”, veprën e cila hedh dritë mbi problemet në shoqërinë moderne, duke vëzhguar gjendjen e botës nga këndvështrimi i grave. Ngjarjet e veprës zhvillohen në një vilë të ndërtuar në vitin1898 në Zagreb të Kroacisë. Ky udhëtim në kohë ndodh gjatë 75 viteve, ku ngjarjet fokusohen në tre dimra, në tre pika të ndryshme të zhvillimit të vendit, në vitin 1945 gjatë krijimit të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, në vitin 1990 te shpërbërja e saj, e më pas deri në 2011 kur Kroacia e pavarur, aspiron e negocion për t’u bashkuar me BE-në. Ndërkohë që fokusi i shfaqjes është vetëm një shtëpi dhe një familje, në atë shtëpi është shkruar e gjithë historia e fundit e Kroacisë dhe bashkë me të forcat kryesore politike dhe ndryshimet ideologjike që kanë formësuar Evropën moderne. Më herët regjisorja Kostani ka shprehur se janë tre periudha historike të tranzicionit që ka kaluar apo vazhdojnë të jenë në proces popujt e rajonit tonë, si Shqipëria ashtu edhe Kroacia me një ngjashmëri të plotë me realitetet e tre periudhave: në 1945 me ardhjen në pushtet të komunistëve, në 1990 ardhja e një demokracie të brishtë dhe në 2011 prona akoma e pa zgjidhur dhe përpjekja për të hyrë në Europë. Stivicic pati suksesin e saj të parë si dramaturge në vitin 1999 me Can’t Escape Sundays, e cila u shfaq në Slloveni dhe Serbi, si dhe në vendin e saj të lindjes./sot.com/

Almanart