“Asnjëherë nuk ishte menduar të ishte një gjë, e vetme dhe e pandryshueshme”, ka thënë Martin Scorsece në “Berlinale”, ku është nderuar me “Ariun e Artë” për vepër jetësore. “Ndoshta dikur ishte një gjë teatri i filmit, shpjegoi ai. Sot, me teknologjitë që po zhvillohen me shpejtësi, platformat për kinemanë po ndryshojnë, por regjisori mendon se mund të mbajmë ende një gjë: “zërin individual”. ”Zëri individual, duhet të them, mund të shprehet në TikTok ose në një film katërorësh ose në një miniserial”, ka thënë ai. “Unë nuk mendoj se duhet të lejojmë që teknologjia të na trembë. Thjesht, duhet të drejtohet në drejtimin e duhur”, ka thënë ai duke shtuar se duhet lejuar shfaqjen e vizioneve personale dhe jo vetëm “diçka që konsumohet dhe hidhet tutje”
“Përshkruajeni Martin Scorsesen në një fjalë”, ishte pyetja që u bë nga një gazetar në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin, regjisori dhe producenti u përgjigj thjeshtë: “Është një mister”.
Nëse ka një gjë që duhet të thuhet, është se Scorsese është pa dyshim një monument në historinë e filmit.
Regjisori dhe producenti 81 vjeç tashmë është nderuar me një sërë çmimesh për arritje jetësore, përfshirë edhe atë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin, “Berlinale”, që e nderon me “Ariun e Artë” për vepër jetësore.
Regjisori është gjithashtu i përkushtuar ndaj ruajtjes së filmit dhe është promotor i flakët i kinemasë së restauruar dhe asaj klasike. Ky pasion u ndie dhe në konferencën për shtyp të mbajtur të martën, përpara ceremonisë së ndarjes së çmimeve, teksa diskutoi gjerësisht për vepra nga të gjitha epokat dhe pjesët e botës.
Por një gazetar tjetër pyeti se si e vlerëson ai ndikimin e tij tek kineastët e tjerë?
Kur ishte më i ri, Scorsese u përgjigj se “ishte plot ambicie dhe ego” – duke bërë shaka në fjalinë tjetër se ai ndoshta nuk i ka humbur kurrë ato tipare të karakterit. Por, shtoi: “Përpiqem, pasi ndonjëherë më pengon”.
Që prej vitit 1967, Scorsese ka realizuar 26 filma artistikë dhe shumë dokumentarë të tjerë.
Vepra e tij e fundit, “Killers of the Flower Moon”, fokusohet në vrasjen sistematike të anëtarëve të komunitetit Osage për tokën e tyre të pasur me naftë nga kolonët e bardhë në vitet 1920, një histori e bazuar në fakte historike.

Filmi ka marrë dhjetë nominime për “Oscar”, duke përfshirë një për Lily Gladstone, e cila u bë kështu amerikania e parë vendëse që u nominua për çmim “Oscar”.
Por së bashku me vlerësimet për të, Scorsese nuk është i panjohur me debatet për filmat e tij.
Ja pesë nga polemikat rreth filmave, që janë gjithashtu pjesë e trashëgimisë së jashtëzakonshme të Martin Scorsese.
Është akuzuar shpesh si glorifikues i dhunës: Regjisori ka identifikuar veprimtarinë e tij me tema si: qëndrimet macho, dhuna e përgjakshme dhe “faji katolik” – në fillet e hershme të karrierës së tij.
Dhuna grafike në “Taxi Driver” (1976) dhe fakti që atëherë 12-vjeçarja Jodie Foster mori rolin e një prostitute fëmijë, rezultuan në vlerësim si vepër kontroverse, duke e vënë në diskutim këtë kryevepër fituese të “Palmës së Artë”.

Në reputacionin famëkeq të filmit, “Taxi Driver” kontribuonte edhe personazhi protagonist i cili paraqiste një obsesion deluzional të zhvilluar nga një njeri i quajtur John Hinckley Jr., i cili tentoi ta vriste presidentin Ronald Reagan në vitin 1981, pasi donte “të përpiqej t’i bënte përshtypje Jodie Fosterit”.
Për disa kritikë, Scorsese duhet të dënojë sjelljen e protagonistëve të tij në mënyrë më të drejtpërdrejtë në filmat e tij.
Por Scorsese gjen qëndrime të tilla moraliste “përtej të mërzitshmes”, siç kishte thënë së fundmi në një diskutim me Timothee Chalamet për “GQ”, duke iu referuar reagimit ndaj “The Wolf of Wall Street” (2013) një dekadë më parë. Filmi akuzohej gjithashtu për “glorifikim të sjelljes psikopatike” në kohën e lansimit.
“The Last Temptation of Christ” dhe akuzat për blasfemi: Para se të zbulonte pasionin e tij për kinemanë, Scorsese fillimisht planifikonte të bëhej prift dhe ai ende identifikohet si katolik. Ka eksploruar çështjet e besimit në shumë prej filmave të tij, por “Tundimi i fundit i Krishtit” (1988) ishte ai që zemëroi më së shumti katolikët konservatorë. Filmi përfshin një sekuencë ku Jezusi (i luajtur nga Willem Dafoe) kryen marrëdhënie seksuale me Maria Magdalenën.

Shfaqjet e filmit u shoqëruan me protesta; filmi u ndalua në vende të ndryshme, përfshirë Argjentinën, vendlindjen e Papa Françeskut. Ndërkohë marrëdhëniet mes Vatikanit dhe regjisorit provokues katolik duket se janë shkrirë. Pas një shfaqjeje të filmit “Silence” në vitin 2016 në Romë, rreth persekutimit të të krishterëve jezuitë në Japoninë e shekullit XVII, ku Scorsese pati dhe takimin e tij të parë me Papën.
Në fillim të këtij viti Scorsese njoftoi se po planifikonte një tjetër film mbi Krishtin, bazuar në romanin “A Life of Jesus”.
Ai i ka bërë armiq adhuruesit e Universit Kinematografik të “Marvelit”: Në një intervistë të vitit 2019 me revistën “Empire”, Scorsese deklaroi se ai nuk i konsideronte filmat me superheronj të “Marvelit” si prodhime kinematografike. Ai i krahasoi ata me “parqet e argëtimit” dhe argumentoi se atyre u mungonte thellësia emocionale dhe psikologjike që ai i lidh me kinemanë e vërtetë. Regjisorët dhe yjet e “Marvel Cinematic Universe” u thirrën për të reaguar ndaj komenteve të tij dhe për të mbrojtur mega-franshizën.
Kjo temë është kthyer në një debat të pafundmë mes tij dhe fansave të superheronjve të “Marvelit”.
Partneriteti i tij i kushtueshëm me “Netflix” ngriti vetullat – dhe ne nuk duhet të frikësohemi nga TikTok-u: Edhe Scorsese vetë është pajtuar që industria e filmit duhet të ketë ndryshime. Ndërsa dikur ai pretendonte se shërbimet e transmetimit po “zhvlerësonin” kinemanë duke i reduktuar filmat në “përmbajtje”, ai u bashkua më vonë me “Netflix” për “The Irishman” (2019), filmi i tij me Robert de Niron, Al Pacinon dhe Joe Pesci. Regjisori shpjegoi se askush tjetër në Hollywood nuk ishte gati të paguante për produksionin, i cili paraqiste teknologjinë pioniere dhe të shtrenjtë të rinimit. Buxheti i këtij filmi ishte vlerësuar të jetë deri në 250 milionë dollarë. Pavarësisht se çfarë mund të konkludojnë njerëzit nga deklaratat e tij, Scorsese nuk beson se kinemaja po vdes: “Po transformohet. Asnjëherë nuk ishte menduar të ishte një gjë, e vetme dhe e pandryshueshme”, ka thënë ai në Festivalin e Filmit në Berlin. Ndoshta dikur ishte një gjë teatri i filmit, shpjegoi ai. Sot, me teknologjitë që po zhvillohen me shpejtësi, platformat për kinemanë po ndryshojnë, por regjisori mendon se mund të mbajmë ende një gjë: “Zërin individual”.

“Zëri individual, duhet të them, mund të shprehet në TikTok ose në një film katërorësh ose në një miniserial”, ka thënë ai. “Unë nuk mendoj se duhet të lejojmë që teknologjia të na trembë. Thjesht, duhet të drejtohet në drejtimin e duhur”, ka thënë ai duke shtuar se duhet lejuar shfaqjen e vizioneve personale dhe jo vetëm “diçka që konsumohet dhe hidhet tutje”. “Ajo që është në modë vdes brenda një dite”, theksoi regjisori i famshëm.
Ai akuzohet se bën filma që u mungojnë personazhet që portretizojnë femra të forta: Ky debat ka qenë prezent gjatë gjithë karrierës së tij, por ai u rindez pas publikimit të “The Irishman”, ku personazhet folën vetëm disa fjalë në filmin e gjatë tri orë e gjysmë. Por një zhytje më e thellë në filmat e tij tregon se regjisori me ndikim ka drejtuar gjithashtu vepra me aktore të forta dhe ka ofruar portrete më të nuancuara të grave, duke përfshirë “Alice Doesn’t Live Here Anymore” (1974) dhe “The Age of Innocence” ( 1993), ose seritë e tij të fundit në “Netflix” me ikonën e New Yorkut, Fran Lebowitz.

Regjisori e përshkruan punën e tij si një eksplorim të njerëzimit që ka pak të bëjë me ndarjen gjinore, siç theksoi ai në një intervistë të fundit me “The Guardian”: “Unë përpiqem të gjej kush jemi ne si qenie njerëzore, si organizëm, prej kujt janë të krijuara zemrat tona”.
Marrë nga “Deutsche Welle”. Përktheu: Enis Bytyqi/koha/