Tre copëza jete dhe pune, në kohë dhe vende të ndryshme u shkrinë në një skenë të vetme. Shfaqja “Mendje të bukura, shpirtra të lirë” kushtuar tre shkencëtareve, Mari Kyri, Sabiha Kasimati dhe Rozalinda Frenklin u mirëprit nga publiku në sallën Black Box të Universitetit të Arteve në Tiranë. Të rinjtë e gjimnazeve “A.Z. Çajupi” dhe “Qemal Stafa” përcollën me një lojë të bukur artistike një dramë shqipe. Shkencëtaret i bashkon dashuria, pasioni, përkushtimi për shkencën, përpjekjet e tyre për barazinë gjinore dhe dashuria për jetën, përkundrejt një realiteti kundërvihet figurës së gruas në shkencë ndër shekuj. Ina Kasimati, aktiviste e njohur mjedisore, mësuese e biologji-kimisë në gjimnazin “A.Z.Çajupi” si dhe ideatorja dhe autorja e projektit shprehet se “Mendje të bukura, shpirtra të lirë” i dedikohet tre shkencëtareve, si frymëzim për të rinjtë shqiptarë. “Kjo vepër i dedikohet Sabiha Kasimatit, Mari Kyri, Rozalinda Frenklin si frymëzim për të rinjtë që duan dhe studiojnë shkencat, kërkimin shkencor, por edhe për të reflektuar si shoqëri mbi vlerat humane që i trashëgojmë nga figurat e shquara të historisë, heroinat e vërteta, me dinjitet në jetën dhe vdekjen e tyre. Ato kanë ngadhënjyer mbi vdekjen mentalitetin e shoqërive maskiliste apo pushtetit diktatorial si martirja Sabiha Kasimati, duke u bërë dritë për ne dhe për brezat e ardhshëm”, thotë Ina Kasimati. Autorja e dramës Rovena Rrozhani shprehet pas shfaqjes se nuk është e lehtë të bashkosh tre figura si këto, për më tepër të mundohesh t’i sjellësh brenda një kohe të shkurtër. “Është më shumë se një shekull përpjekje dhe punë e palodhur e grave në shkencë. Është një tribut kushtuar mendjeve të bukura dhe shpirtrave të lirë që kanë lënë gjurmë në historinë e shkencës, shpesh edhe duke mbetur si heroina të mohuara. Për më tepër është një shfaqje nga të rinjtë për të rinjtë, e frymëzuar nga një figurë e bukur mësueseje dhe aktivisteje si Ina”, shprehet Rozhani.
Puna me shfaqjen
Për regjisoren Suela Bako kjo shfaqje ishte një sfidë, të cilës siç shprehet ajo do t’i rikthehej me kënaqësi. “Të punosh me të rinj bën mirë për shëndetin; të jesh pjesë e një misioni, bën mirë për shpirtin, të kesh fatin të risjellësh në jetë gra shkencëtare si Sabiha Kasimati, Rozalinda Frenklin, Mari Kyri, bën mirë për mendjen. Ishte një sfidë që do t’i rikthehesha me kënaqësi”, shprehet Bako. Në role në shfaqjen “Mendje të bukura, shpirtra të lirë”, interpretuan nxënësit e dy gjimnazeve të Tiranës, Anxhela Bregasi, Ana Kotelli, Kaltrin Zalla, Erda Bekaj, Renis Hamzaj dhe Enes Ajazi të cilët ia dolën mbanë të mbanin peshën e figurave historike, duke marrë duartrokitje të shumta në përfundim të performancës së tyre. Shfaqja teatrale që u shfaq më 26 janar është pjesë e aktiviteteve të projektit të klubit ekologjik Kristal “A.Z. Çajupi ” -shkollë e gjelbër mbështetur nga TEYC 2022, Bashkia Tiranë -Kongresi Rinor Kombëtar dhe ZVAT. Ajo përmbylli një sërë aktivitetesh në të cilat u bënë pjesë edhe klube ekologjike nga shumë shkolla të vendit nën drejtimin e koordinatoreve Aida Bedaj dhe Eglantina Shamo Teta./sot/