Një roman i pabotuar i Gabriel García Márquez do të jetë në treg në pranverën e vitit 2024. Trashëgimtarët e fituesit të çmimit Nobel në Letërsi kanë vendosur që romani i ri të jetë në duart e lexuesit në 10-vjetorin e vdekjes së shkrimtarit. “En agosto nos vemos” (“Shihemi në gusht”), një dorëshkrim 150 faqesh, shkrimi i të cilit u zvarrit për vite të tëra nga shkrimtari kolumbian, u depozitua, si letrat e tjera të autorit, në Qendrën Harry Ransom të Universitetit të Teksasit, subjekti që ka blerë fondet. Teksti do të botohet nga shtëpia botuese “Penguin Random House”, në të gjitha vendet spanjishtfolëse, përveç Meksikës.
Romani përbëhet nga pesë tregime të shkurtra, tregime të mbyllura dhe autonome që formojnë një tërësi unitare me protagoniste Ana Magdalena Bach, një grua e kulturuar dhe ende e bukur, në prag të pleqërisë, e cila çdo 16 gusht udhëton për në qytetin e vogël ku nëna e saj është varrosur, në varrezat e të varfërve, për t’i treguar asaj për takimet seksuale të fshehta dhe jashtëmartesore.
Hera e parë që u bë e ditur ekzistenca e kësaj vepre ishte në vitin 1999, kur autori lexoi një prej tregimeve në Casa América në Madrid, të cilin e prezantoi si një fragment dhe pikënisje për një roman të ardhshëm të përbërë nga pesë të tilla. Në atë kohë, shkrimtari kolumbian ishte 72 vjeç dhe sapo kishte mposhtur kancerin.