Më 11 gusht 1973, Clive dhe Cindy Campbell organizuan një festë në apartamentin e tyre në Bronx, New York. “Bitat” e DJ Kool Herc atë mbrëmje shënuan lindjen e hip-hopit.
Në vitin 1973, Bronx në New York ishte një nga lagjet më të rrezikshme në Shtetet e Bashkuara. Grabitja, sulmet dhe vrasjet ishin pjesë e përditshmërisë së banorëve. Të rinjtë u organizuan në banda rrugësh, duke marrë kontrollin e blloqeve të tyre dhe duke luftuar me njëri-tjetrin.
Me pak fjalë Bronxi ishte në zjarr. Zjarrfikësve u duhej rregullisht të shuanin flakët në blloqet e banesave, pasi që pronarët vinin zjarrin për të spekuluar mbi këstet e sigurisë.
Rrugët ishin të mbushura me mbetje dhe mbeturina; parqet e lëna pas dore tërhoqën tregtarët e drogës, tutorët dhe prostitutat. E gjithë lagjja po rrënohej, duke lënë shumë ndërtesa banimi boshe e gjithnjë e më të rrënuara.
Siç shkroi fotoreporteri Allan Tannenbaum në një ese ku përshkruan përvojën e tij në këtë zonë, në fillim të viteve 1970, Bronx dhe pjesë të tjera të qytetit të New Yorkut, si “Lower East Side”, “Bedford-Stuyvesant” ose “Harlem”, dukeshin si qytetet evropiane pas Luftës së Dytë Botërore.
Kishte varfëri të madhe dhe shumica e banorëve jetonin me ndihma sociale. Jo sepse nuk donin të punonin, por sepse nuk kishte fare punësim.
Ata që kishin mundësi ikën nga lagjja, por duhej të gjenin edhe ndonjë pronar që t’u jepte me qira një apartament diku tjetër. Megjithëse në fillim të viteve 1970 ndarja racore u shfuqizua zyrtarisht në SHBA, shumë njerëz të bardhë nuk donin të jetonin përkrah afrikano-amerikanëve dhe vazhduan t’i diskriminonin, duke e bërë të vështirë për afro-amerikanët të ndryshonin situatën e tyre. Racizmi strukturor kontribuoi gjithashtu në faktin se ishin kryesisht afrikano-amerikanët dhe latinët ata që qëndruan prapa në lagjet e pafavorizuara shoqërore dhe të lëna pas dore.
“Në atë kohë qyteti i New Yorkut ishte pothuajse i falimentuar. Nuk kishte asgjë për të bërë atje për fëmijët”, kujton Cindy Campell në një video të krijuar nga shtëpia e ankandit “Christie’s”, e cila po mban një ankand special për të shënuar 50-vjetorin e themelimit të hip-hopit.
Në atë kohë, Campbell ishte në shkollë të mesme dhe, për të blerë rroba për vitin e ri shkollor, vendosi të organizonte një festë. Hyrja për djemtë ishte 50 centë, ndërsa vajzat paguanin 25 centë, sipas fletushkave për “DJ Kool Herc Party”.
Kështu, më 11 gusht 1973, DJ Kool Herc i tërhoqi zvarrë instrumentet e tij – të përbëra nga dy tavolina rrotulluese, një miksetë, një përforcues dhe një grup altoparlantësh – në një dhomë të ndërtesës së banimit në “Sedgwick Avenue” në Bronx.
Era e marihuanës ishte në ajër. Basi pomponte dhe shpërthente nëpër turmën e djersitur teksa ata kërcenin dhe festonin në dhomën e errët. Miku i DJ Herc, Coke La Rock, kapi mikrofonin, përshëndeti të ftuarit dhe filloi të këndonte rep.
Më vonë kjo i dha atij reputacion si “MC” i parë (Mjeshtër i ceremonive).
Erdhën rreth 50 veta, miq dhe të rinj të lagjes. Ata përjetuan festën e parë hip-hop në histori, përpara se të ishin krijuar termat si hip-hop ose rap.
Puna e Dj nuk ishte asgjë e veçantë, dhe as këndimi rep nuk ishte diçka e re. Në vitin 1968, komediani amerikan Pigmeat Markham kishte publikuar këngën “Here Comes the Judge”, me plot rima.
Ajo që ishte revolucionare në teknikën e DJ Kool Herc ishte se ai krijoi këngë të reja duke përdorur pjesë instrumentale të këngëve të tjera së bashku edhe më ndërhyrjen e tingujve të baterisë dhe basit. Meqenëse pauzat lirike janë shpesh shumë të shkurtra, për të zgjatur fragmentet, DJ Kool Herc thjesht përdori një kopje të dytë të të njëjtit incizim, në një tjetër gramafon, duke i përsëritur vazhdimisht. Ai e quajti këtë teknikë “gëlltitje” dhe në këtë mënyrë, përmes pauzave, zhvilloi një tingull të ri, jashtëzakonisht nxitës për të vallëzuar.
Nga këtu vjen edhe termi ‘breakdancer’, i cili u referohet atyre që kërcejnë me muzikën e krijuar nga pauzat.
DJ Kool Herc kishte përzier stile të ndryshme muzikore në performancat e tij. Ai nuk do të tregonte se cilat disqe po përdorte, për t’u siguruar që njerëzit të vazhdonin të vinin në festat e tij.
Pasionin për muzikën e trashëgoi nga babai i tij, i cili ishte koleksionist i zjarrtë i disqeve dhe kishte në shtëpi disqe xhazi, gospel dhe country. DJ Kool Herc ishte gjithashtu i interesuar për soul, si dhe për muzikën moderne disko. Ai ishte gjithmonë në kërkim të tingujve, nga të cilët mund të krijonte një ritëm – bazë për këngë të mira hip-hop.
DJ kishte ndezur fishekzjarrë në tavolinat rrotulluese dhe fjala u përhap shpejt në Bronx. Të gjithë vinin në festat e Herc, kujton reperi Coke La Rock në serinë e dokumentarëve të Netflixit, “Hip-Hop Evolution”: “vrasës, hajdutë, kërcimtarë dhe njerëz normalë erdhën të gjithë në ngjarjet, të cilat, kur sallat u bënë shumë të vogla, u zhvendosën përfundimisht në rrugë dhe parqe”.
Në vitet 1970, festat në bllok ishin diçka e rregullt në qytetin e Nju- Jorkut. Llambat e rrugëve shpesh merreshin për të furnizuar sistemin muzikor me energji elektrike.
Për t’u dalluar si DJ, duhej të ishe i zhurmshëm, dhe DJ Kool Herc kishte altoparlantët më të mëdhenj dhe më të zhurmshëm në lagje.
Hip-hop – më shumë sesa një zhanër muzike
Që në fillim, hip-hop-i nuk ishte thjesht një zhanër muzikor, por një kulturë e tërë, që përfshin DJ, rap, Breakdance, grafit dhe njohuri. Gjithçka u bashkua në festat e DJ Kool Herc. Vetëm një arsye më shumë që festa legjendare në “Sedgwick Avenue” konsiderohet si lindja e hip-hopit.
Kushdo që dëshironte të dëgjonte hip-hop duhej të vinte në festat e bllokut, sepse në mesin e viteve 1970 albumet hip-hop nuk ishin në dispozicion për shitje dhe as në radio.
Vetëm në vitin 1979, “Rapper’s Delight” dhe “The Sugarhill Gang “u bë kënga e parë hip-hop që hyri në toplistat amerikane. Është një këngë që tani konsiderohet klasike, ashtu si “The Message” nga Grandmaster “Flash & The Furious Five”, e cila doli në vitin 1982 dhe tregon për jetën në geton e Nju-Jorkut.
“Hip-hop ka qenë “Zëri i të Pazëve”, historia e komuniteteve të margjinalizuara, ku njerëzit mund të tregojnë histori për pabarazitë sociale që po ndodhin në komunitete me ngjyrë të zezë dhe kafe. Jo vetëm këtu në Amerikë, por në mbarë botën”, ka thënë në një video promovuese për hapjen e planifikuar të muzeut në 2024, drejtori i “Muzeut Universal Hip-Hop” në Nju-Jork, Rocky Bucano.
Në një video të serisë në web “Historia e zezë në dy minuta”, regjisorja Ava DuVernay e quajti hip-hop-in “CNN-ja e komunitetit të zezakëve”, sepse raporton në mënyrë poetike për gjithçka që njerëzit e zinj përjetojnë në jetën e përditshme.
Nga rrugica në ekranet televizive
Shumë reperë amerikanë që kanë arritur në krye, nuk vijnë nga klasa e mesme, por nga shtresa e varfër ku filloi hip-hopi.
Duke kaluar nga subkultura në ekranet televizive, hip-hopi është tani një nga zhanret më të njohura të muzikës në botë, me superyje, si: Tupac, The Notorious B.I.G., LL Cool J, Public Enemy, The Beastie Boys, Wu-Tang Clan, Timbaland , Jay-Z, Dr. Dre, Nas, Eminem, Nicki Minaj, Lil Wayne, Drake, Missy Elliott, Snoop Dogg, Kendrick Lamar e të tjerë.
Nga Shtetet e Bashkuara, kultura hip-hop është përhapur në mbarë botën, duke ndikuar në muzikë, modë, film, reklamë dhe art.
Në Gjermani, ku me kalimin e kohës është zhvilluar edhe një skenë hip-hopi me tendenca të ndryshme, hip-hopi është vërtet një kulturë politike: në vitin 2017, madje u krijua një parti politike hip-hopi. Ajo ende nuk ka hyrë në Parlamentin gjerman.
(Marrë nga DW, përktheu Mirjetë Sadiku)