Sot, në mesin e toksitetit politik dhe shpesh e perceptuar vetëm si një vend populli i të cilit emigron, Shqipëria është e pasur me art dhe histori, siç është paraqitur në pikturat e piktorit të madh të peizazheve, Vangjush Mio
Shqipëria aktualisht po përjeton tensione politike. Më 9 dhjetor, Partia Demokratike e Shqipërisë, nën drejtimin e Lulzim Bashës, iu drejtua Gjykatës Kushtetuese të vendit për të kontestuar marrëveshjen e migrimit të nënshkruar nga Edi Rama dhe Giorgia Meloni. Frontex njofton se nuk do ta ndihmojë Italinë në rikthimet në Shqipëri. Çështja është komplekse.
Në kujtesën evropiane, Shqipëria shpesh lidhet me emigrimin dhe është e vështirë të harrohet vala e madhe e emigrantëve në Itali, më 8 gusht të 1991-s, në portin e Barit. Ishte një ngjarje kryesore në rebelimin e popullit shqiptar. Megjithatë, Shqipëria nuk është vetëm një vend migrimi, por një tokë e pasur me art dhe histori, siç është portretizuar edhe nga artisti Vangjush Mio.
“Poeti i peizazhit shqiptar”, “Impresionisti i parë dhe i vetëm shqiptar”, “Pionier i dritës dhe pikturës”, “Iniciuesi i artit modern në Shqipëri”, janë epitetet e lavdërimet e ndryshme të adresuara për nder të piktorit më të njohur realist të shekullit XX.
Vangjush Mio u lind në Korçë në 1891, një qytet kufitar mes Greqisë dhe Maqedonisë, i njohur si Parisi i Vogël i Shqipërisë, në një familje modeste. Në moshë shumë të re, tok me vëllanë e tij u larguan për në Bukuresht. Atje, më 1915, nisi studimet në Universitetin Kombëtar të Arteve, para se të shkonte në Romë në vitin 1920 për t’i vazhduar ato në Akademinë Mbretërore të San Lucas. I magjepsur thellë nga piktura impresioniste italiane e Silvestro Legas, Giovanni Fattoriit, Telemaco Signorit – i njohur si Macchiaioli – Mio filloi të studiojë sekretet e tyre, përdorimin e ngjyrave dhe sintaksën e tyre. Megjithatë, shumë shpejt Mio u detyrua të kthehej në Shqipëri. Për fat të keq, jeta e artistit në kryeqytet kërkonte shumë përpjekje, sidomos financiare. Ai pranoi një pozitë në Shkollën Franceze në Korçë si mësues i artit. Kjo shkollë prestigjioze jo vetëm e shpërbleu Mion ekonomikisht, por mbi të gjitha, me prestigjin që vinte nga roli i saj. Ndër studentët e tij ishte edhe Enver Hoxha, një politikan i shquar i Partisë Komuniste, që më vonë u bë udhëheqësi i Shqipërisë. Falë kësaj pune dhe pozicionit që ai mbajti, artisti u kthye në Itali më 1924 për t’u diplomuar me një bursë qeveritare. Sidoqoftë, Shqipëria mbeti dashuria e tij më e madhe, dhe pasi mbaroi studimet e disa rrugëtime të tjera, Vangjush Mio u kthye në atdheun e tij.
Përdorimi i fotografisë u bë i domosdoshëm për të; teknikat i mësoi nga miku i tij, fotografi Kristaq Sotiri. Gjithçka ishte thelbësore në mënyrë që çdo detaj i atdheut të tij të mund të paraqitej pa lënë asgjë mangët përmes penelit të tij. Format, hijet, tonet – gjithçka ishte vendimtare, gjithçka ishte jashtëzakonisht e vërtetë dhe komplekse në thjeshtësinë e saj.
Për Mion, Shqipëria është një vend i veçantë për të – jo vetëm për rrugëtimin e tij artistik, por për historinë, peizazhin, të shkuarën e largët dhe të tashmen e një vendi me një mijë bukuri, ndoshta shumë lehtësisht të harruara. Ai e pikturon atë në çdo cep, siç do të pikturonte një muzë. Ngjyrat, deti, kishat, kodrat, banorët – një tokë për t’u lutur për të, për ta zbuluar, për ta kapur bukurinë e saj.
Midis natyrës së virgjër, Manastiri i Shën Naumit ngre kokën. Në stil bizantin, Manastiri duket se po mbikëqyr Liqenin e Ohrit. Ai i përkiste Shqipërisë derisa Mbreti Zog i Shqipërisë, në vitin 1925, vendosi t’ia dhuronte Jugosllavisë si një shenjë mirënjohjeje për ndihmën e tyre në rikthimin në pushtet. Pakënaqësia midis shqiptarëve ishte aq e fortë sa Mio, më 1941, e zgjodhi atë si temë, sikur ta mbante pranë, për popullin e tij.
Perspektiva është intriguese. Manastiri duket pothuajse si një zbukurim, një ornament arkitekturor që përshkon një rrugë të bardhë ku një djalë qëndron i përqendruar në leximet e tij. E bardha kaplon skenën; gjithçka përhumbet, por në pjesën e sipërme të veprës, hija e vetë Manastirit drejton vëmendjen e shikuesit përsëri te vetë objekti. Mio e transformon teknikën piktoreske në realitet. Është pothuajse si të ndjenim ngrohtësinë e diellit, cicërimën e zogjve, zhurmën e erës. “Impresioni” bëhet i tiji. Vangjushi e donte udhëtimin, veprat e tij janë ekspozuar në Itali, veçanërisht në Venecie, ku ai mori pjesë në Bienalen e famshme më 1923. Arti i tij arriti edhe në Lindjen e Mesme dhe atë të Largët, Rumani dhe në Bienalen e Aleksandrisë. Megjithatë, ai donte të eksploronte Shqipërinë e tij. Ndaloi në Berat, në pjesën jugore të vendit, dhe pikturoi një hapësirë të një qyteti që tani është trashëgimi botërore e UNESCO-s. Një sintezë e kombinimeve midis Perëndimit dhe Lindjes, ndarë nga lumi i Osumit, Mio zgjodhi anën më të thjeshtë, më “mesdhetare” të Beratit. Jep përshtypjen e një qyteti të vogël në Puglia, bregdeti i të cilit nuk është larg – vegjetacioni i dendur dhe i çakorduar, rrugët me kalldrëm dhe e bardha që sërish ofron perspektivën. Një grua teksa largohet nga qendra e pikturës. E përshkruar me kokë të mbuluar, e veshur në të zeza, veshje tipike e kulturës shqiptare. Perspektiva është studiuar gjithmonë me kujdes; asgjë nuk i lihet rastësisë e teknika i shton thellësi poetike veprës.
Në Korçë, qyteti i tij, në një rezidencë tipike otomane, qëndron muzeu “Vangjush Mio”, tempulli i tij. Çdo gjë është e ruajtur me kujdes të jashtëzakonshëm. Veprat e tij ende në këmbalec, mure të zbukuruara me peizazhe dhe natyra të vdekura, portrete të tija, vepra nudo të tijat. Dyer të drurit, parket i drunjtë. Shtëpia e tij, arti i tij.
Për Vangjush Mion, Shqipëria ka qenë burimi më i madh i inspirimit, muza e tij, mundësia e tij artistike. Një piktor relativisht i panjohur, një “niche-artist” që paraqet bukurinë e vendit të tij për publikun e gjerë.
Marrë nga “Domus”. Përktheu: Enis Bytyqi/koha/