Search
Close this search box.

Shtatori artistik – Almanart sugjeron aktivitetet e javës në Tiranë, Gjirokastër, Elbasan, Korçë, Shkodër, Vlorë e Durrës

Nisja e shtatorit shënon dhe rinisjen e jetës kulturore kryesisht në kryeqytet dhe në qytetet e tjera, ku fokusi është teatri, festivalet e filmave, koncertet apo dhe ekspozitat e ndryshme.

Kryeqyteti

Kjo është Java Kulturore Hungareze dhe do të mbahen disa aktivitete përgjatë datave 2-6 shtator, si ekspozita, koncerte apo dhe workshope. Më datën 2 shtator do të mbahet koncert i grupit “Szinvavölgyi Néptáncműhely” te sheshi “Italia”, në orën 19:00. Gjithashtu në datën 3 shtator, në orën 20:00 do të mbahet koncert nga grupi “Bohemian Betyars” te sheshi “Italia”, krahas aktivitetit “Chess, Jazz & Rubik Cube” që do të mbahet te Piramida, në datat 3 dhe 5 shtator. Më 2 deri 6 shtator, në ambjentet e Piramidës hapet ekspozita me punime në xham e artistes hungareze Yvette Botz, në orën 10:00, e cila do të shoqërohet dhe me një workshop për punimet me qelq me Yvette Botz dhe Joana Dhiamandi në datën 3 shtator në orën 17:00.

Gjithashtu kjo javë shënon nisjen e “Tirana European Young Film Festival” në edicionin e dytë. Ky festival filmi do të mbahet gjatë datave 5-10 shtator pranë Qendrës së Artit “Agimi”, Kinemaja “Maks Velo” në Laprakë dhe Piramida. Për më shumë informacione mund të lexoni në https://almanart.al/tirana-european-youth-film-festival-ne-edicionin-e-dyte-filmat-konkurrues/

Gjithashtu në këtë javë, nisin shfaqjet e teatrit, ku do të nisë dhe Festivali i teatrit për të rinj “Hapat” ku do të jepet shfaqja “Marmelladov” nga F.Dostojevsky me regjinë e Xhino Musollarit pranë Teatrit të Metropolit në datat 4-8 shtator, në orën 20:00.

Kjo javë shënon hapjen e 4 ekspozitave të reja, përkatësisht ekspozita “90+” nga piktori elbasanas Çlirim Çeka te Galeria “Fab” përgjatë datave 2-6 shtator; ekspozita “As we move deeper in time: Persistent landscape” me video instalacione nga disa artistë ndërkombëtarë te Galeria “Zeta” në datat 4-18 shtator; ekspozita fotografike “Poezia pamore mbi fotografinë sociale” te Galeria “G.O.C.A.T” pranë Piramidës, me fotografë shqiptarë dhe ndërkombëtarë përgjatë datave 3-8 shtator dhe ekspozita “Nëpër gjurmët e Tasos” te COD Kryeministri në datat 5 shtator-3 tetor nga artisti Anastas Kostandini (Taso).

Do të mbahet dhe Festivali “Shqip Hop” me këngëtarë të famshëm të rrymës “Hip-Hop” me “Rich the Kid” dhe shumë artistë vendas, më 5 shtator pranë parkut “Europa” në qendër të kryeqytetit.

Gjithashtu studiuesja e artit Nea Tandini do të zhvillojë një leksion të hapur me temën “Rivalitete të hidhura (por edhe të ëmbla) – Rivalitete artistike që kanë formësuar kryeveprat më të njohura të historisë së artit botëror”, më 5 shtator, ora 19:30 pranë “Destil Creative Hub”. Gjithashtu në datën 4 shtator në orën 20:30, pranë Vila “Shijaku” do të zhvillohet performanca artistike muzikore “Ekuilibër” nga Erdit Asllanaj dhe Denada Kardhashi.

Gjirokastër do të mbahet “Check in Fest” përgjatë datave 6-8 shtator në 2 mbrëmje festive me muzikë rock dhe moderne. Për më shumë lexoni këtu https://almanart.al/check-in-fest-5-gjera-qe-mund-te-beni-ne-gjirokaster-ja-cfare-pritet-te-ndodhe-ne-qytetin-e-gurte-me-6-8-shtator/

Elbasan në kuadër të Javës Kulturore Hungareze do të mbahet ekspozita nga artisti i artit modern Péter Vanicsek në Muzeun Etnografik përgjatë datave 2-6 shtator.

Korçë, do të mbahet deri më 4 shtator Festivali i Teatrit “Koko Fest” me pjesëmarrjen e trupave teatrore shqiptare dhe nga trevat. Gjithashtu do të nisë dhe Java Kulturore Holandeze me eventin “Van Gogh immersive experience – Silent Disco” me Dj NRoxanne e ftuar speciale nga Holanda dhe DJ Bedi Pojani më 7 shtator, ora 20:00 pranë “Galerisë së Arteve Digjitale” në këtë qytet.

Shkodër, përgjatë datave 7 dhe 8 shtator do të mbahet “Ritual Piano Improvisation Festival”me drejtues Robert Bisha pranë Teatrit “Migjeni”. Do të interpretojnë 2 pianistë Vincenzo Furio dhe Kaja Draksler për publikun shqiptar. Gjithashtu vijon të jetë e hapur ekspozita “Vëllezërit Kodheli dhe Kolë Idromeno” te Muzeu i Fotografisë “Marubi” Shkodër deri në fillim të muajit nëntor. Gjatë kësaj jave do të hapet dhe ekspozita “Të ndjesh pamjen” nga Besim Tula pranë “Galerisë së Arteve” Shkodër.

Vlorë do të zhvillohet “Varg Festival” me biseda me shkrimtarë e përkthyes në datën 2 shtator pranë “Muzeut të Pavarësisë” Vlorë. Gjithashtu në Dhërmi do të mbahet “ION Festival” me DJ të ndryshëm që do të luajnë në disa skena dhe do të ketë ndërthurje me aktivitete të çlodhjes e rekreative përgjatë datave 6-11 shtator. Pranë “Galerisë së Bregdetit” në Radhimë vijon të jetë e hapur ekspozita ““Variations in the Rhythm of Waves” deri më 21 shtator 2024.

Durrës do të zhvillohet “Jazz Poetry Night” me muzikë live, interpretim të poezive nga Alesio Hysenaj pranë “Bridge Bar” me 4 shtator në orën 21:00.

Për këto dhe më shumë na ndiqni vetëm te “Almanart”, informacioni artistik vetëm me 1 click.

Almanart