Si e rrëfenin jetën e tyre përmes artit, nga Elvis Presley, Bethoven, Artur Miller dhe Kafka

Abigail Jareño Gómez*

Mund të keni menduar shpesh se çfarë ka kaluar në mendjen e një autori, artisti apo kompozitori kur ka krijuar një vepër të caktuar. Nuk jeni të vetmit.

Në botën e psikologjisë, psikobiografia po bëhet gjithnjë e më e vlefshme. Mund të përkufizohet si përdorimi efikas i teorisë psikologjike për ta kthyer jetën e një subjekti në një histori koherente dhe ndriçuese. Kjo metodë kërkimore tradicionalisht ka bërë subjekt të saj politikanët, liderët e lëvizjeve shoqërore dhe artistët.

Përsa i përket artistëve, psikobiografët zbulojnë dhe analizojnë evolucionin e personalitetit të tyre me kalimin e kohës dhe marrëdhënien midis kësaj dhe punës së tyre. Ata madje marrin në konsideratë se si një artist i shpreh potencialisht konfliktet e tij të brendshme përmes artit.

Arthur Miller dhe Marilyn Monroe

Psikobiografi i njohur James W. Anderson, i cili studioi artistë dhe psikologë gjatë gjithë karrierës së tij, botoi disa vepra mbi Arthur Miller (1915-2005).

Në artikullin e tij, “Psikologjia e krijimtarisë artistike: Me referencë për Arthur Miller dhe “The Crucible”, ai tregoi se dramaturgu e dinte mirë barrën personale që kishte vendosur në punën e tij.

Vepra e tij e famshme, “The Crucible”, tregon një histori që ndodh gjatë gjyqeve të shekullit XVII për gratë e akuzuara për magji në Salem, Massachusetts. Miller përdori komplotin e tregimit për të përcjellë frikën dhe përvojat e tij gjatë McCarth-izmit. Ky persekutim, i udhëhequr nga senatori Joseph McCarthy në vitet 1950 në Shtetet e Bashkuara, pa të gjykuar, arrestuar dhe refuzuar publikisht njerëz të akuzuar si komunistë.

Përveç kontekstit të rrëfimit, Miller deklaroi se thelbi i shfaqjes ishte faji që John Proctor, protagonisti i The Crucible, ndiente në jetën e tij private. Në fillim të fabulës, Proctor ka një lidhje me Abigail, shërbëtoren e tij të re. Abigail, e fiksuar pas Proctor, akuzon gruan e tij se është shtrigë. Pra, afera e tij është arsyeja e gjyqit të gruas së tij. Duke qenë se nuk kishte akuza për komunizëm në jetën e Millerit, megjithatë kishte paralele midis temave sentimentale të protagonistit të tregimit dhe situatës së Millerit.

Në atë kohë, Miller, i cili ishte i martuar, sapo ishte takuar me Marilyn Monroe dhe ishte magjepsur nga aktorja. Këto ndjenja e bënë atë të ndihej si një tradhtar i vërtetë ndaj gruas së tij, dhe megjithëse u përpoq të harronte Monroe, ai përfundimisht u divorcua nga gruaja dhe u martua me të.

Edhe Kafka ishte një bir

Ndërsa lexon “Procesin” e Kafkës, është logjike të mendosh se duhet të ketë një lloj konflikti të ngjashëm në jetën reale të shkrimtarit. Kjo është ajo që mbështet psikobiografi Todd Schultz në artikullin e tij “Pas maskave”. Në tregim, një baba dënon ashpër të birin me vdekje duke e mbytur, një dëshirë që i biri ia plotëson duke u hedhur në lumë.

Në letrën drejtuar babait të tij, botuar disa vite më vonë, Kafka e qorton atë pikërisht për abuzimin emocional që pësoi, ndër të tjera. Autori e krahason veten me një parazit, duke e bërë të qartë se si e bëri të ndihej babai i tij.

Kjo, nga ana tjetër, lidhet me veprën e tij të madhe “Metamorfoza”, në të cilën protagonisti shndërrohet papritur në një insekt, duke u bërë papritur i paaftë për të komunikuar me atë që e rrethon.

Vetmia e Elvisit

Elvis Presley performoi kryesisht kompozime muzikore të të tjerëve. Edhe pse ai nuk i shkruante këngët që regjistronte, ndonjëherë i përshtaste ato ekzistuese për t’iu përshtatur qëllimeve të tij dhe modifikonte fjalë, fraza dhe vargje të tëra të disa teksteve.

Në kapitullin me titull “Twelve Ways to Say “Lonesome”: Assessing Error and Control in the Music of Elvis Presley“ në Manualin e Psikobiografisë, Alan Elms dhe Bruce Heller analizojnë interpretimin e këngës “Are You Lonesome Tonight?”.

Elvisi shpeshherë e “shkatërronte” këtë këngë gjatë performancave, pavarësisht nëse donte apo jo. Zakonisht e bënte këtë duke bërë gabime në tekst ose duke qeshur teksa këndonte. Në versionin e fundit live, ai ishte në prag të dorëzimit të plotë dhe arriti në fund të saj me shumë vështirësi.

Pas analizimit të performancave të ndryshme live të “Are You Lonesome Tonight?”, Elms dhe Heller zbuluan se Elvis bënte shumë gabime teksa interpretonte pjesë të këngës, ku teksti shprehte humbjen e kontrollit dhe dobësinë. Megjithatë, kur mesazhi nënkuptonte kontroll dhe fuqi, gabimet ishin dukshëm më të pakta.

Me fjalë të tjera, gabimet që bëri Elvisi dukej se kishin një shpjegim psikologjik pas tyre: Elvis po mbronte veten. Këngëtari gjatë gjithë jetës e ka pasur shumë frikë vetminë dhe kjo e ka vështirësuar performancën e këngës.

Bethoveni dhe vdekja

Në kërkimin tim psikobiografik mbi figurën e Ludwig van Beethoven (1770-1827), ishte shumë e vështirë të gjeja një transferim të qartë të historisë personale në veprën e tij.

Beethoven vuante nga disa sëmundje, ca më serioze se të tjerat. Edhe pse u përball me to në mënyrë stoike, në një rast ai besoi se po vdiste. Ai ndjeu se kishte ende shumë për t’i ofruar botës dhe se nuk mund të largohej.

Kur e mori veten sërish, i frymëzuar nga kjo përvojë, ai kompozoi një nga pjesët më të bukura të të gjithë koleksionit të tij të veprave: pjesën e tretë të kuartetit të harqeve nr. 15 në minor, të cilin e quajti Heiliger Dankgesang eines Genesenen an der Gottheit, në der Lydischen Tonart, përkthyer si “Kënga e Shenjtë e Falënderimeve nga një i sëmurë për një Hyjni.

Bazuar në përvojën në fusha të ndryshme, krijuesit, studiuesit dhe psikobiografët flasin për njëfarë  pamundësie për të ndarë atë që është, çfarë vuan, çfarë dëshiron dhe çfarë mbetet në veprat artistike.

Reflektimi, megjithatë, nuk është gjithmonë aq i drejtpërdrejtë apo i qartë, por ndonjëherë më simbolik ose metaforik. Dhe sigurisht, jo të gjithë artistët janë të vetëdijshëm se po e bëjnë këtë.

*Profesore e Psikologjisë, CEU San Pablo UniversityThe Conversation / 

Almanart