Angellica Villa
Historia e artit perëndimor mund të mos kishte qenë e njëjtë pa Sandro Botticelli-n. Duke pasur pjesëtarët e familjes me ndikim Medici si klientët e tij kryesorë, Botticelli mori shumë porosi të profilit të lartë, disa prej të cilave konsiderohen si arritjet më të mira të lëvizjes së Rilindjes. Gjatë gjithë gjysmës së dytë të shekullit XV, ai prodhoi portrete laike të elitës fiorentine, si dhe skena fetare dhe mitologjike që përcaktuan një epokë të re arritjesh artistike.
Karriera e hershme
I lindur në Firence rreth viteve 1444–45, Alessandro di Mariano di Vanni Filipepi, i njohur edhe si Sandro Botticelli, vinte nga një familje e thjeshtë. Babai i tij, një regjës lëkurësh, e çoi Sandron të mësonte zanatin te një argjendar. Por preferenca e Botticelli-t për pikturën do ta çonte atë në fazën e parë të karrierës së tij artistike, ndërsa ishte ende adoleshent. Në fund të viteve 1450, ai hyri në studion e artistit Fra Filippo Lippi, figurat ekspresive dhe nuancat e zbehta të të cilit ndikuan në veprat e Botticellit shumë më vonë. Botticelli studioi edhe me piktorë të tjerë të njohur të Rilindjes si Antonio Pollaiuolo dhe Andrea del Verrochio, skulpturat e të cilëve e vinin theksin te anatomia njerëzore në një mënyrë që do të shfaqej më vonë në punët e Botticellit.
Familja Medici vijoi ta ndihmonte Botticelli-n për të ngritur reputacionin e tij. Nga mesi i shekullit XV, ndikimi politik dhe financiar i familjes Medici në Republikën e Firences e kishte shndërruar këtë familje në autoritet de facto të rajonit. Ylli i Botticelli-t u ngrit në qiellin e kohës paralelisht me mbretërimin e Lorenzos së Madhërishëm, i cili kultivoi një rreth elitar studiuesish humanistë, patronësh arti dhe bankierësh.
Familja do të vazhdonte të merrte pjesë në krijimin e një prej kryeveprave më të hershme të Botticelli-t, “Adhurimi i Magëve” (1475–76), e cila u porosit për altarin Gaspare di Zanobi del Lama në kishën e Santa Maria Novella. Me një pamje ballore të skenës fetare, piktura ka portrete të tre magjistarëve, fytyrat e të cilëve bazohen në ato të anëtarëve të familjes Medici. Piktura përfshin edhe një portret të autorit në ekstremin e djathtë përballë shikuesit – një gjest ndaj lidhjeve të tij me familjen politike. Pas komplotit Pazzi në 1478, i cili rezultoi në vrasjen e Giuliano de’ Medici, Botticelli u ngarkua të pikturonte një portret përkujtimor të udhëheqësit të ndjerë mbi Porta della Dogana në Firence.
Një porosi prestigjioze: Kapela Sistine
Në librin e tij historik të vitit 1550 “Jetët e piktorëve, skulptorëve dhe arkitektëve më të shkëlqyer”, historiani i artit Giorgio Vasari përfshin një rrëfim të karrierës së hershme të Botticelli-t, duke u fokusuar në periudhën përpara se artisti të merrte porositë e pikturës për kishat fiorentine, që e bënë të famshëm. Siç tregon Vasari, në 1470, Botticelli krijoi punëtorinë e tij dhe deri në vitin 1480, ai kishte arritur kulmin e karrierës. Në 1481, së bashku me artistët Domenico Ghirlandaio, Cosimo Rosselli, Pietro Perugino dhe të tjerë, Botticelli ishte ndër disa piktorë italianë të punësuar për të dekoruar Kapelën Sistine, të porositur nga Papa Sixtus IV. Kjo ishte produkt i diplomacisë së Lorenzo de Medici, të cilin disa historianë e kanë përshkruar si një përpjekje e këtij burri shteti për të siguruar një aleancë me Papën. E pozicionuar përballë fronit papnor, piktura e Botticelli, “Tundimi i Krishtit”, portretizon triumfin e Krishtit mbi Satanain e maskuar, siç përshkruhet në Ungjillin e Mateut. Ashtu si në pikturat e tij të tjera fetare, Botticelli i bën homazhe mbrojtësit të tij. Në pjesën e sipërme majtas të skenës është një pyll i mbushur me pemë lisi, i cili u lexua si simbol i familjes së fuqishme Della Rovere, së cilës i përkiste Papa Sixtus IV. Në qendër, tempulli i Jeruzalemit është pikturuar si fasada e kapelës së Santa Maria në Traspontina të Kishës së Santo Spirito në Sassia në Romë, një shenjë për projektin e rinovimit të kishës së Papës në 1475.
Skenat mitologjike
Gjatë viteve 1480 dhe ‘90, ndërsa artistët e Rilindjes u bënë të njohur, Botticelli prodhoi dy nga veprat e tij më të famshme: “Pranvera” (rreth 1480) dhe “Lindja e Venusit” (rreth 1485). Të dyja paraqesin subjekte mitologjike që mishërojnë vlerat e Italisë në atë kohë. Shumë prej këtyre besimeve rrjedhin nga humanizmi, një lëvizje intelektuale që e vuri theksin në letërsinë klasike, filozofinë dhe shkencën me shpresën për të ecur drejt një forme më të pastër të krishterimit. Duke marrë ide nga imazhet e prodhuara nga artistët e lashtë grekë, “Lindja e Venusit” vë në qendër një figurë femërore të modeluar sipas skulpturës Venus pudica. Piktura e tregon perëndeshën duke mbërritur në bregun e Cythera mes valëve dhe luleve që qëndrojnë në ajër. Shumë nga figurat e Botticelli-t kanë trupa të natyrshëm, me pamje anatomikisht korrekte, por këtu, autori zgjedh ta paraqesë në një mënyrë tjetër, duke zgjatur paksa gjoksin e Venusit dhe duke e përdorur formën e saj për të bërë më ekspresive.
Diku rreth vitit 1482, Botticelli përfundoi skenën alegorike “Pranvera”, e cila besohet të jetë porositur nga Lorenzo di Pierfrancesco de’ Medici (kushëri i politikanit dhe mbrojtësit kryesor të artit) me rastin e martesës së tij me Semiramide Appiani në maj të atij viti. Këtu, figurat e Botticelli-t janë frymëzuar nga “De Rerum Natura” e poetit klasik Lucretius dhe kalendari romak i festivalit “Fasti” të Ovidit. Afërdita është sërish figura qendrore në këtë vepër, duke përfaqësuar martesën dhe pjellorinë; djali i saj Kupidi tregohet me sy të lidhur ndërsa i drejton shigjetën e dëshirës Tre Hireve, të cilat janë simbole të virtyteve: Dlirësia, Bukuria dhe Dashuria. Në anën e majtë të pikturës, Mërkuri largon retë e dimrit me shkopin e tij për t’i bërë vend fillimit të pranverës, dhe në të djathtë të pikturës Zephyrus, era e perëndimit, ndjek Klorisin, duke iniciuar transformimin e saj në Flora, perëndesha e pranverës. Piktura bashkon trope që rrjedhin nga piktura fetare gotike me idetë klasike të preferuara nga humanistët që u përshkuan gjatë Rilindjes së hershme. Siç argumenton studiuesi Lilian Zirpolo në “Pranvera e Botticellit: Një mësim për nusen”, vepra mund të ketë pasur për qëllim të udhëzojë një nuse të familjes Medici për rolin e gruas në martesë. Të dyja pikturat mbahen aktualisht në Galerinë Uffizi në Firence, ku janë dy ndër atraksionet kryesore të muzeut.
Portreti laik
Edhe pse punët e frymëzuara nga mitologjia janë ndër më të njohurat e veprës së tij, Botticelli realizoi disa portrete me një figurë, ndërsa ky zhanër po zinte vend në Evropën Veriore. Dihen vetëm tetë portrete të artistit, shumica e tyre kanë qenë në koleksione muzeale të ndryshme. Ndër më të njohurit prej tyre është “Djali i Ri me medaljen e Cosimo de’ Medici” (rreth 1474). Duke qenë se piktura flamande u bë e arritshme përmes tregtisë globale, elementët nga kanavaca të saj u adoptuan shpejt nga artistët e hershëm të Rilindjes italiane. Duke pikturuar sipas shpikjes së Hans Memlingut, e cila paraqet një figurë qendrore të vendosur në një peizazh, Botticelli ofron një vështrim në elitën humaniste fiorentine. Figura e rrumbullakët është një emblemë e përdorur në pikturën e portreteve për të kujtuar të vdekurit ose virtytet fetare.
I vendosur në Galerinë Kombëtare të Artit në Uashington, D.C., një shembull tjetër i këtij lloji, një portret i Giuliano de’ Medici (rreth 1478–1480), paraqet vëllain e vogël të Lorencos, të sapovrarë. Një pëllumb në plan të parë dhe një dritare e hapur në pjesën e pasme, secili simbol i vdekjes, mendohet se shenjojnë vdekjen e personazhit. Botticelli gjithashtu theu rregullat, duke i shtyrë më tej kufijtë e zhanrit edhe një herë me “Portretin e një të riu” (1480), tani në pronësi të Galerisë Kombëtare në Londër. Në këtë foto, subjekti rinor tregohet kokë lart, i shihet e gjithë fytyra – një devijim nga kompozimi i zakonshëm i portreteve italiane të epokës, të cilat shfaqnin persona të ulur paksa larg shikuesit, me fytyrat pjesërisht të padukshme.
Subjekte të devotshme
“Pranvera” dhe “Lindja e Venusit” shpesh konsiderohen kryeveprat e Botticelli-t, por në fakt, artisti prodhoi një vëllim më të madh subjektesh devocioni sesa skena mitologjike. “Lajmërimi i Cestello-s”, të cilin artisti e përfundoi në 1489 për kishën e familjes Guardi në manastirin e Cestello-s, është ndër kryeveprat e tij në këtë drejtim. Skena vendoset në një fshati me bar, një ndikim ky nga peizazhet flamande, piktura, e cila tani është në pronësi të Galerive Uffizi, paraqet episodin biblik në të cilin kryeengjëlli Gabriel zbret nga parajsa për t’i thënë Virgjëreshës Mari se do mbajë fëmijën e Zotit. Botticelli thekson dramën e momentit, duke e shfaqur çdo figurë në lëvizje.
Një tjetër skenë fetare me rëndësi kyçe në veprën e Botticelli-t, kjo e bërë në format rrethor të njohur si tondo, është Madona e Magnificat-it, në të cilën Virgjëresha Mari shkruan Magnificat-in, një himn i krishterë në një libër të hapur, me Krishtin e mitur në prehër, ndërsa dy engjëj i rrinë mbi kokë. Ata që mbrojnë Botticelli-n mund të ngrihen edhe një herë këtu – disa historianë argumentojnë se Madonna është bërë sipas imazhit të Lucrezia Tornabuoni, gruaja e Piero de’ Medici. Piktura të tilla tani konsiderohen shumë të vlefshme. Në vitin 2013, një tjetër pikturë shumë e njohur me të njëjtin imazh doli në treg. “Rockefeller Madonna”, dikur në pronësi të John D. Rockefeller, Jr., u shit në Christie’s për 10.4 milionë dollarë.
Periudha e vonë
Mes mërgimit të familjes Medici, i cili zgjati deri në vitin 1512 kur familja rimori pushtetin, faza e fundit e jetës së Botticelli-t përkoi me një ndryshim në klimën politike të Firences. Me qytetin që po përjetonte trazira politike, periudha e vonë e karrierës së Botticelli-t u përcaktua nga besnikëria e tij ndaj fratit italian dhe reformatorit fetar, Girolamo Savonarola. Ndërsa ndiqte mësimet moraliste të Savonarolës dhe dënonte gjithnjë e më shumë eksesin fiorentin të kohës, stili i Botticelli-t ndryshoi. Deri në vitin 1500, artisti e përqendroi produktin e tij artistik te devocioni, duke krijuar “Lindjen Mistike” (1500–01), duke bashkuar historinë e lindjes dhe kthimit të Krishtit dhe fundin e botës në një kanavacë. Sipas studiuesve, piktura, e cila tani është në pronësi të Galerisë Kombëtare të Londrës, shënon një rikthim në kornizat e pikturës mesjetare. Sipas Vasarit, puna e Botticelli ishte kundër rrymës gjatë kësaj periudhe, megjithëse të dhëna të tjera bashkëkohore sugjerojnë se Botticelli mbeti një figurë e shquar në Firence, ku vijoi të punonte për degën më të re të familjes Medici deri në 1497. Botticelli vdiq në 1510, ndërsa familja Medici ende nuk ishte rikthyer në pushtet. Që atëherë e tutje, puna e tij kaloi relativisht pa u vënë re derisa në shekullin XIX, kur u rikthye interesi për të. / artnews.com /res/