Më 19 dhjetor të vitit 1959 u shemb Pazari i Vjetër i Tiranës, shkatërrimi i të cilit i la vendin ndërtimit të Pallatit të Kulturës. Dyqanet që prej tri shekujsh ushtronin aktivitetet në atë pazar, nuk u spostuan dhe për ato nuk pati asnjë plan se ku do të zhvendoseshin, shumë pak prej tyre arritën të gjejnë hapësira alternative. Shkatërrimi i tij për komunitetin tiranas ishte një ngjarje e dhimbshme.
Pazari, duke jetuar si qytezë brenda qytetit, funksiononte si hapësira më e madhe publike, si pikëtakim dhe pikë referimi për banorët.
Karakteri tregtar i Pazarit të Vjetër, ku shiteshin nga zejet e bakrit e deri tek të linjat e qëndisura me ar, nuk gjeti vend në Pazarin e Ri, i cili që në gjenezë u konceptua si zgjatim i pazarit, pa pasur si qëllim zëvendësimin e tij. Pazari i Ri, ruajti karakterin e tij fillestar, atë të fruta perimeve dhe markatës së peshkut e mishit.
Pazari i Vjetër i Tiranës i dha qytetit karakterin tregtar përgjatë shekujve. Për gati 300 vjet, pazari u zhvillua si qendra ekonomike e qytetit. Pikëtakimi i ndodhur në kryqëzimet e rrugës së Dibrës, me të Durrësit, të Shkodrës me të Elbasanit, ishte pozicioni më i favorshëm për të zhvilluar tregtinë ndërqytetëse.
Aktiviteti tregtar njohu lavdinë e tij në fund të viteve 1800, kur kapaciteti arriti në 727 dyqane. Çdo rrugë kishte profesionistët e vet, kështu qytetari e dinte ku do të shkonte dhe çfarë do të gjente në secilën prej tyre. Ishte Esat Toptani, që në vitin 1907, ndryshoi “fytyrën” e pazarit, duke i kërkuar tregtarëve të përshtateshin me kohën, duke shtruar fillimisht me kalldrëm rrugicat e pazarit e më pas deri tek vendosja e qepenave modernë në dyer dhe dritare.