Sot çelet ekspozita “The Sun Also Sets” dhe “The Inner Door” nga Anila Rubiku

Instituti Italian të Kulturës Tiranë ka kënaqësinë të bashkëpunojë me ZETA Center for Contemporary Art, Tiranë për prezantimin e The Sun Also Sets, ekspozita e parë vetjake në Shqipëri e Anila Rubikut, e kuruar nga Kari Conte.

E frymëzuar nga poezia e Percy Bysshe Shelley, Ozymandias, 1818, Rubiku reflekton mbi arrogancën e sundimtarëve që përpiqen të përjetësojnë trashëgimitë e tyre në hapësirat publike, vetëm për ta parë madhështinë e vet tek gërryhet me kalimin e kohës. Titulli i ekspozitës bazohet në faktin se edhe pse peizazhet ndryshojnë, dielli gjithmonë do të lindë dhe do të perëndojë mbi to.

Kjo ekspozitë paraqet gjashtëdhjetë vizatime të ndërlikuara, gravura dhe akuarele të Rubikut që dokumentojnë transformimin e peizazheve urbane dhe rurale të Shqipërisë, veçanërisht në Tiranë dhe Durrës. Këto vepra në letër – të krijuara mes viteve 2016-2018 dhe të ekspozuara për herë të parë pranë galerisë Zeta – gjurmojnë një shekull korrupsioni dhe ndryshimi pushtetesh politikë, përmes statujave, monumenteve dhe arkitekturës të lidhura me regjimet e Enver Hoxhës, Joseph Stalinit dhe Vladimir Leninit. Nëpërmjet kërkimeve rigoroze arkivore, Rubiku rindërton historinë e vendeve ikonike si Sheshi Skënderbej dhe ai Liria, të modeluar sipas ndikimeve arkitekturore osmane, italiane dhe sovjetike. Këto vende mbajnë gjurmët e së shkuarës së Shqipërisë, duke pasqyruar çfarë është ruajtur dhe çfarë është fshirë.

Tek The Sun Also Sets,  Rubiku përshkruan simbolet e larta të pushtetit të ndërtuara për të vendosur kontrollin, duke zbuluar se si këto struktura janë po aq kalimtare sa edhe regjimet që simbolizojnë. Puna e saj përqendrohet tek këto vende të kontestuara, ku mbetjet e historisë dhe ideologjive bashkëjetojnë – shpesh shqetëueshëm – me peizazhin. Sot, këto hapësira po ndryshohen nga zhvillimi modern që shpesh favorizon fitimin në vend të ruajtjes së trashëgimisë historike dhe arkeologjike, duke i ndërlikuar edhe më shumë këto vende të ngarkuar me kujtime.

Ekspozita përfshin gjithashtu tre vepra nga The Inner Door, një seri prej afro njëqind qëndisjesh të krijuara gjatë katër viteve të fundit. Këto vepra përshkruajnë dyert abstrakte dhe të gjalla të ndërtesave milaneze që tërhoqën vëmendjen e Rubikut gjatë shëtitjeve të saj nëpër qytet. Në një proces bashkëpunimi, fotografitë e dyerve të artistes u përkthyen me përpikëri në qëndisje nga artizanët e Gurit të Zi në veri të Shqipërisë.

Anila Rubiku (Durrës) është një artiste italiane me origjinë shqiptare, e diplomuar pranë Akademisë së Arteve në Tiranë (1994) dhe Akademisë së Arteve të Bukura në Brera (2000). Aktualisht punon mes Milanos, Torontos dhe Durrësit.

Puna e saj, e lidhur ngushtë me çështjet politike dhe sociale, përdor media të ndryshme: instalacione, skulpturë, qëndisje, gdhendje, pikturë. Në veprat e saj ajo trajton me një qasje poetike dhe ironike çështje që lidhen me pabarazinë gjinore dhe padrejtësinë sociale (Vierzon Biennale, 2022, Bienalja e Havanës, 2019, Bienalja e 5-të e Selanikut, 2015), të cilat prekin çështjet mjedisore (Bienalja e Kievit, 2012) dhe ato të marrëdhënieve. (Salloni i tetorit 56, Beograd, 2016), duke reflektuar mbi kuptimin e të qenit emigrant sot (Bienalja e Venecias, 2011, Muzeu Hammer residence, Los Angeles, 2013) dhe mbi marrëdhëniet mes qytetit dhe demokracisë (Bienalja e Arkitekturës e Venecias. 2008).

Veprat e saj janë të pranishme në koleksione të shumta publike dhe private, ku përmendim: Frac Centre Val De Loire, The National Gallery of Art (Washington DC); Mint Museum (Charlotte NC, USA); Museo di Israele (Gerusalemme); National Museum of Women in the Arts (Washington DC); Deutsche Bank Collection (Londra, UK); Edition 5 Collection (Erstfeld, Svizzera). Për angazhimin e saj social ajo është nderuar me çmim nga Fondacioni për të Drejtat e Njeriut dhe në vitin 2014 nga Revista Foreign Policy dhe Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara.

Kari Conte (Nju Jork). Jeton dhe punon në Nju Jork dhe Turqi.

Ajo është kuratore dhe shkrimtare e fokusuar tek arti bashkëkohor global. Ka kuruar mbi dyzet ekspozita dhe kontribuon rregullisht në libra akademikë, katalogë ekspozitash dhe revista. Është konsulente kuratore për City as a Living Laboratory (Call) dhe Senior Advisor pranë l’International Studio & Curatorial Program (ISCP) në Nju Jork, ku më pare, nga viti 2010 deri në vitin 2020, ka punuar si Drejtore e Programeve dhe Ekspozitave. Gjithashtu është kuratore në rezidencë për Qendrën e Artit Kai në Talin, bashkë-themeluese e Rethinking Residences Fulbright Senior Research Scholar në Stamboll në 2021 dhe 2022.

Si shkrimtare, është e interesuar në kryqëzimin e artit, politikës, ekologjisë dhe feminizmit, si dhe historitë institucionale dhe ekspozitore. Ka botuar Seven Work Balets, monografinë e parë për artisten Mierle Laderman Ukeles (Sternberg Press, 2016) dhe kontribuar në shumë libra të tjerë dhe katalogë ekspozitash.

Përurimi: 30.01.2025 në orën 18:30

ZETA Contemporary Art Center

Ruga: “Abdyl Frasheri”, Nd. 8, H. 7, Ap. 4 – Tiranë

E hapur për publikun: 31.01 – 01.03.2025

Orari nga e hëna në të shtunë: 11:00-19:00

Almanart