GJYQET
29.12.2023 – 24.03.2024
📍Hapja e ekspozitës
E premte 29 dhjetor, 18:00h
Muzeu Marubi në bashkëpunim me Agjencia Telegrafike Shqiptare ka kënaqësinë t’ju ftojnë në ekspozitën “Gjyqet”, e cila vjen si një hulumtim nga kuratorët Zef Paci, Luçjan Bedeni dhe Lek M. Gjeloshi.
E themeluar si Zyra e Parë e Shtypit në Shqipëri në vitin 1920, menjëherë pas Çlirimit, më 29.12.1944, u shndërrua në ATSH (Agjencia Telegrafike Shqiptare) – institucioni i vetëm informativ i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë gjatë diktaturës, me synim përhapjen e informacionit zyrtar mbi veprimtarinë ideologjike, politike, ekonomike, kulturore e shoqërore që zhvillohej në Shqipëri, si dhe mbi ngjarjet politike në botë.
Kjo ekspozitë përdor nga ATSH-ja vetëm imazhet fotografike të një periudhe dhe procesi të posaçëm, duke u mbështetë në një paradoks që flet sa për një kohë të caktuar, aq edhe për fotografinë. Është zgjedhur një periudhë politike (1945-1961), kohë kur diktatura shfaqte hapur qëndrimin e saj agresiv e kërcënues kundrejt personave që kishin një qëndrim ndryshe, duke mbjellë një ndjenjë frike e pasigurie ndaj njerëzve dhe duke rritur pacënueshmërinë e plotfuqinë e saj.
Sot, ky akt regjistrimi fotografik, megjithëse këndi i pamjes mund të ketë qenë vendosë nga direktiva e regjimit, na tregon padyshim edhe një pikëpamje tjetër: nxjerrjen në pah të diçkaje që nuk kishte ndërmend të shfaqte; një gjyq të fotografisë se gjyqeve.