Sot, Korridoret e Poezisë, 19:00, Berk
Më 1962 Ginsberg-u botoi poemën kushtuar së ëmës pas vdekjes, “Kaddish for Naomi Ginsberg” (“Kadish për Naomi Ginsberg-un”), krijimi më i arrirë letrar i tij. Sërish, çmenduria trajtohej gjerësisht në këtë poemë, por ndryshe nga “Howl”. Në të ritregohet shkatërrimi i së ëmës prej sëmundjes së rëndë mendore. Për autorin kjo poemë ishte kaq e dhimbshme, saqë rrallë e lexoi vetë publikisht. “Kaddish” përbën një nga rastet më të hershme dhe më të fuqishme të rrëfimit të skizofrenisë në vetë të parë. Në të shpaloset përmasa njerëzore e Naomi Ginsberg-ut dhe përpjekja e saj për të gjetur kuptim dhe dinjitet, pavarësisht sëmundjes dhe mjekimeve rrënuese.
Më shumë se 60 vjet pas botimit të këtyre poemave dhe përhapjes së tyre anembanë botës, në Ditën Botërore të Poezisë, vlen të shohim një anë pak të trajtuar të poezisë së A. Ginsberg-ut: cilën çmenduri shpalos autori në poezinë e tij, dhe si arrin të jetë kaq çliruese (“Howl”) dhe kaq tronditëse (“Kaddish”)? Si ia doli Ginsberg-u të përdorë çmendurinë përreth e brenda tij, për ta kthyer në poezi të fuqishme, që u bë pikënisje e shpërthimeve kulturore? Dhe, pyetja e përjetshme: a mund të ndahet vepra nga autori?
Këto tema do të trajtojë biseda mes Elsa Demos dhe Sokol Çunga, shoqëruar me lexime të poemave “Howl” dhe “Kaddish for Naomi Ginsberg” (në shqip). Jeni të ftuar!