Shtëpia botuese “Berk”, Galeria “Zeta” dhe “Peizazhe të Fjalës”, ju ftojnë në prezantimin e librit “Te teatri”, të Elsa Demos, të enjten, 15 qershor, ora 19:00, te Galeria Zeta.
“Te teatri” është një udhëpërshkrim që i takon Teatrit Kombëtar, historisë së të bërit teatër në Shqipërinë postkomuniste, në tranzicion dhe pastranzicion, sepse Teatri Kombëtar ka qenë dhe është e vetmja skenë teatri në Tiranë, po edhe në Shqipëri, me histori të pandërprerë, gati 80-vjeçare. Megjithatë ky libër është dhe një dëshmi mbi vetë mënyrën e të shkruarit mbi teatrin, si shkollë e njeriut.
Folës:
Elsa Demo
Ardian Vehbiu
“Te Teatri” nuk është thjesht një udhërrëfim për njëzet vjet jetë artistike dhe politiko-kulturore në Teatrin Kombëtar e sivëllezërit e tij më të përkohshëm në jetë. “Te Teatri” është një bibliotekë librash të lexuar, hulumtimesh e analizash të ndërmarra, mendimesh e vëzhgimesh për teatrin e njerëzit e tij, që vjen në sytë tanë përmes Elsa Demos. “Te Teatri” është një arkiv i ngjarjeve, kritikave, profileve dhe intervistave që vlejnë për të sotmen dhe të ardhmen e artit dhe edukimit teatror shqiptar. “Te Teatri” është një vendndodhje emblematike e qytetit, një identitet qytetar, një mbresë e pashlyeshme qëndrese, është guxim, mprehtësi dhe elokuencë të mbledhura në një. Të jesh “Te Teatri” me Elsa Demon është një privilegj estetik dhe njerëzor.”
Lindita Komani, autore-aktiviste
“Ky libër tregon perspektivën e teatrit modern shqiptar, narrativën e vërtetë të ngjarjeve, reflekton mbi shoqërinë tonë dhe vendos autorët e publikun në të njëjtën bankë si protagonistë dhe dëshmitarë të historisë tij. Më ka befasuar forca dhe prezenca e autores, përballë gjithfarë ngjarjesh e personazhesh dhe që përveç fakteve, të jep edhe emocion. Kjo që kemi është produkt i asaj që kishim dhe në libër lexohen konfliktet mbi godinën, territorin, projektet dhe menaxhimin e Teatrit Kombëtar. Është si një operacion i gjithë ngjarjes.”
Enton Kaca, regjisor
Ju mirëpresim!
“Në Shqipëri janë bosh vendet e intelektualit koherent, e atij që nuk bie në kundërshtim me veten. Koherenca është njëra forcë që mban rendin e komunikimit mes njerëzve dhe mungesa e saj ka shkaktuar me përpikëri helmimin e opinionit publik dhe informimin me një lloj të vërtete në funksion të interesave të çastit.”
Elsa Demo, “Te teatri”.
Shihemi sonte, në 19:00, në mjediset e ”Zeta” Gallery, bashkë me “Peizazhe të Fjalës”.