Search
Close this search box.

Sot në këtë ditë, 76 vjetor i ndarjes nga jeta të patriotes, Marie Shllaku

Marie Shllaku është e lindur në Shkodër më 22 tetor 1922, nga babai Marku dhe e ëma Dila. Prindërit i kishin kushtuar kujdes të madh shkollimit të Marisë.

Në saje të përkujdesjes së drejtpërdrejtë të atdhetarit At Gjergj Fishta, i njohur si shkrimtar me orientime patriotike, Maria kishte mësuar mirë historinë shqiptare, fliste pa gabim gjermanisht, italisht, frëngjisht, latinisht si dhe gjuhën e vjetër greke. Me vështirësi Maria e fliste edhe gjuhën serbo-kroate.

Marie Shllaku, ndonëse shumë e re në moshë, vetëm 20-vjeçare, ishte studente dhe përbënte rast të rrallë për vajzat shqiptare të asaj kohe.

Ajo u angazhua me të gjitha forcat dhe me tërë potencialin që kishte ta vinte në jetë idealin e lartë të bashkimit kombëtar të të gjitha trojeve etnike, pavarësisht se në ç’kushte, apo në ç’rrethana do të arrihej ajo; sepse kryesorja qe dhe mbeti arritja e këtij qëllimi jashtëzakonisht të lartë, e këtij qëllimi të shenjtë kombëtar, për çka u derdh kaq shumë gjak, deri edhe vetë gjaku i Marie Shllakut.

Marie Shllaku, edhe në momentet më vendimtare, në kohën më tragjike të luftës kundër ripushtimit serbosllav, iu bashkëngjit krahut më atdhetar të asaj kohe, rreth 100 intelektualëve që u angazhuan rezistencën shqiptare të fundit të luftës antifashiste.

Në luftën për pavarësinë kombëtare dhe për bashkimin e trojeve të pushtuara Maria u angazhua në mënyrë të gjithanshme.

Duke e parë ngulmimin e saj si studente, me tipare të shquara të atdhedashurisë, nacionalist të kohës, Abaz Kupi (Bazi Canit) e angazhoi Marie Shllakun në përpjekje legale për bashkimin kombëtar. Me këtë mision Maria punësohet sekretare e Ilaz Agushit, ministër shqiptar në regjimin italian në Tiranë.

Sipas materialeve arkivore, në prill të vitit 1941, Maria njihet me Bernard Llupin, i cili atëkohë ishte drejtor i Shoqërisë “Bijave të Zonjës” me seli në Shkodër, që ishte e lidhur me Vatikanin.

Në maj të vitit 1942, Marie Shllaku, me sugjerimin e Idriz Matit, ishte punësuar në ministri në Tiranë, seksioni për rrugë, me detyrën e zëvendësekretarit. Me të pranuar të një detyre të tillë të rëndësishme edhe nga Gjergj Gjoni, Maria kishte pranuar detyrën të kontrollonte të gjitha dokumentet, leje sekrete të qeverisë, pastaj ato t’ia lejonte si dokumente dispozitave grupit të Bazit Canit. Këtë detyrë do ta kryente deri më 20 nëntor 1942.

Pas atentatit ndaj Ilaz Agushit, Maria përjashtohet nga puna deri më 25 shkurt 1943, kur do të rrijë e paangazhuar në Shkodër. Ajo, në këtë kohë, lidhet me aleancën angleze, duke shërbyer si korriere në vijën: Tiranë-Shkodër-Romë dhe anasjelltas. Këto punë do t’i realizojë përmes Gjergj Gjonit dhe korrierit të Bazit Canit, Hasan Miftarit.

Më 25 shkurt të vitit 1943 Maria punësohet në Prizren. Punësimi i saj këtu ishte sugjerim i Pjetër Tomës, sekretar kryesor në Ministrinë e Financave me seli në Prizren. Me qëllim që të mbulonte si vëzhguese tërë territorin e Kosovës, Marie Shllaku emërohet nëpunëse në Prizren.

Në këtë kohë edhe Xhafer Deva i ofron bashkëpunim dhe postin e sekretares së tij personale. Xhafer Deva atëbotë ishte ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Rexhep Mitrovicës (1943-1944). Ofertën e pranoi përkohësisht, pas konsultimit me drejtuesit e grupit të Bazit Canit. Nuk dihen rrethanat dhe arsyet pse Maria u tërhoq nga Prizreni në Tiranë dhe sërish u kthye më 9 shtator 1944.

Maria do të deklaronte para gjyqit të OZN-së se ishte antifashiste, por edhe antikomuniste.

Më 21 tetor 1944, në fshatin Novoselë, Maria mbajti një fjalim atdhetar. Më 9 nëntor 1944 partizanët hynë në Gjakovë, ndërsa Maria, bashkë me Mehmet Agë Berishën, kaloi në rajonin e Ferizajt, ku qëndroi disa ditë. Në këtë kohë ajo do të udhëtojë nga Ferizaj në Gjilan, pastaj në Prishtinë, ku do të takohet për herë të fundit me Xhafer Devën, me Rexhep Mitrovicën dhe me liderë të tjerë, prej të cilëve do të marrë udhëzime për veprime të mëtutjeshme, që të lidhet me Bernard Llupin në Pejë dhe prej andej të mbante lidhje edhe me Shkodrën dhe me rezistencën që do të drejtohej prej andej.

Marie Shllaku mori pjesë në Kuvendin e Drenicës, më 20 janar 1945. Aty mbajti një fjalim të zjarrtë, i cili pati ndikim edhe në pajtimin e dy prijësve të Luftës së Drenicës: Shaban Palluzhës dhe Mehmet Gradicës. Ishte në mbledhjen e mbajtur në Livadhet e Hajdinit (Pllaçicë), në fillim të korrikut të vitit 1945, në Kuvendin e Dobërdolit më 4 e 5 gusht 1945, në Grykë të Graçevës në fillim të shtatorit dhe me Çetën e Ukë Sadikut, në Luftën e Çelisë së Siçevës, më 12 shtator 1945, ku mori plagë të rënda. Bashkë me Musli Hotin u drejtua nga Resniku. Musliu nga gjakrrjedhja vdiq, kurse Maria u drejtua nga Açareva, ku, me ndihmën e Xhafer Imerit, shkoi në shtëpinë e Hatës (gruaja e Xhemajl Selimit), të cilën e njihte edhe më parë. Kjo grua e mjekoi me barna popullore. Spiunët e hetuan, e lajmëruan OZN-në e Skenderajt dhe e zunë. Pas shumë burgjesh dhe torturash shtazarake të OZN-së serbosllave, në vitin 1946, së bashku me tre shkodranë të tjerë, Gjyqi Ushtarak (prokuror Ali Shukria) e dënoi me vdekje.

Në sallën e Gjyqit të Prizrenit Maria brohoriti: “Kosovë, gjaku im t’u bëftë dritë!”

Në sallë ishte atmosferë e zymtë, plot policë, prokuror Ali Shukria. Maria ishte kryelartë, s’i jepte pesë para se çfarë dënimi do t’i jepnin.

Në gjykim ishte edhe Bedri Pejani. Maria sypatrembur u përgjigjej pyetjeve të prokurorit Ali Shukria. I pranonte të gjitha veprat që i kishte bërë. Në një rast ajo tha:

-I pranoj të gjitha veprat që i kam bërë, por këtu ka shumë edhe shpifje dhe akuza ndaj meje. Veprat e mira në të mirë të kombit tim i pranoj, edhe nëse ato nuk janë të miat! Kjo e habiti trupin gjykues

Maria kishte pasur ndikim të drejtpërdrejtë, së bashku me prof. Ymer Berishën, Miftar Bajraktarin, Azem Aruqin dhe personalitete të tjera të shquara të kohës, kur më 13 shkurt të vitit 1945, ia kishin shtrirë dorën e pajtimit njëri-tjetrit komandanti i Forcave të Armatosura Kombëtare Shaban Palluzha dhe togeri Mehmet Gradica. Maria, gjatë këtij solemniteti, mbajti një fjalim të zjarrtë, duke elaboruar lidhur me gjendjen politiko-ushtarake, e cila mbretëronte në të gjitha trojet shqiptare, me theks të posaçëm për tradhtinë e forcave komuniste shqiptare që ua kishin bërë interesave kombëtare, duke lidhur aleanca me popujt sllavo-ortodoksë.

Procesi më i madh gjyqësor, dhe që zgjoi interesimin e masave të gjëra shqiptare, pa dyshim është procesi gjyqësor i At Bernard Llupit, Kolë Parubit, Gjergj Martinit, Marie Shllakut e shumë të tjerëve, që ishin bashkëpunëtorët e ngushtë të prof. Ymer Berishës.

Procesi filloi me 29 qershor 1946, dhe përfundoi me 11 korrik po të njëjtit vit, që do të thotë se zgjati gjithsej 13 ditë pa llogaritur ditët e hetuesisë e të tjera. Prokuror publik i këtij procesi, siç ishte bërë rregull si në çdo proces tjetër ishte Ali Shukriu. Procesi u mbajt në Prizren.

Me 29 qershor, Prizreni ishte në zi. Para trupit gjykues të okupuesit, në bankën e zezë u ulën 27 të akuzuar shqiptarë. Ata akuzoheshin vetëm pse kishin dashur vendin e tyre, lirinë dhe një Shqipëri Etnike. Në një pyetje të një hetuesi drejtuar Marie Shllakut, se qe sa kohë ke filluar të merresh me politikë, ajo iu kishte përgjigjur “Po, që herët jam marrë me politikë, në qoftë se mund të quhet politikë dashuria e ime për atdheun, përpjekja ime qysh se di për vete për një Shqipëri Etnike, të bashkuar me pjesët e saja të shkëputura, Kosovën dhe Çamërinë” dhe ja pse u dënua me vdekje Marie Shllaku.

Burimi: Arena Dardane

Almanart