Kryeqyteti sigurisht që ka aktivitetet më të shumta. Duke nisur me teatrin, do të rivendoset shfaqja “Koncerti” te Teatri Kombëtar Eksperimental “K.Spahivogli” Tiranë përgjatë datave 18-20 tetor. Gjithashtu do të jetë dhe premiera e komedisë “Klani i të divorcuarve” te Holli i TKOB në datat 19-24 tetor me aktorët Gentian Zenelaj, Andia Xhunga dhe Rudina Dembacaj. Nuk do të mungojnë as shfaqjet e teatrit për fëmijë pranë Liceut Artistik “Jordan Misja” dhe te Teatri “Metropol”. COD ACT – Lexime të performuara për Ernest Hemingway me Ema Andrean dhe Laert Vasilin do të mbahet në datën 17 tetor.
Filmat do të vijojnë në festivalet “Japanese Film Festival” pranë Kinemasë “Maks Velo” në Laprakë, Queer Film Marathon Tirana me filmat retrospektivë queer nga Pier Paolo Pasolini në datat 14-17 tetor pranë Qendrës së Artit “Agimi”, “Travel Fest Albania 2024” me filma dokumentarë, të animuar apo për natyrën në datat 15-17 tetor pranë UET. Filmi i muajit të restauruar në COD – “Përrallë nga e kaluara” do të jepet te COD në datën 16 tetor në orën 18:00. Gjithashtu një nga premierat e rëndësishme është ajo e Filmi “303” për burgun e Spaçit që do të jepet në datën 18 tetor pranë Kinema “Millenium”.
Sa i përket koncerteve, festivaleve e muzikës do të përmendim Festivali “Flauti Magjik E/11” pranë Universitetit të Arteve më 16 tetor. Më 18 tetor vjen në Tiranë një organizim i veçantë “Roots & Rhythms” për Dritëro Agollin, ku do të ndërthuret muzika, poezia me performancat artistike. Pranë TKOB do të mbahet Koncert “Estro Italiano” më 18 tetor. Gjithashtu më 19 tetor do të mbahet Koncert nga Elton Deda pranë “Pazarit të Ri”. Gjithashtu do të mbahet dhe koncerti nga “Orkestra Simfonike e RTSH” më 19 tetor pranë “Universitetit të Arteve”. Për ata që pëlqejnë muzikën elektronike, do të ketë DJ që do të luajnë te “Agimi Underground” përgjatë datave 16-19 tetor.
Sa i përket ekspozitave, janë të hapura ekspozitat “Rrëfime të endura” nga Francesko Berati pranë “Parking Art Gallery”, “Tipping Point” te “Gallery 70” dhe “Kalo”, “Përbrenda” nga Kristian Zara te “Galeria e Artit”, “Viti zero” nga Gazmend Leka te Galeria “FAB”.
Vijojnë takimet në kuadër të “Tetorit të Librit” në Tiranë dhe qytete të tjera. Takim për poezinë e Gasper Palit te “Berk Botime” do të mbahet më 15 tetor. Takimet “Zërat e kulturës” – “Arti skenik dhe teatri në zemër të dialogut kulturor” do të mbahet më 17 tetor pranë Teatrit Kombëtar Eksperimental “K.Spahivogli” në Tiranë.
Në Durrës, do të ketë disa shfaqje teatri si Teatri “Agnesa e Zotit” përgjatë datave 16-18 tetor apo dhe stand-up comedy “50….pa pak” nga Edi Oga në datën 19 tetor. Në Durrës vijon të mbahet “E ardhmja hibride – Durrës Biennale”.
Në Gjirokastër do të jepet komedia “Gruaja e burrit tim” në Teatrin “Zihni Sako” dhe Teatri për fëmijë “Ëndërr apo e vërtetë” në datat 19 e 20 tetor.
Në Vlorë do të nisë “Sonetet e William Shakespeare” në Teatrin “Petro Marko” në datat 19 e 20 tetor. Gjithashtu për 80 vjetorin e Çlirimit do të mbahet Koncert nga Ansambli Popullor te Teatri “Petro Marko” në datën 15 tetor.
Në Fier do të jetë Premiera e Ansamblit “Myzeqeja” – “Malli na ka marrë” në Teatrin “Bylis” në datat 15 e 16 tetor.
Në Korçë, do të mbahet Koncert nga Ritfolk, Anxhela Peristeri, Bledi Polena më 16 tetor pranë “Pazarit të Vjetër. Gjithashtu do të hapet Ekspozita Performative “Shpella e Shkruar” te “Galeria e Arteve Digjitale”.
Në Shkodër, janë të hapura ekspozitat “Vëllezërit Kodheli dhe Kolë Idromeno” te Muzeu i Fotografisë “Marubi” dhe “Tirana n’Shkodër” te “Galeria e Arteve”. Gjithashtu do të jetë premiera e filmit “Këtu vallëzohet me hijet” pranë Kinema “Republika”. Do të ketë filma pranë Qendrës Rinore “Atelie” dhe Qendrës “Arka”më datë 18 tetor. Koncertet që do të mbahen janë Koncert me muzikën e “Mendelssohn & Friends” nga “Western Balkans Youth Orchestra” më 19 tetor dhe Koncerti “Sounds from Shkodra” më 20 tetor pranë Teatrit “Migjeni”.