Search
Close this search box.

Teatri Kombëtar i Kosovës sjell në Tiranë katër produksione teatrore: “Gratë”, “Molly”, “Fausti” dhe “Club Abania”

Teatri Kombëtar i Kosovës sjell në Tiranë katër produksione teatrore. Shfaqjet “Gratë”, “Molly”, “Fausti” dhe “Club Abania” janë pjesë e programit në skenën e Teatrit Kombëtar te “ArTurbina”. Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, në skenë ishte shfaqje “Gratë” me regjisore Nastazja Domaradzka. Një shfaqje, që është krejtësisht e krijuar, interpretuar dhe ka temë kryesore vetëm gratë. Në skenën teatrore erdhi për publikun një shfaqje, që flet për forcën dhimbjen dhe humnerat e shpirtit të një gruaje, atje ku askush nuk hyn dot. Në role në shfaqjen e parë të TKK në Tiranë luajtën Edona Reshitaj, Gresa Pallaska, Lumnije Sopi, Sheqerie Buqaj, Shengyl Ismaili, Xhejlane Godanci. “Gratë” me shkrime nga Agnesa Mehanolli, Brikena Sopi, Ulpiana Maloku, konsulente dramaturgjike është Doruntina Basha. Skenografe Rudina Xhaferi, kostumografe Yllka Brada. Kompozitore Rona Berisha Castrioti dhe koreografe Behije Murtezi. Shfaqja teatrore “Gratë” që u shfaq te “ArTurbina” ia lë radhën dhe tre prodhimeve të tjera teatrore të TKK, por përpara se të vinin Tiranë, artistët nga Kosova ishin në Shkup. Të njëjtat shfaqje u vunë në skenën e “Teatrit Shqiptar” të Maqedonisë së Veriut, nga data 21-24 shkurt.

Mbi shfaqjen ’Gratë’ u shpreh dhe Kushtrim Sheremeti drejtori i Teatrit Kombetar të Kosovës:

’Gratë’ është një koncept që ne e kemi ndërtuar dhe i gjithë ekipi ka qenë i përbërë prej grave. Regjisorja është me origjinë polake që jeton në Londër, e cila momentalisht është duke punuar edhe në Teatrin Kombëtar të Tiranës. Është një koncept, një shfaqje feministe, brutale për burrat, por që është e bazuar në disa eksperienca të disa grave pionere në Kosovë, por duke u miksuar edhe më përditshmërinë tonë, me atë që gratë sot kalojnë me një brutalitet të madh të patriarkalizmit, i cili ekziston gjithandej ku flitet shqip fatkeqësisht, edhe trajton këtë temë dhe është pritur shumë mirë prej publikut të Prishtinës, zakonisht jo vetëm kjo, por të gjitha shfaqjet që ne kemi sjell janë ‘sold out’. Janë të stërshitura dhe është një dimension tjetër të komunikimit me publikun përmes 6 monologjeve dhe pastaj të 6 grave aktore, të cilat komunikojnë dhe japin tregimet e tyre, duke përfshirë edhe copëzat e vetvetes”, u shpreh Sheremeti.

Tre shfaqjet e tjera në skenë

 Këtë mbrëmje në skenën vjen një tjetër produksion i TKK. Shfaqja teatrore “Molly” e regjisores Sibel Abdiu. Shfaqje kjo që trajton përjetime të personave me aftësi të kufizuara, e cila luhet me dy akte dhe tregon historinë e personazhit Molly. Në këtë shfaqje luajnë aktorët Verona Koxha, Afrim Muçaj, Bujar Ahmeti. Kompozitor Albin Sopa, artist vizual Lulzim Luigji Bejta dhe inspiciente Nazmije Krasniqi. “Molly” flet për një grua të verbër dhe udhëtimin e saj drejt kthimit të shikimit. Shfaqja në tërësi është sfiduese për shkak të temës shumë të ndjeshme që trajton. Mbrëmjen e datës 10 mars vjen në skenë te “ArTurbina” shfaqja teatrore “Fausti”. Një vepër realizuar për në skenë në mes të Teatrit Kombëtar të Kosovës, teatrit “Bekim Fehmiu” – Prizren dhe Teatrit të Qytetit- Gjilan. “Fausti”, një shfaqje me tekst dhe regji nga Fadil Hysaj, bazuar në “Faustin” e Gëtes e të Marlosë. Në vepër luajnë Shkëlzen Veseli, Adrian Morina, Xhevdet Doda, Bëslidhje Bytyqi, Aurita Agushi, Shpëtim Kastrati, Kushtrim Qerimi, Sheqerie Buqaj, Liridona Shehu, Ali Demi, Alban Krasniqi, Zana Berisha, Emine Toska, Rifat Smani, Valmira Hoti, Mejreme Berisha, Alban Morina. Koreograf Robert Nuha, skenograf Mentor Berisha, kostumograf Youliana Voykova – Najman, kompozitor Memli Kelmendi. Mbrëmjen e 11 marsit në skenë do të vijë “Club Albania” e bazuar në veprën “Pas Vdekjes” të Andon Zako Çajupit. “Club Albania” vjen nën regjinë e Fatos Berishës me kastën e aktorëve si Armond Morina, Ard Islami, Teuta Krasniqi, Ylber Bardhi, Majlinda Kosomoviq, Armend Smajli dhe Naim Berisha. Shfaqja është një komedi politiko-shoqërore, që shfaq fokusin nëpërmjet situatave komike por që në thelb janë shumë më të thella.

Almanart