Teatri Kombëtar vijon turin artistik me komedinë satirike “Ferma e kafshëve”, që do të shfaqet në Vlorë, Durrës dhe Shkodër

Komedia satirike “Ferma e kafshëve” produksion i Teatrit Kombëtar këtë sezon vere do të shfaqet në disa qytete për publikun. Vepra e shkrimtarit George Orwell me regji nga Driada Dervishi do të jetë për publikun në qytetet Vlorë, Durrës dhe Shkodër. Kjo bëhet me dije nga vetë institucioni, që ka publikuar dhe datat kur do të jetë komedia për publikun.  ““Ferma e kafshëve” 24 gusht Vlorë, 26 gusht Durrës, 28 gusht Shkodër”, thuhet ndër të tjera nga TK për turin artistik këtë verë, që do të vazhdojë në muajin gusht me këtë shfaqje teatrore. Produksioni i Teatrit Kombëtar te “Ferma e kafshëve”, që shënoi premierën në korrik të vitit 2021, kryevepër e autorit George Orwell janë në role Neritan Liçaj, Hervin Çuli, Erjona Kakeli, Florian Agalliu, Anila Bisha, Donald Shehu, Niada Saliasi, Doriana Çaushi, Xhuliano Brisku, Urim Aliaj. Përktheu Sokol Çunga, muzika dhe efektet Bojken Lako e Mia Lako. Skenograf Ergys Krisiko, kostumografia nga Berina Kokona dhe koreografia nga Robert Nuha. Prej 20 vitesh regjisore, Driada Dervishi pas diplomimit me dramën “Babai” nga autori August Strindberg, kryen një specializim mbi teatrin bashkëkohor në Modena (Itali), i mbështetur nga Emilia Romagna Teatro me regjisorin Pippo Delbono. Fillon punë në teatrin profesionist “Aleksandër Moisiu”, duke ftuar herë pas here dhe aktorë të njohur të skenës teatrore, ajo realizon 27 premiera. Në aktivitetin e saj regjisorja Dervishi realizon bashkëpunime dhe me teatro të tjerë.

 Vepra teatrore

Shfaqja teatrore në fillim si premierë u shfaq në amfiteatrin e Tiranës që u mbush plot me publik, por nuk mungoi dhe në festivale teatri, duke u vlerësuar me çmime. Një nga alegoritë politike më të njohura të shekullit të njëzet, “Ferma e kafshëve” na shpie në botën politike të pas revolucionit, ku çliruesit bëhen shtypës dhe të shtypurit përfundojnë në makinën grirëse të historisë. George Orwell (pseudonim për Eric Blair 1903-‘50) u lind në Indi dhe u shkollua në kolegjin Eton. Pas shërbimit në Policinë Perandorake Indiane, ai kthehet në Europë dhe fillon të shkruajë novela dhe ese. Orwell njihet si një shkrimtar politik, me një penë të mprehtë, i cili mbeti deri në fund një kundërshtar fortë i totalitarizmit. “Ferma e kafshëve” është vepra që i dha famë botërore, edhe pse fillimisht hasi pengesa në botimin e saj. Një tjetër roman i jashtëzakonshëm i profecisë politike, është romani “1984” batuta e të cilit “Big brother is watching you”( Vëllai i madh po të vëzhgon) është kthyer në një përdorim të zakonshëm i gjuhës sonë të përditshme). “Ferma e kafshëve” në vijim të turit artistik të Teatrit Kombëtar vjen për publikun pas asaj me titull “Ëndrra ime, Rina”. Një shfaqje që siç bënte me dije më herët institucioni u mirëprit nga publiku në skenat ku u shfaq këtë sezon vere./sot.al

Almanart