Pas turneut të suksesshëm në Kosovë, Maqedoni të Veriut, Serbi, Itali e Bosnjë-Hercegovinë, shfaqja nga Kosova “The Handke Project” do të jepet në Teatrin e Dortmundit në Gjermani. “The Handke Project” ka për temë qendrore vendimin kontrovers për përcjelljen e nderit të të qenit laureat i çmimit “Nobel” për letërsi te shkrimtari austriak Peter Handke, përkundër mbështetjes së tij të mirë-dokumentuar për Slobodan Milosheviqin
Shfaqja që kthen vëmendjen te viktimat e gjenocidit në Bosnjë-Hercegovinë dhe çon në djall ata që kanë bërë krime kundër njerëzimit bashkë me mbështetësit e tyre, do të jepet edhe për publikun gjerman.
Pas turneut të suksesshëm në Kosovë, Maqedoni të Veriut, Serbi, Itali e Bosnjë-Hercegovinë, shfaqja nga Kosova “The Handke Project” do të jepet në Teatrin e Dortmundit në Gjermani, në datat 16 dhe 17 dhjetor prej orës 20:00.
E shkruar nga Jeton Neziraj dhe në regji të Blerta Nezirajt, në shfaqje luajnë një kastë evropiane e aktorëve, ndër ta edhe aktori i mirënjohur shqiptar Arben Bajraktaraj, aktorët nga Kosova, Adrian Morina e Verona Koxha, aktorja nga Bosnjë-Hercegovina, Ejla Bavqiq, aktori shqiptaro-italian Klaus Martini, si dhe aktorja nga Mali i Zi, Anja Drleviq.
“The Handke Project” ka për temë qendrore vendimin kontrovers për përcjelljen e nderit të të qenit laureat i çmimit “Nobel” për letërsi tek shkrimtari austriak Peter Handke, përkundër mbështetjes së tij të mirë-dokumentuar për Slobodan Milosheviqin, i cili vdiq gjatë gjyqit për krime lufte në Hagë. Kjo mbështetje u zgjerua deri në një fjalim të Handkes pranë varrit të Milosheviqit.
“Në ‘The Handke Project’, Qendra merr këtë moment si pikënisje për të eksploruar atë se si çmohet dhe promovohet arti atëherë kur i tejkalon kufijtë e dinjitetit themelor njerëzor, humanizmit dhe etikës’”, shkruhet në njoftim.

Kjo shfaqje është produksion i Qendrës Multimedia, në bashkëpunim me “Mittelfest & Teatro della Pergola” (Itali); Teatrin e Dortmundit (Gjermani); Teatrin Kombëtar të Sarajevës dhe festivalin ndërkombëtar të teatrit “Scene MESS” (Bosnjë- Hercegovinë).
Për shfaqjen kanë shkruar në superlativ revista e gazeta të ndryshme ndërkombëtare. Siç ka rikujtuar “Multimedia” në njoftim për udhëtimin në Dortmund, ndër të tjera, “The Theatre Times” ka shkruar se “Neziraj e zhvesh Handken nga ana e tij artistike, për të shpërfaqur kështu njeriun e vërtetë përbrenda”.
Në këtë projekt teatror që është dhënë edhe në teatrin “Bitef” në Beograd – objekt, që nisi të ndërtohej si kishë evangjeliste nga gjermanët dhe nuk u konkretizua shkaku i Luftës së Dytë Botërore – Handke zhvillon një bisedë me Joseph Goebbelsin. Udhëheqësi i propagandës së nazistëve i jep atij leksione se si duhet mohuar krimet e si duhet ngritur pyetje nëse ato janë të vërteta. E Handke shkon deri në nivelin sa tek qëndron mbi një varr, nis të shfaqë dyshime se a bëhet fjalë për varr apo jo. Shfaqja ironizon skajshëm figurën e shkrimtarit, që më 2019 fitoi çmimin “Nobel” për letërsi. Shtjellon temën nëse ka kufij etikë e njerëzorë për një krijues. E tërthorazi jep edhe përgjigje.

Në këtë projekt teatror, me pyetjet e tij prej “shkrimtari gjenial”, Handke vë në dyshim nëse ka ndodhur masakra e Srebrenicës – ku në korrik të vitit 1995 shteti serb vrau 8 mijë boshnjakë – apo është një shpikje e propagandës kundër Serbisë. Handke e di realitetin, por përpëlitet që ta ndryshojë atë. Ironia shkon deri në masën që Handke i ndryshon edhe situatat, që bota i ka parë të xhiruara. Si në rastin kur serbët e detyrojnë boshnjakun e quajtur Ramo që ta thërrasë djalin e tij Nermin të zbresë nga kodrina “pasi është i sigurt me serbët”.