Autoritetet holadneze kanë nisur restaurimin e kryeveprës së Rembrandt, ‘The Night Watch’, në Amsterdam.
Pas pesë vitesh kërkimi, duke përdorur teknika të tilla si imazhet digjitale dhe inteligjencën artificiale, tetë restaurues do të fillojnë operacionin ‘Night Watch”, duke hequr llakun nga piktura.
Verniku, i aplikuar gjatë një restaurimi të viteve 1975-‘76, do të hiqet, duke përdorur pëlhura me mikrofibër dhe shtupa pambuku.
Procesi pason vite të tëra kërkimesh shkencore, prova në piktura të tjera dhe teste në vetë The Night Watch.
E bërë për sallën e repartit Arquebusiers të Amsterdamit, piktura me vaj e Rembrandt van Rijn e vitit 1642, është një nga më të hershmet që portretizon një grup në veprim.
Një kapiten, i veshur me të zeza, po i thotë togerit të tij të nisë kompaninë të marshojë. Dhe gardistët po kalojnë në formacion.
Rembrandt përdor dritën për t’u fokusuar në detaje të veçanta, të tilla si dora, gjestet e kapitenit dhe vajza e re, një nuskë, në sfond.
Emri origjinal i pikturës është Kompania Milicia e Distriktit II nën komandën e kapitenit Frans Banninck Cocq – por ajo u bë e njohur si The Night Watch, në shekullin e 18-të.
Vepra e artit ishte e veshur me një llak të errët dhe papastërti të akumuluar gjatë viteve, duke dhënë përshtypjen e rreme se përshkruan një skenë nate.
Acid i spërkatur
Night Watch është sulmuar me thikë – në vitin 1911 dhe përsëri më 1975, kur sulmuesi bëri 12 prerje në kanavacë.
Dhe në vitin 1990, një burrë spërkati me acid pikturën – megjithëse, këtë herë, falë ndërhyrjes së shpejtë të një roje, vetëm llaku u dëmtua.
Night Watch është trajtuar të paktën 25 herë – por ky projekt i fundit i kërkimit dhe restaurimit është më i madhi deri më tani.
Më shumë se dy milionë vizitorë vijnë për të parë pikturën, në muzeun, në Holandë, çdo vit./ BBC.