Search
Close this search box.

Tirana European Youth Film Festival në Edicionin e dytë – Filmat konkurrues

Festivali i Kineastëve të Rinj Europianë Tiranë (Tirana European Youth Film Festival – TEYFF) është një iniciativë jofitimprurëse që synon të hapë një dritare të re drejt kinemasë evropiane në Tiranë. TEYFF kthehet me edicionin e tij të shumëpritur të dytë, i cili do të mbahet nga 5-10 Shtator 2024. Këtë vit, festivali do të sjellë përsëri artin e kinemasë Evropiane në Tiranë, me një platformë të dedikuar që vë në pah regjisorët debutues dhe veprat e tyre të jashtëzakonshme. Edicioni i këtij viti përfshin një përzgjedhje të larmishme të nëntë filmave në konkurim nga vende si Franca , Gjermania, Italia, Polonia, Kosova, Serbia, Shqipëria dhe Portugalia. Këta filma do të vlerësohen nga një juri e shquar e përbërë nga Isa Qosja, Rovena Lule dhe Giacomo Abbruzzese.

Çmimet do të jepen për Regjinë më të Mirë, Kinematografinë më të Mirë, Filmin më të Mirë, Skenarin më të Mirë dhe Çmimin e Publikut. Përveç filmave ne konkurim, TEYFF do të ofrojë shfaqje speciale të filmave të vlerësuar nga kritika, përfshirë “Proka” nga Isa Qosja, “Discoboy” nga Giacomo Abbruzzese dhe “Rendez-vous a Tirana” nga Liri Begeja. Çdo shfaqje do të pasohet nga diskutime të hapura, duke i dhënë mundësinë publikut të angazhohet drejtpërdrejt me regjisorët, për të fituar një kuptim më të thellë të proceseve të tyre krijuese dhe historive pas veprave të tyre.


TEYFF është gjithashtu i përkushtuar për të ushqyer talentet e ardhshme kinematografike përmes një serie masterklasash, bisedash, forume të udhëhequra nga profesionistë të industrisë. Isa Qosja do të mbajë një masterklasë mbi “Bërja e Proka (1985): krijimi i një filmi debutues”, së bashku me sesione të tjera të dobishme që fokusohen në sfidat dhe triumfet e krijimit të një filmi të parë artistik. Misioni i festivalit, i orientuar drejt rinis, shtrihet përtej kinemasë, pasi TEYFF fuqizon gjithashtu ekipin e tij të vullnetarëve, duke u ofruar atyre mundësi për të shprehur idetë e tyre, për të bashkëvepruar me regjisorët dhe madje për të dalë në skenë për të kryer intervista.


Festivali do të zhvillohet në tre ambiente: “Agimi Art Center”, Kinema “Maks Velo” dhe Piramida e Tiranës e cila do të shërbejë si kinema e hapur. Këto lokacione ofrojnë një kombinim unik të traditës dhe modernitetit, duke e pasuruar përvojën e festivalit. Hyrja është e lirë për të gjithë. TEYFF gjithashtu fton të pranishmit të shijojnë një sërë ngjarjesh shoqërore, përfshirë kokteje dhe festa, të krijuara për të krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe tërheqëse ku regjisorët dhe dashamirësit e filmit mund të lidhen dhe të ndajnë dashurinë e tyre për kinemanë.

Slogani i festivalit të këtij viti, “Çdo kineast mban mend herën e parë në Tiranë,” nënvizon përkushtimin tonë jo vetëm për të promovuar regjisorët e rinj, por edhe për të pozicionuar Tiranën si një vend të mundshëm për projekte të ardhshme filmike. Duke bërë këtë, TEYFF synon të rrisë profilin e qytetit jo vetëm si një destinacion turistik, por edhe si një qendër e gjallë për kreativitetin kinematografik.

Almanart