Ai është një nga qytetarët e Tironës së vjetër, gjurmët e të cilës mund të shihen fare lehtësisht në tablot e piktorit Serxho Petrela. Lagjet e vjetra, rrugicat, avllit, por edhe banesat autentike janë elemente të forta të cilat dëshmojnë lashtësinë e metropolit sot.
“Njerëzit thonë që ti je piktori i rrugicave të Tironës, janë shumë piktura dhe nuk i kam numëruar por mos harrojmë që qyteti ka perla”, tha piktori.
Elementi i ndjenjave me historinë dëshmon nostalgjinë e banorëve të asaj kohe të cilët kërkojnë të rrëmbejnë tek piktori një copëz të saj, duke përjetësuar fëmijërinë.
“Me anë të pikturës luaj pak me memorien historike, me ndjenjat dhe me nostalgjinë dhe e shoh që ka sukses”, tha Serxho Petrela.
Megjithatë galeria e piktorit është me e gjerë sesa kaq, elemente të enëve të vjetra dhe peizazhe kryesisht të qeta janë një tjetër element karakteristik i tij.
Gjatë karrierës së tij prej më shumë se 4 dekadash Serxho ka realizuar edhe mjaft ekspozita./rtsh/