Vështirësitë e komunitetit rom, si qytetarë të diskriminuar në çdo vend, u shpërfaqën përmes jetës së dy vëllezëve Kefeat dhe Selami Prizreni, të jetësuara edhe njëherë në filmin dokumentar ‘Trapped by law’.
Dokumentari i cili u paraqit para publikut në Kino Armata, përshkroi në mënyrë të përsosur rrugën e vështirë të dy vëllezërve Prizreni, të cilët në mesin e 10 mijë qytetarëve të tjerë, u deportuan nga Gjermania për në Kosovë, pa dëshirën e tyre, duke i bërë ta lënë pas çdo gjë që kishin krijuar gjatë gjithë jetës së tyre atje.
E jetesa në Kosovë, nuk i mirëpriti, madje e kundërta, ata u përballën edhe me mungesën më elementare, atë të ushqimit, por duke mos e lënë pas dore atë që ata dijnë të bëjnë më së miri, muzikën, e sidomos atë që njihet si muzikë e rezistencës, muzika ‘Hip-Hop’.
Filmi dokumentar i regjisorit Sami Mustafa është një portretizim prekës i betejave me të cilat përballen dy vëllezërit e rinj teksa lundrojnë në kompleksitetin e ligjit të “riintegrimit të detyruar” të nënshkruar mes Kosovës dhe Gjermanisë, së bashku me shtetet e tjera të BE-së. Ky film i fuqishëm, i xhiruar gjatë një periudhe prej pesë vitesh, tregon historinë e rrugëtimit të dy vëllezërve përmes ndarjes së tyre të detyruar nga familja, miqtë dhe kulturën hip-hop ku ata u rritën.
Kjo histori e ndarjes së familjes, e treguar përmes thjerrëzave të kulturës hip-hop, është një portret i mprehtë i përvojave të komuniteteve të margjinalizuara dhe luftës për drejtësi.
Pas shfaqjes së filmit u hap edhe diskutimi mbi përfshirjen e komuniteteve jo-shumicë në Kosovë i cili për panelistë kishte Avni Mustafën nga Roma Versitas Kosova dhe Sakibe Jasharin nga Zyra e Këshillit të Evropës në Prishtinë.
E para fjalën e mori Sakibe Jashari e cila vuri në pah problemet me të cilat ballafaqohen sidomos të rinjtë e komuniteteve jo-shumicë në Kosovë.
“Sot jemi këtu për të diskutuar për një tregim që nuk është i vetëm, sepse të tilla tregime ka shumë. Tregime që kanë të bëjnë me migrimin sidomos për të rinjtë e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, të cilët janë të prekur nga ky problem. Ky film sjell në vete edhe disa nga stereotipet me të cilat ata ballafaqohen, e para është vetë-identifikimi i tyre si gjermanë që kanë ardhur në Kosovë, tjetra është që muzikën ‘rap’ e kanë importuar tek të rinjtë e komunitetit që kanë qenë të kthyer me forcë prej Gjermanisë dhe është i treti stereotip që akoma përflitet e i cili është se vendet ku kanë jetuar ky komunitet pretendojnë që marihuanën e kanë mësuar prej tyre”, thotë Jashari duke folur për atë që në sytë e saj përcjell ky film.
Më pas, fjalën e mori Avni Mustafa i cili fillimisht theksoi se shumë të rinj të komuniteteve janë të sukseshëm në fusha të ndryshme, disa janë profesorë në shkolla të ndryshme, disa të tjerë artistë të sukseshëm, mirëpo ajo që nevojitet është respektimi i ligjeve në fuqi.
“Ne s’kemi nevojë për ligje dhe strategji të veçanta për integrim. Neve na nevojiten mundësi të barabarta, respektimi i ligjeve në fuqi dhe kushtetutës”, u shpreh ai.
Ju kujtojmë që shfaqja e këtij dokumentari u organizua nga Manifesta 14 Prishtina dhe u përkrah nga United Nations Mission in Kosovo (UNMIK)./Flonja Haxhaj/kult