Search
Close this search box.

Ekspozita e veçantë në Durrës/ “Turistë të përgjuar”, pushime nën syrin vigjilent të Sigurimit!

Një ekspozitë e re në Durrës hedh dritë mbi metodat dhe mjetet me anë të të cilave shërbimi sekret gjatë regjimit përgjonte një pjesë të turistëve të huaj që vizitonin vendin më të izoluar komunist pas Perdes së Hekurt.
Në qendër të Durrësit kohët e fundit janë përuruar disa muze-eksponate, që i bëjnë jehonë jetës qytetare shekullit të kaluar.

Nismat janë ndërmarrë privatisht nga disa zonja intelektuale, banore në qytetin antik, të cilat me risitë që sjellin, po plotësojnë gjithashtu edhe mungesën e përkohshme të dy muzeve kryesorë zyrtarë në Durrës.

Pedagoget e Universitetit Aleksandër Moisiu, Brunilda Liçaj dhe Arjana Isaku tre javë më parë hapën dyert e ekspozitës “Turistë të përgjuar”, një përmasë turistike krejt e re për vizitorët vendas dhe të huaj në qytetin antik.

Në banesën dhe oborri që zonja Albina Mima ka vënë në dispozicion të ekspozitës-muze, nuk mungon asgjë nga e djeshmja e një familjeje shqiptare, por një pjesë të madhe të elementeve muzealë e zënë dokumentet e turizmit shqiptar 1950-1980, pa harruar regjistruesit magnetofonë deri të “çimkat” përgjuese gjatë periudhës së komunizmit.

Brunilda Liçaj, ideatore e kësaj ekspozite, tha për  BIRN se “individët dhe grupet e para të turistëve filluan të vijnë në Shqipëri në vitin 1958 në një numër të kufizuar. Më vonë pjesëmarrja e ndërmarrjes shtetërore ”Albturist” në panaire promovuese europiane e shtoi numrin e tyre”.

Brunilda, e cila i ka kushtuar më shumë se një 10-vjeçar dokumentimit të kësaj teme, shton se numri më i lartë i turistëve gjatë periudhës komuniste shënohet në vitet ’84-‘85, kur brenda vitit në vendin tonë mbërritën rreth 15.300 të huaj, 5-6 përqind e të cilëve janë përgjuar me intensitet nga organet e Sigurimit, kryesisht në hotelet ku qëndronin”.

Arjana Isaku, pedagoge në Universitetin Aleksandër Moisiu të Durrësit, njëlloj me Brunildën, ka një përvojë 20-vjeçare në fushën e turizmit.

Kjo e ka ndihmuar frekuentimin ditor nga turistët e huaj të Ekspozitës së hapur pak metra pas godinës së Teatrit “Aleksandër Moisiu”.

Një vendstrehim të ndërtuar nga shteti në fillimin e viteve ’70 zonjat e kanë kthyer në një hapësirë projektimi videosh. Vizitorët e fundit ishin një grup i madh me turistë nga Polonia.

“Pastrimi i këtij bunkeri nëntokësor ka vazhduar më shumë se dy muaj ,” tregoi për BIRN znj. Isaku, duke kujtuar se për përdorimin e vendstrehimit kanë kërkuar lejen e institucioneve.

Në këtë hapësire vizitorët ndalen më gjatë dhe ndjekin një dokumentar televiziv rreth 20 minuta.

Bashkë me të dhënat e detajuara, të nxjerra nga dokumentet e këtij sektori në filmin dokumentar dëgjohen edhe dëshmitë e udhërrëfyesve turistikë të viteve ’70 – ’80, “edhe ata shpesh herë të survejuar njëlloj nga Sigurimi”,  ndërkohë Brunilda qeras vizitorët e huaj me gliko.

Brunilda Licaj dhe Arjana Isaku – harta e hoteleve të përgjuar në Shqipërinë komuniste | Foto: G.Kabashi

Oborri i shtëpisë që znj. Albina Mima, mësuese në pension, ka vënë në dispozicion të të dy pedagogeve dhe nismës së tyre nuk është i panjohur për mediat.

Arkeologia Brikena Shkodra, e cila vizitoi ekspozitën e sapohapur, kujton se pesë vjet më parë, zonja Mima mundësoi në këtë oborr një ekspeditë disa-javore, e cila nxorri në dritë lidhjen e një kompleksi termal me një tubacioni mbitokësor.

“Këtu u njohëm konkretisht me të dhëna të shekullit të 4-rt, të cilat janë të pranishme në të njëjtën lagje, por kishin mbetur pak të njohura më parë nga specialistët e kësaj fushe,” kujtoi Brikena.

“Është një punë mjaft e mirë kjo e Brunildës dhe Arjanës, pa harruar gatishmërinë e zonjës së shtëpisë për të bashkëpunuar,” shtoi ajo.

Gati 110 vjet më parë, gjatë luftës së parë botërore, dy arkeologë austriakë zbuluan shumë pranë kësaj banese mozaikun me fytyrën e hijëshme të një gruaje, i cili u bë I famshëm në botën shkencore dhe jo vetëm, me emrin “Bukuroshja e Durrësit”.

Duket se një grua e punuar me guralecë në shekullin 4-3 para erës sonë i ka vënë emrin edhe ndjeshmërisë së zonjave të Durrësit sot, të cilat po sakrifikojnë për ta ritreguar historinë e qytetit antik.

Njëlloj siç bëri edhe znj. Luljeta Dakoli, pak vjet më parë, kur vuri në dispozicion të arkeologes Shkodra oborrin e shtëpisë së saj në këtë lagje për të gërmuar në objektin arkeologjik, ende i pa gërmuar deri në fund.

Dr. Ols Lafe, i cili pak ditë më parë ka prezantuar një aplikacion digjital me titullin” “Trails Durrësi app – Shtigjet e Durrësit” e vlerëson punën e kolegeve të tij dhe shton se shumë shpejt edhe ekspozitat-muze që ato kanë hapur do të jenë pjesë e aplikacionit udhërrëfyes për vendasit dhe të huajt.

Lafe shprehet për BIRN se ky udhërrëfyes do të plotësohet edhe kur të përfundojnë punimet për restaurimin e Muzeut Arkeologjik Kombëtar si dhe punimet tek banesa ku jetoi disa kohë aktori me famë evropiane, Aleksandër Moisiu.

Përballë banesës ku është hapur ekspozita “Turistë të përgjuar” një dorë e kujdesur ka hedhur në mur pamjen e një porte të hershme pranë, të cilën koha mund ta zhdukë.

Një banor i lagjes na thotë se në atë shtëpi ka lindur aktori i madh shqiptar Prokop Mima.

Ndërsa portat njëshekullore të risjellja në lagjet e vjetra të Durrësit i përkasin dorës dhe mendjes së një grupi zonjash të tjera, që drejtohen nga një grua tjetër e pasionuar, pedagoge Dorina Subashi Xheraj.

Dorina, në një rrugë paralele të Durrësit të hershëm ka vënë në dispozicion të vizitorëve një apartament të familjes.

Gjatë këtyre pesë viteve aty janë organizuar dhjetëra veprimtari, mjaft prej të cilave i kanë mbledhur bashkëqytetarët edhe në rrugët e qytetit antik.

“Sidoqoftë, na duhet më shumë bashkëpunim me njëra-tjetrën,” tha Brunilda Liçaj. “U kam thënë edhe studentëve të mijë: turizmi është betejë dhe bashkëpunim,” përfundoi ajo./burimi reporter.al/

Almanart