Për çekët Jaroslav Hašek mbetet shkrimtari i tyre më i dashur; i thjeshtë dhe i mirë, naiv dhe i patëkeq. Shvejku është gazmimi i jetës prageze, është mënyra mospërfillëse dhe shpotitëse për t’i përcjellë ngjarjet e mëdha të historisë.
Vetë shkrimtari, Jaroslav Hašek, që shkroi një prej kryeveprave të letërsisë botërore, kaloi një jetë të trazuar, midis aventurave të luftës, dështimeve, pijes dhe skandaleve.
Hašek-u u lind në Pragë dhe qe i biri i një mësuesi të pafat gjimnazi, që vdiq nga pija e tepërt kur Jaroslavi ishte vetëm trembëdhjetë vjeç.
Në karrierën e tij të hershme, ai ishte aktiv si anarkist dhe botonte nëpër revistat politike. Në vitin 1907 ai ishte botuesi i revistës anarkiste “Komuna”. Duke u përpjekur që të ndryshojë jetën e tij, Hašek-u u martua me Jarmilla Mayerovën pa shumë sukses.
Në vitin 1915 ai u thirr nën armë në ushtrinë perandorake austro-hungareze. Gjatë Luftës së Parë Hašek-u shërbeu në ushtri të ndryshme: çeke, austriake dhe ruse. Skena nga kjo luftë janë përshkruar me hollësi në romanin e tij “Ushtari i mirë Shvejk”.
Në vitin 1918, ai u bashkua me ushtrinë e kuqe. Sovjetët e emëruan komisar politik në Armatën e Pestë. Dy vjet më vonë, pasi ishte zgjedhur edhe në Këshillin e qytetit të Omskut, ai braktis Rusinë dhe kthehet në Pragë, duke sjellë me vete një grua të re ruse, pa u divorcuar me Jarmillën.
Thuhet, se kur u nis nga Omsku për t’u kthyer në Pragë, ai kishte harruar se dikur pat qenë i martuar dhe se në shtëpi e priste një grua e dëshpëruar. U kujtua për gruan e parë vetëm kur ajo hapi derën dhe iu hodh në krahë.
Të dyja gratë e Hašek-ut çuditërisht shkojnë si s’ka më mirë me njëra-tjetrën, ndërsa vetë Hašek-u u akuzua për bigami. Madje thonë se kur shkrimtari kthehej i dehur në shtëpi, ato në aleancë me njëra-tjetrën, ia mbyllnin derën dhe e linin jashtë.
Por jeta e Hašek-ut, e shkatërruar nga pija e tepërt, mbaroi shpejt; ai u shua me 3 Janar të vitit 1923, duke lënë pas veprën e tij të pavdekshme me ushtarin e paaftë, naiv, të ndershëm dhe zemërbardhë Shvejk, që u bë një vepër e lexuar dhe e rilexuar jo vetëm nga çekët, po nga mbarë bota.
Bufonët e ushtarit Shvejk, me uniformën e vjetër ushtarake të perandorisë, i gjen edhe sot para kafeneve, ndërsa loja gazmore vazhdon aq sa romani “Ushtari i mirë Shvejk” përfytyrohet si një triologji e tri gotave birrë: e para plot, e dyta në gjysmë dhe e treta, pothuajse e zbrazur. Dhe mbi to një kapele e varur, ajo kapelja karakteristike që mbante në kohën e tij, Jaroslav Hašek.
Nga libri “Rrugë pa krye”