Vangjush Mio ishte piktori i parë shqiptar që hapi një ekspozitë pikture.
Vangjush Mio ishte piktori nga Korça, i cili cilësohet si ati i pikturës moderne e bashkëkohore shqiptare. Me penelin e tij, artisti impresionist shkriu bojrat, kombinoi ngjyrat dhe la trashëgimi peizazhin mbresëlënës të qyteteve shqiptare. Pikturat e Mios ruhen në Galerinë e Arteve në Tiranë dhe në shtëpinë e tij muze në Korçë.
Egjipti, Italia, Rumania etj, çelën dyert për ekspozimin e pikturave të artistit shqiptar, i cili nëpërmjet krijimtarisë së tij, kapërceu kufijtë kombëtarë. Nga studioja e tij u realizuan dhjetëra piktura dhe në fillim të viteve ’20, Mio çeli të parën ekspozitë pikture në Shqipëri duke vulosur sukses të padiskutueshëm në artin figurativ.