Search
Close this search box.

Vdekja e nënës dhe rruga drejt aktrimit/ Al Pacino: Duke kujtuar fëmijërinë në Bronx

Mamaja ime filloi të më çonte në kinema që kur isha i vogël, 3 apo 4 vjeç. Ajo punonte në fabrikë ose bënte punë të tjera të rëndotma gjatë ditës dhe kur kthehej në shtëpi, unë isha e vetmja shoqëri që ajo kishte. Pasi shihja filmat, do bluaja personazhet që kisha parë në kokën time dhe t`i sillja në jetë, një nga një, në banesën tonë.

Filmat ishin një vend ku nëna ime single mund të fshihej në errësirë dhe të mos e ndante djalin e saj « Sonny Boy » me dikë tjetër. Kjo ishte nofka që më kishte vënë. E kishte marrë nga një këngë e njohur e Al Jolson, të cilën ma këndonte shpesh.

Kur linda unë, në vitin 1940, babai im Salvatore Pacino, ishte 18 vjeç, ndërsa nëna ime, Rose Gerardi Pacino, vetëm disa vite më e madhe. Mjaftueshëm për të thënë që ishin prindër të rinj, madje edhe për kohën. Ndoshta nuk kisha mbushur as 2 vjeç kur ata u ndanë. Unë dhe nëna ime jetuam në një sërë apartamentesh në Harlem dhe më pas u shpërngulëm në shtëpinë e prindërve të saj në South Bronx. Nuk është se kishim ndonjë mbështetje financiare nga babai im. Dhe gjykata na jepte 5 dollarë në muaj, aq sa për të mbuluar shpenzimet tona në shtëpinë e gjyshërve të mi.

Kujtimi më i hershëm që kam nga të dy prindërit e mi është kur shikoja një film me mamanë time në ballkonin e Teatrit Dover kur isha 4 vjeç. Ishte një lloj melodrame për të rriturit dhe mamaja ime ishte dukshëm disi e prekur. Vëmendja ime humbi nga filmi dhe po shikoja poshtë ballkonit. Pashë një burrë që ecte poshtë sikur po kërkonte diçka. Ai kishte veshur një lloj uniforme ushtarake, dhe babai kishte shërbyer si ushtarak në Luftën e Dytë Botërore. Instiktivisht bërtita me të madhe: Dadaa!!! Nëna ime u përpoq të më mbyllte gojën, unë bërtita përsëri. Ajo vijonte të më mbante të qetë sepse nuk donte që ai ta gjente atë.

Megjithatë ai na gjeti. Kur filmi mbaroi, më kujtohet që  të tre po ecnim nëpër një rrugë të errët. Secili nga prindërit mbante një dorë timen. Me cepin e syrit të djathtë pashë një këllëf në belin e babait tim dhe një armë të madhe. Vite më vonë luajta rolin e një polici në filmin “Heat” dhe personazhi im mbante një armë të ngjashme. Edhe pse fëmijë arrita të kuptoj që ishte diçka e rrezikshme. Dhe pastaj babai im u largua. Ndoshta ai u kthye, por jo më tek ne.

Prindërit e nënës time jetonin në një banesë 6-katëshe në Bryant Avenue, në një apartament me 3 dhoma, ku qiratë ishin më të lira. Flija mes gjyshërve ose në një shtrat në dhomën e ndenjes, duke mos ditur se kush do përfundonte pranë meje, një i afërm që kalonte nëpër qytet, ndoshta daja ime, apo kushedi tjetër.

Gjyshi im nga nëna, quhet Vincenzo Giovanni Gerardi dhe vinte nga një qytet i vjetër sicilian, emrin e të cilit do ta mësoja më vonë, ishte Corleone. Kur ishte 4 vjeç ai erdhe në SHBA ndoshta ilegalisht, ku u njoh pastaj me emrin James Gerardi. Kishte humbur nënën, ndërsa i ati ishte martuar përsëri dhe ishte transferuar me familjen e re në Harlem. La shkollën që kur ishte 9 vjeç dhe filloi të punonte me një kamion qymyrguri. Endej rreth Manhatanit dhe Bronksit duke bërë punë të ndryshme. Ai ishte figura e parë atësore reale që kisha.

Kur isha 6 vjeç shkova njëherë drejt tij dhe i thashë: “Gjysh, një fëmijë në shkollë bëri një gjë shumë të keqe. Kështu unë shkova tek mësuesja dhe i tregova dhe ajo e dënoi”. Pa humbur aspak kohë, gjyshi më tha: “Kështu që ti je një spiun, ë?” Fjalët e tij më goditën dhe kurrë në jetën time nuk spiunova më njeri. (Edhe pse tani që po shkruaj këtë, mendoj se po spiunoj veten)

Gjyshja ime Kate, ishte bjonde syblu, e rrallë në mesin e italianëve. Ishim të vetmit italianë në lagjen tonë, dhe ajo shpesh më thoshte kujdes mos të mendojnë njerëzit se je italian. Amerika sapo kishte kaluar 4 vite duke luftuar kundër Italisë, dhe shpesh italo-amerikanët konsideroheshin si armiq të huaj. Kishte ende një stigmë ndaj nesh.

Nga rruga 171 deri në rrugën 174, kishte një përzierje nacionalitetesh dhe etnish. Në verë kur dilnim në çatinë e banesës sonë për t`u freskuar pasi nuk kishte kondicioner, dëgjoje të gjitha llojet e gjuhëve dhe dialekteve. Sa më në veri të shkoje aq më të pasur ishin njerëzit, ne nuk ishim familje e kamur. Por ia dilnim.

Duke qenë fëmijë i vetëm, deri në moshën 6-vjeçare nuk më lejoni të dilja vetëm nga banesa, lagjia ishte disi e pasigurt. Shoqëruesit e mi të vetëm, përveç gjyshërve, nënës time dhe një qeni të vogël të quajtur Trixie, ishin personazhet që solla në jetë nga filmat. Ndonjëherë para të afërmëve të mi luaja rolin e një alkoolisti vetëshkatërrues Ray Millang nga filmi The Lost Weekend. Të rriturve u dukej zbavitësëse, ndërsa unë 5 vjeç mendoja: Pse qeshin me një personazh që po lufton për jetën?

Nëna ime ishte një grua e bukur por emocionalisht e brishtë. Shkonte shpesh në ndonjë psikiatër. Nuk e dija që ajo kishte probleme deri kur një ditë, 6 vjeç, po bëhesha gati të dilja e të luaja. Po rrija në kuzhinë, e ndërsa nëna ime më lidhte këpucët dhe më veshi një pulovër, vura re se po qante. Pyesja veten se çfarë kishte, por nuk dija si ta pyesja. Më përqafoi shumë para se të dilja, diçka që ishte e pazakontë dhe me zor prisja të dilja të luaja me fëmijët e tjerë që të mos e mendoja më. Kishim rreth 1 orë që luanim kur pamë një rrëmujë në rrugë. Njerëzit po vraponin drejt banesës së gjyshërve të mi. Dikush më tha: “Mendoj se bëhet fjalë për nënën tënde”. Nuk e besova por vrapova drejt shtëpisë. Para ndërtesës ishte një ambulancë dhe duke hyrë në të një barelë që mbante nënën time. Kishte tentuar vetëvrasjen. Këtë nuk ma shpjeguan, por në kokën time po formëzoja copëzat e ngjarjes. Dija që ajo kishte lënë një shënim dhe më pas e kishin dërguar për trajtim në spital. Ajo periudhë është disi bosh për mua, por më kujtohet se isha ulur në tryezën e kuzhinës, ku të rriturit po diskutonin se çfarë të bënin. Vite më vonë, luajta në filmin “Dog Day Afternoon” dhe një nga imazhet e tij të fundit, ku shfaqet personazhi i aktorit John Cazale, duke u marrë me barelë, më bëri të mendoj për momentin e nënës time.

Si fëmijë, rrija me grupin e 3 shokëve të mi më të mirë, Cliffy, Bruce dhe Petey. Ishim të uritur për jetën, edhe sot e kësaj dite me ta kam kujtimet e mia të preferuara.

Lagjia e jonë në Bronx ishte plot me personazhe. Dy herë më kanë shpëtuar jetën shokët e mi, gjatë lojëra tona që jo pak herë ishin të rrezikshme. Kishte më shumë privatësi në atë kohë, njëfarë korrektësie dhe hapësire që njerëzit i jepnin njëri-tjetrit. Kur unë, Cliffy, Bruce dhe Petey, u rritëm pak, 11-12 vjeç, shpenzonim orë të tëra duke peshkuar për monedhat e humbura. Por në atë moment nuk ishte diçka e kotë, sepse 50 cent për ne ishte gjithçka. Nëse donim të shkonim diku, hipnim në pjesën e pasme të autobusëve, nëse donim ushqim do e vidhnim. Kurrë nuk paguanim për asgjë. GJithmonë ishim duke ndjekur dikë, ose duke u ndjekur nga dikush. Kur shihnim policë, i ngacmonim dhe ata shpesh qeshnin me ne, kishte dhe ndonjë që na rrihte. Njëri prej tyre besoj se pëlqente nënën time se më bënte shpesh pyetje për të, dhe unë e kuptoja domethënien e atyre ngacmimeve.

Cliffy, Bruce dhe Petey më quanin Sonny apo Pacchi, nofka e tyre për mbiemrin Pacino. Më quanin edhe Pistachio, sepse më pëlqente akullorja me pistachio. Nëse do zgjidhnim ndonjë lider të grupit tonë, ai do ishte Cliffy ose Petey. Petey ishte një djalë i fortë irlandez. Kishte talent. Kishte 4 vëllezër që e rrihnin çdo ditë. Ishte një djalë plot skema. Çdo ditë kishte nga një skemë. Shpesh më thërrisnin nga rruga, “Eja poshtë Sonny boy, kemi diçka për ty”. Vinin me nga një gjë të re që e kishin vjedhur ose një Zot e di si e kishin marrë.

Kishte diçka që më ndante nga pjesa tjetër e bandës. Gjyshi më kishte rrënjosur një dashuri të madhe për sportin. Ishte një adhurues i përjetshëm i bejsbollit dhe boksit. Gjyshi më merrte ndonjëherë në lojërat e bejsbollit dhe uleshim shumë lart në tribunë, aty ku ishte më lirë.

Kur nëna ime nuk më linte të dilja me shokët, e urreja për këtë. Këta shokë ishin gjithçka që kishte rëndësi në jetë për mua. Dhe një ditë, kur mbush 52 vjeç, duke parë fytyrën time në pasqyrë, pyes veten se kë duhet të falenderoj gjatë një fjalimi pranimi të një çmimi që do marr. E kuptoj që jam ende këtu falë nënës time. Sigurisht që atë duhet të falenderoj, ajo më largoi nga rruga plot krim, dhunë e heroinë, që vranë miqtë e mi të vjetër, Petey, Cliffy dhe Bruce. I humba që të tre.Besoj që nëna ime më shpëtoi jetën.

Isha me fat që kisha njerëz që më kërkonin dhe kujdeseshin për mua, edhe pse në atë kohë nuk e vlerësoja gjithmonë. Një prej tyre ishte mësuesja ime Blanche Rothstein, e cila më zgjodhi për të lexuar një pjesë nga Bibla në asambletë tona studentore. Atëherë mund të ndjeja sa të fuqishme ishin fjalët.

Së shpejti po performoja në një shfaqje shkollore si “The Melting Pot”, një konkurs që ftonte shumë kombe me njërëz që kishin kontribuar në madhështinë e Amerikës. Isha atje duke përfaqësuar Italinë. Në klasën e tetë, gjatë një skene në shkollë, dikush më tha se prindërit e mi ishin në audiencë. Më këputi këmbët. Deri më sot nuk kam dashur më ta di se kush po më shikon. Megjithatë në skenë ndihesha si në shtëpinë time. Më pëlqente që njerëzit më kushtonin vëmendje. Më puushtoi një ndjenjë ngrohtësie fakti që prindërit e mi po bisedonin këndshëm me njëri-tjetrin për suksesin tim.

Kohë më vonë ishte Bruce ai që më lajmëroi se nëna ime ishte overdozë dhe se ishte keq. Shkova me vrap drejt ndërtesës së gjyshërve të mi dhe nga poshtë pashë që dritat në apartamentin tonë ishin të ndezura. Gjyshërit ishin në lot. Mamaja kishte vdekur nga një mbidozë pilulash. Disa thonë se kreu vetëvrasje, gjë që ishte përpjekur ta bënte 15 vite më parë. Por ajo nuk la asnjë shënim këtë herë. Thjesht u largua. Kjo është arsyeja se pse gjithmonë do të jem me një pikëpyetje për vdekjen e saj. Unë mendoj se mund ta kisha ndaluar këtë gjë të ndodhte. Terapi, siguri financiare, këto gjëra mund ta kishin ndihmuar nënën time. E dija që një ditë do isha i aftë për t`i dhënë nënës time gjithçka që ajo donte. Por nuk mendoj se ja thashë kurrë këtë. Pastaj më kaploi një periudhë agonie, më dukej e pamundur që kisha humbur nënën time. Çdo gjë në jetën time po shpërbëhej.

Shkëputur nga libri i Al Pacino-s “Sonny Boy: A memoir”

Almanart