Kalendari artistik i muajit prill sjell të tjera shfaqje dhe koncerte në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, ku nuk mungojnë dhe bashkëpunimet me Filharmoninë e Kosovës. Vepra “Carmina Burana” do të vijë këtë mbrëmje në skenën e TKOB-së, ku më datë 8 të këtij muaji në kuadër të bashkëpunimit vjen dhe koncerti “Quattro pezmi sacri”. “Carmina Burana” nga kompozitori Carl Orff vjen këtë mbrëmje në skenë si një bashkëpunimin mes trupës artistike të TKOB-së dhe Filharmonisë së Kosovës, me Orkestrën Simfonike e Korin e TKOB-së, si dhe Orkestrën Simfonike të Forcave të Armatosura, Konservatorin Shtetëror të Salernos “Giuseppe Martucci” dhe Kori i Zërave të Bardhë TKOB. Me dirigjent orkestre, Jacopo Sipari di Pescasseroli, dirigjent kori TKOB, Dritan Lumshi, dirigjent Kori FK, Hajrullah Syla. Soprano në vepër Ripalta Bufo, tenor Matias Xheli dhe bariton Armando Likaj. Drejtuese e Korit të Zërave të Bardhë Sonila Baboçi dhe pianist në këtë vepër Thanas Paskali. Ndërmjet viteve 1935 dhe 1936, kompozitori gjerman Carl Orff muzikën që kompozoi, e quajti Carmina Burana, në përmbledhje të 24 poemave “Carmina Burana”, të përfshira në një dorëshkrim të rëndësishëm të shekullit të trembëdhjetë, Codex ose Codex Latinus Monacensis Buranus, që vjen nga manastiri i Benediktbeuern dhe tani ruhet në Bibliotekën Kombëtare të Monakos së Bavarisë. “Carmina Burana” konsiderohet një ndër veprat e para klasike në historinë e muzikës. Në thirrjen “O Fortuna” ndaj perëndeshës së fatit shfaqet lutja për dashuri e fat. Rrota e fatit është simboli që përcakton uljet dhe ngritjet në jetën e njeriut, me ciklet e tensioneve që krijohen në marrëdhëniet njerëzore të burrave dhe grave, pavarësisht moshës së tyre. Kjo vepër zgjon fantazinë si asnjë vepër tjetër e shekullit të 20-të, gjatë së cilës shpaloset një himn ngazëllyes për dashurinë e sinqertë.
Koncerti simfonik koral
Mbrëmjen e datës 8 të këtij muaji në skenë vjen koncerti simfonik koral “Quattro pezzi sacri”. Një vepër, e cila do të përfshijë Orkestrën Simfonike dhe Korin e TKOB-së, Korin e Filharmonisë së Kosovës, Orkestrën Simfonike të Forcave të Armatosura, Korin e Zërave të Bardhë të TKOB-së, Konservatorin e Salernos, si dhe solistë shqiptarë e të huaj. “Të shenjta do të jenë “4 pjesët e Verdit”, i shenjtë do të jetë bashkëpunimi 4-palësh ndërinstitucional dhe e shenjtë do të jetë mbrëmja e 8 prillit!”, thuhet nga TKOB. Koncerti simfonik koral “Quattro pezzi sacri” do të vulosë madhështinë e G. Verdit në TKOB, me himnin mëshirues “Stabat Mater dolorosa”, dedikuar vuajtjeve dhe sakrificave të zojës së Shenjtë Mari, që përkthehet përmes fjalëve të dhembshura “nëna e pikëlluar qëndron në këmbë”. Giuseppe Verdi (1813-1901) është kompozitori me njohur i operës italiane, jo vetëm i shekullit te XIX. Ai mbetet si njeri nder kompozitoret me te njohur te botes ne historinë e operës./sot/