Vepra “Një lojë xhin” me aktorët Yllka Mujo dhe Viktor Zhusti shfaqet premierë në teatrin Metropol

“Një lojë xhin” shënon premierën në skenën teatrore të Metropolit. Me regji nga Rozi Kostani një vepër, që sjell në skenën teatrore Yllka Mujon dhe Viktor Zhustin në rolet e dy të moshuarve, që në një azil pleqsh krijojnë një shoqëri të veçantë. Ndërsa luajnë lojërat e tyre të xhinit, ata përfshihen në biseda të gjata për familjet e tyre dhe jetën e tyre në botën e jashtme. Gradualisht, çdo bisedë bëhet një betejë, njësoj si lojërat e vazhdueshme të xhinit, pasi çdo lojtar përpiqet të ekspozojë dobësitë e tjetrit, të nënçmojë jetën e tjetrit dhe të poshtërojë tjetrin tërësisht. Vepra e autorit D. P. Kobur përkthyer nga Artur Lena shënoi mbrëmë premierë në teatrin Metropol  dhe në rolet kryesore interpretojnë aktorët e njohur Yllka Mujo dhe Viktor Zusti, që vijnë në një bashkëpunim të dytë me regjisoren Rozi Kostani në skenën teatrore. Regjisorja Rozi Kostani shprehet se me këtë premierë teatrore përjetohen emocione. “Mes të qeshurës sarkastike dhe trishtimit udhëtojnë dy personazhet, ku jeta e tyre e mbërthyer në një azil për të moshuar, shpërfaq nëpërmjet lojës xhin me letra, simboliken e lojës së jetës. Ejani ne teatër për të përjetuar emocionet, energjisë dhe humorit, mesazhet e dy jetëve në shumë dimensione. Kam nderin për bashkëpunimin e dytë dhe jo të fundi, me zemrekun e kësaj shfaqje, aktorët e mrekullueshëm Yllka Mujo e Viktor Zhusti”, shprehet regjisorja Kostani në një reagim të saj rreth premierës në skenën e Teatrit Metropol. Rolet e tjera janë nga Ina Morinaj, Ilia Kaçi, Sidorela Koça. Në shfaqje dhe studentët e Universitetit të Arteve: Amela Rrukaj, Kejda Shqefni, Maria Brokshi, Ronaldo Kolgjokaj, Gesjon Selfo.

Vepra në skenë

 Kjo është vepra e parë premierë e Rozi Kostanit si regjisore këtë vit në teatër. Regjisorja Kostani vlerëson këtë herë bashkëpunimin me artistët për shfaqjen premierë dhe thotë se erdhi në skenën teatrore me mbështetjen që dha Bashkia Tiranë, si dhe teatri Metropol. Muzika e mjeshtre e vokalit Suzana Turku dhe skena e kostumet nga Beqo Nanaj. Rozi Kostani vjen me këtë premierë në skenën e Metropolit pas asaj me titull “Tre dimra”. Shfaqja teatrore “Tre dimra” u shfaq me sukses në skenë në vitin e kaluar, por që u rikthye dhe këtë vit për publikun, ku në role ishin Yllka Mujo dhe Viktor Zhusti, si dhe artistë të tjerë të njohur. Shfaqja “Tre Dimra” me regji nga Rozi Kostani vë në optikën e kohërave figurën e gruas dhe zërin e saj. Vepra e autores kroate Tena Stiviçiç u shfaq për publikun në skenën teatrore të teatrit Metropol dhe gjatë këtij sezoni artistik, ku ngjarjet zhvilloheshin në një vilë të ndërtuar në vitin1898 në Zagreb të Kroacisë. Në aktivitetin e saj artistik, Rozi Kostani është e njohur si aktore, regjisore dhe pedagoge në Universitetin e Arteve në Tiranë./sot/

“Një lojë xhin”

Ju ftojmë të rezervoni biletat tuaja

në nr. ☎️ +355 67 227 0668

datat: 20, 21, 25, 26, 27, 28 Maj 2023

Ora 19:00

Dy të moshuar në një azil pleqsh krijojnë një shoqëri të veçantë. Ndërsa luajnë lojërat e tyre të xhinit, ata përfshihen në biseda të gjata për familjet e tyre dhe jetën e tyre në botën e jashtme. Gradualisht, çdo bisedë bëhet një betejë, njësoj si lojërat e vazhdueshme të xhinit, pasi çdo lojtar përpiqet të ekspozojë dobësitë e tjetrit, të nënçmojë jetën e tjetrit dhe të poshtërojë tjetrin tërësisht.

Titulli: Një lojë xhin

Autor: D. P. Koburn

Përktheu: Artur Lena

Regjia: Rozi Kostani

Muzika & Mjeshtër Vokali: Suzana Turku

Skena & Kostumet: Beqo Nanaj

As. Regji: Sidorela Koça

Interpretojnë:

Yllka Mujo e Viktor Zhusti

Ina Morinaj, Ilia Kaçi, Sidorela Koça

Studentët e Universitetit të Arteve: Amela Rrukaj, Kejda Shqefni, Maria Brokshi, Ronaldo Kolgjokaj, Gesjon Selfo

Almanart