Search
Close this search box.

Vepra “Tre dimra”, shfaqja e parë këtë vit në sezonin artistik të teatrit Metropol

Vepra të ndryshme teatrore do të vijnë në skenë gjatë këtij viti për publikun. Në teatrin Metropol është vepra teatrore “Tre dimra”, që vjen e para në skenë këtë vit në sezonin artistik. Pranë institucionit bëjnë me dije se vepra e autores kroate Tena Stiviçiç me regji nga Rozi Kostani pritet të vijë në skenë për publikun në fund të këtij muaji apo në fillim të shkurtit 2023. “Tre dimra” nga Rozi Kostani çeli sezonin artistik në teatrin Metropol në shkurtin e vitit që lamë pas, duke qenë një nga produksionet, që u mirëprit nga publiku. Kjo bëhej me dije nga vetë teatri që publikonte herë pas here pjesëmarrjen e publikut në sallë dhe suksesin e kësaj vepre. Por këto muaj të parë të vitit që ka nisur teatri Metropol e risjell sërish në skenë për publikun, ku në role janë një kastë aktorësh të njohur. Në shfaqjen teatrore “Tre dimra” marrin pjesë aktorë si Yllka Mujo, Luiza Xhuvani, Marjeta Ljarja, Viktor Zhusti, Sokol Angjeli, Elia Zaharia, Armela Demaj, Sonila Kapidani, Xhino Musollari, Klea Konomi, Kastriot Ramollari, etj. Shfaqja ka gjuhë filmike si në mënyrën e rrëfimit të historisë po ashtu edhe në aksionin e skenave dhe diskursin e personazheve. Kjo shfaqje e shkruar nga autorja kroate është një vepër që ndjek fatet e katër brezave të grave të një familjeje gjatë një shekulli të trazuar. Është një vepër, e cila hedh dritë mbi problemet në shoqërinë moderne, duke vëzhguar gjendjen e botës nga këndvështrimi i grave.

 Një shtëpi dhe një familje

Ngjarjet e veprës zhvillohen në një vilë të ndërtuar në vitin1898 në Zagreb të Kroacisë. Ky udhëtim në kohë ndodh gjatë 75 viteve, ku ngjarjet fokusohen në tre dimra, në tre pika të ndryshme të zhvillimit të vendit, në vitin 1945 gjatë krijimit të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, në vitin 1990 te shpërbërja e saj, e më pas deri në 2011 kur Kroacia e pavarur, aspiron e negocion për t’u bashkuar me BE-në. Ndërkohë që fokusi i shfaqjes është vetëm një shtëpi dhe një familje, në atë shtëpi është shkruar e gjithë historia e fundit e Kroacisë dhe bashkë me të forcat kryesore politike dhe ndryshimet ideologjike që kanë formësuar Evropën moderne. Tre net të gjata dimri, në tre periudha historike me ngjarje vendimtare që ndryshojnë rrjedhën logjike të këtyre personazheve, gjithashtu edhe me ngjarje personale, ka treguar regjisorja Rozi Kostani. Sipas saj, kjo vepër trajton historinë e një familje eklektike, të mbajtur së bashku nga guximi për të mbijetuar. “Nga mbetjet e monarkisë, përmes komunizmit, më pas demokracisë, luftës dhe pranimit eventual në një Evropë më të gjerë, katër breza të grave të Kos, secila më e pavarur se tjera, të cilat duhet të përshtaten për të mbijetuar. E vetmja konstante është shtëpia: e ndërtuar nga aristokratët, e ndarë, e nacionalizuar, ajo është dëshmitare e brezave që kalojnë”, tregon Kostani. Autorja nuk ka për qëllim të jap një mësim historie për vendin ku u lind dhe u rrit. Stiviçiç në një intervistë të vitit 2014 dhënë në Londër ka treguar se shpreson se po hedh dritë mbi marrëdhëniet brenda familjes./sot.com/

Almanart