Poezi e shkruar nga Dritëro Agolli.
Mos vdis, se pas shirave arën e mbushi bari,
Ka rënë në ullishtë mizë e ullirit.
Hardhia duhet spërkatur shpejt me gurkali
Dhe ende s’ka dalë nga plisi kërcelli i misrit
Ne ëndërronim të bënim një anije,
Kurkush s’e mendonte më ç’dru do ta ngrinim,
Kishim ndërmend ta ndërtonim me degë hardhie
Dhe vela ti vinim.
Bodrumet e saj t’i mbushnim me poçe me verë
Dhe të lundronim në ishujt e Havajës;
Ta pinim verën me vajzat e ishujve në Belvedere,
Zezaku të bënte fresk me fletën e palmës.
Mos vdis se kalit i ra në vrapim një patkua
Dhe nisi ta ngrejë nga dhimbja këmbën e parë;
Kërkojmë patkonj e s’na jep njeri hua,
S’e gjejmë as nallbanin e marrë.
Ne ëndërronim të shkonim në hipodrome,
në vende të lumtura ku munden me kuaj,
Tani dhe kali çalon e s’na ha as barin e njomë;
me sy si gota na sheh si të huaj…
Mos vdis, se dielli në oborr e ka shtruar sofrën e madhe
Dhe presim të vijnë vajzat të gjitha,
Të gjitha ato që ti u thoshje “sorkadheve”,
Kur grisnin fustanet në driza.
Mos vdis në dhomën e heshtur i shtrirë
Është turp kaq shpejt të rrish e të vdesësh!
Ne ëndërronim një vdekje më të mirë:
Duke vdekur, fytyrat tona ti shihnim në pikën e vesës.
Jericho që njihet për këngët që shprehin rebelimin për gjendjen aktuale në vend ka thotënë se thelbin e këngës së tyre më të re e përshkruajnë më së miri katër vargjet e fundit të poezisë “Ëndërr e prerë” të Dritëro Agollit.
“Mos vdis në dhomën e heshtur i shtrirë
Është turp kaq shpejtë të rrish e të vdesësh
Ne ëndërronim nje vdekje më të mirë
Duke vdekur fytyrat tona t’i shihnim në pikën e vesës”.
Muzika e Jerichos është përzierje e muzikës rock, alternative, elektronike dhe muzikës tradicionale shqiptare.
Përveç instrumenteve standarde të rockut, ata përdorin edhe instrumente orientale të muzikës tradicionale shqiptare, si tupani, kavalli dhe zurna.
Tekstet e këngëve të tyre në përgjithësi janë të shkruara në dialektin gegë.
Të gjitha këngët e Jerichos trajtojnë tema sociale, me theks të veçantë për problemet që populli shqiptar i ka pasur dhe vazhdon t’i ketë me qeverisjen e vendit.
Një nga këngët e para si dhe ajo që i mundësoi Jerichos të ketë një publik rreth vetes është ”Don’t f*** with Albanians”.