Search
Close this search box.

VISAR ZHITI – EDHE MBI GËRMADHA ËSHTË POEZIA E JETËS…

VISAR ZHITI

EDHE MBI GËRMADHA ËSHTË POEZIA E JETËS…

Nga vuajtjet dhe persekutimet, nga drama e tyre e përbashkët, të nxjerrësh poezinë, se burgjet edhe harrohen, shkatërrohen, edhe teatrot shemben, por drama mbetet dhe katedralja e poezisë është më e parrëzueshmja se të gjitha,

Duke parë gërmadhat e Teatrit Kombëtar sot, në kohën e pandemisë së COVID-19, kujtoj pandeminë ideologjike, “Comunism ‘45-‘91”, mbylljet, jo nëpër  shtëpi me familjarët e dashur, por në burgje të rënda dhe të egra, ku kanë vdekur edhe aktorë, regjisorë, vepra të ndaluara, tragjediani themeltar, parësori, Et’hem Haxhiademi etj.. Ndërsa vetë burgjet, ato të kënetave, të aeroportit, të themeleve, stadiumeve etj., as që nuk kanë një memorial dhe të fundmit, Spaçi e Qafa e Barit tashmë janë shkatërruar. Telat me gjemba i morën banorët përreth për të thurur kopshtet vetjake, një metaforë e bukur kjo, u shkulën gurë e dyer e pragje, por edhe kujtesa kolektive.

Dy revoltat e mëdha të të burgosurve në burgjet e Spaçit dhe të Qafë-Barit, të vetmet kryengritje politike në të gjithë burgjet e perandorisë komuniste përkujtohen vetëm nga shoqatat e ish-të burgosurve apo nga Instituti i Studimeve të Krimeve të Komunizmit, kur veprimtaritë për to duhej të ishin shtetërore, duhej të kishte konferenca, ekspozita, botime të reja, shfaqje teatrore, homazhe për të rënët dhe njëri burg, të paktën, duhej të ishte muze, siç ka bërë bota e qytetëruar, Polonia p.sh..

Muzeumet e tanishme, BunkArt 1 dhe BunkArt 2, Shtëpia me Gjethe, vila e diktatorit Enver Hoxha apo ndonjë tjetër dëshmojnë diktaturën, forcën e saj, ku nuk mungon një si adhurim i fshehtë, do të thosha, por ende nuk kemi muzeume të qendrës kundër diktaturës, duke filluar qoftë edhe me një apartament të ngushtë, p.sh., ku dëgjoheshin fshehurazi “Zëri i Amerikës”, RAI, Vatikani, edhe “Radio Prishtina” në veri. Jo më pastaj madhështia infernale e burgjeve. Gërmadhat e shtëpisë së At Gjergj Fishtës janë një akuzë kundër mashtrimit postdiktatorial apo shtëpia e Musine Kokalarit në Tiranë, ku e arrestuan, shkrimtare dhe e para grua opozitare në Europën Lindore, pas luftë…

Jetojmë në një teatër shembjesh, ku harresa ka thirrur në duel kujtesën dhe befas u bie mbi kokë e gjithë skena. Dramat janë nëpër rrugë.

Megjithatë, kujtesa krijon të çara dhe fut ujin e vet në titanikun e harresës, që do të mbytet gjithsesi.

Mjafton edhe një poezi për të çarën e ferrit. Një poezi është më e fortë se prangat, se telat me gjemba, se karakollet e përbindshme të rojave të burgut, se komanda, se dënimet dhe tmerri, në fund të fundit edhe diktaturat bien dhe mbetet poezia e njeriut. S’e kam fjalën vetëm për poezinë e shkruar, por edhe të pashkruarën, që mërmëritet, që është bisedë njerëzore, çast buzëqeshjeje, vetë buzëqeshja, që është miqësi burrash në ferr, besë, dashuri.

Ne nxorëm poezi nga burgjet. Ca copa letrash të trishta, të grisura, bërë pis nga duart që punonin si skllevër nëpër minierat e zeza, shtynin vagonë si të ishin arkivolet e tyre, po ato copa letrash sfidojnë gjithë socrealizmin e bujshëm, raftet e tij që nga Komiteti Qendror e deri dhe në postat e humbura kufitare.

Edhe mbi gërmadha është poezia e jetës

Në burg, kujtoj flitej për poezitë e atij që kishte qenë në burg dhe më pas u arratis, shkoi në SHBA, prof. Arshi Pipa. E kam parë për një çast librin e tij, kur e sollën në Bibliotekën Kombëtare, u ndodha aty, – më tregonte në burg miku im, artisti Maks Velo, – s’ma lanë as ta prek me dorë, jo më ta shfletoja, qoftë edhe për një poezi. Ishte një libër me kapakë gri – vazhdonte të tregonte Maksi – i botuar në Itali, në Romë, në 1959-ën dhe u fut drejt e në fondin e zi të Bibliotekës. Gri në të zezë ishte edhe vetë koha.

Dhe unë shkruaja fshehurazi poezi në burg. Nuk jam i vetëm… M’i ruanin dhe shokët e paktë atje. Ç’mrekulli që nuk më tradhtoi asnjëri, që janë gjallë, se edhe poezitë vriten, nuk m’i zbuloi dot kthetra e shefit të policisë së burgut në asnjë kontroll të çmendur, e ato, poezitë dolën, u liruan para meje, e kam treguar në burgologjitë e mia “Rrugët e ferrit” dhe “Ferri i çarë”, ca fletore të zbehta janë, të mjera që dëshmojnë… poezinë e qëndresës së përditshme, njeriun në humnerë. Familjarët e mi i fshehën nën tokë. Mbase ia dhuroj ndonjë muzeu. Janë autentike, të rralla… Është revolta jonë e pambarimtë.

Poezitë tona kanë dramë tjetër, në teatro të tjerë të shkatërruar.

Pastaj pashë në shtëpinë e prof. Arshi Pipës në Uashington poezitë e burgut të tij në kënetën e Maliqit, të shkruara imët mbi fletë të holla cigaresh, të gjitha ishin sa një kuti shkrepëseje, më dhuroi edhe librin me autograf. Ato sonete ishin ferri dantesk i poezisë shqipe, thashë, kur botuam disa sa u lejua shtypi i parë opozitar në fillim të viteve ‘90, shekullin e kaluar natyrisht. Dhe sa shumë harrohet kujtesa.

Pjesën më të madhe të poezive, të poezive të mia të burgut, e kam botuar dhe janë përkthyer në italisht, anglisht, rumanisht, frëngjisht, gjermanisht, në të gjitha gjuhët sllave të Ballkanit, në hebraisht, madje edhe kinezisht disa, janë bërë dhe këngë në Itali nja dy etj., etj., por desha të thosha se kjo është hakmarrja jonë, poezia. Fola për pjesën time, për aq sa munda, thjesht është jona, sa për të dhënë ca shpresë.

Le të shkatërrohen burgjet, le të shemben teatro, të rinj do të ngrihen, kujtesa do të mbetet, është poezia e tyre, jo vetëm në vargje, drama e romane, memuaristikë, gjithsesi poezi jete, ja ashtu e tretur me ajrin, si ajri, futet në kraharorët njerëzorë dhe do të ruhen aty sa të jetë njeriu. Herë pas here do t’i shfletojë…

Publikuar në gazeta shqiptare/24.05.20/

Almanart