Me zhvillimin e marrëdhënieve të para kapitaliste në fillim të shek.. XX, veshjet tradicionale që ndesheshin rëndom rrugëve të qyteteve shqiptare u mbyllën nëpër sëndukë për t‘u përdorur vetëm ditëve të dasmave dhe ngjarjeve të tjera të rëndësishme. Dy artistët e njohur të kohës Zef Kolombi e Sadik Kaceli realizuan në vitet ‘40-të tablotë “Grua shkodrane” dhe “Dasma”, dy kompozime tërësisht në shërbim të veshjes. Ata i nxorën kostumet nga sënduku për t’i inskenuar në mjedis të brendshëm dhe i ndërfutën si pjesë e dekorit tradicional në marrëdhënien e natyrshme ndërtuar me shekuj. Artistët largohen nga qëndrimi i ndrojtur, i zbutur e melankolik i grave të kohës, duke sendërgjuar imazhin e një gruaje në posturë më të guximshme që reflektonte zhvillimet në shoqëri. Gjesti artistik nuk tregon dikë që kultivonte tradicionalen dhe paraqitja me kostum është kryer me kast për një arsye tjetër, atë të ekspozimit.
Kolombi e paraqet gruan e re ulur në odën shkodrane midis objekteve karakteristike të shtëpisë së saj. Sadik Kaceli e zhvillon tregimin e kostumit të gruas tiranase me një grup figurash. Mënyra e qëndrimit të tyre duket e diktuar nga artisti për të demonstruar kostumin në një plan që të mund të shfaqej sa më i plotë dhe duke iu shmangur akademizmave. Ata i kanë kushtuar vëmendje çdo detaji, mënyrës si përshtatej veshja në trup, si krijohen rrudhat gjatë lëvizjes dhe në cilat veprime dhe kënde drite duken më interesante pjesë të ndryshme. Gjuha e trupit ndjek morfologjinë e veshjes për të përcjellë realizimin teknik e estetik të saj. Dhe kjo është ajo që i bën këto vepra tërësisht të dallueshme nga gjithë tablotë e tjera të kohës. Si në fotografitë e modës sot ose në prezantimet e koleksioneve në pasarela, trupi vihet tërësisht në shërbim të veshjes për të reklamuar sa më qartë strukturën e saj, funksionin dhe detajet sinjifikativë.
Modeli, i quajtur kështu edhe në modë, është i vendosur në profil te Kolombi me një ekzigjencë artistike për t’iu rikthyer lashtësisë, ku profili konsiderohej pozicioni më i mirë dhe më i preferuar i artistëve klasikë. Në qëndrimin e saj, një dorë mbështetet kasten mbi kokën e divanit që të shpaloset verefi i gjerë i mëngës së mëndafshtë dhe dora e lëshuar në gjendje të lirë për të treguar finesën e pëlhurës së këmishës së bardhë harkate. Gjysmëtransparenca lejon të lexohet linja e krahëve nën të, kurba e kraharorit dhe momentin ku jaka me ojat fine ka filluar të ekspozohet me një të çarë provokative vertikale deri në vijën e gjoksit. Mbi këmishë duken fragmente të një jeleku të vogël qëndisur me tehri dhe fije të arta në pjesën horizontale që mbërthehet nën linjën e gjoksit për të vizatuar dekoltenë në kraharor. E kuqja e cohës së jelekut, të artat e ornamenteve, tehrinat dhe ngjyrat e shumëllojshme të brezit vendosur midis toneve të errët të branavekëve dhe të bardhës së ndritshme të këmishës, përcjellin një shprehje dinjiteti e solemniteti. Tëhuajtja e sallmanit dhe flokët e mbledhur pas me një kapje të improvizuar shpalojnë një ndjenjë lirie dhe pavarësie. Pozicioni si në modë, i jep finesë modelit dhe ngushton në maksimum dukjen e gjerësisë së brenavekëve. Ajo që shihet në fund është gjatësia e një gjymtyre mbuluar me tekstil me këmbëzën e kuqe me ornamente floreale që pluskon mbi violetin e perkalinës me rrudha dhe pala të mbledhura guf në pjesën fundore të branavekëve. Peneli i artistit shënjon me tokime delikate shkëlqimin e cohës së errët të branavekëve, duke evidentuar veçorinë e tekstilit dhe shfaq mjeshtëri të lartë në strukturimin e formave vëllimore të tekstileve të rënda në lojën mes dritës dhe hijes.
Sikundër Kolombi, edhe narrativa e Kacelit shpërfaq veçoritë e strukturës së veshjes tiranase. Një qasje e tillë impresionuese e që mban mbërthyer kureshtjen, tregon se ai i ka njohur mirë kostumet e mjedisit ku jetonte dhe me punim mjeshtëror përcjell ndjesinë e mëndafshit, kadifes, floririt a lëkurës në format plastike që ato sendërtojnë. Pëlhura e bardhë e këmishës me një velaturë të lehtë kalon në tejdukshmëri mermeri dhe nëpër të gjarpërojnë lakadredhje qëndisjesh me fije ari (gjyrmysh). Delikatesës së mëndafshit i shtohej shkëlqimi i arit i shpërndarë në gjithë siluetën dhe imazhi sensual i gruas shëmbëllente me figurat idilike. Fragmentet e qëndisura mbi pëlhurë shndërroheshin në pika seduktive prej ornamenteve të shkëlqyeshme aplikuar me fije ari në to. Narrativa e tij vjen duke u përshkallëzuar në disa nivele nga akti fillestar i veshjes te gruaja me tors nudo në kënd, përgatitja e veshjes së bardhë te gruaja para pasqyrës, rregullimi përfundimtar i çitjaneve në anën e djathtë të kuadrit dhe mbathja e këpucëve në kostumin gati për të dalë tek gruaja në qendër në plan të parë.
Në lëvizjen e parë, artisti paraqet procesin e mbështjelljes së çitjaneve me qëllim që shikuesi, edhe, nëse nuk e njihte këtë kostum, të krijonte një ide sesi një masë e madhe pëlhure mblidhej me aq rregullsi, rrudhosej dhe organizohej në një simetri të admirueshme përqark belit, duke modeluar vëllimin e butë të një pëlhure mëndafshi nga mesi e poshtë.
Më tej nga gjysmë-veshja tregimi kalon tek plotësimi i saj në dy lëvizje. Tre figurat me veprimet simultane të parapërgatisin për aktin final në planin e parë të tablosë. Modeli në qendër nuk do të dukej aspak elegant pozicionuar me këmbën mbështetur në stol për të mbathur këpucën në asnjë tablo tjetër me cilëndo veshje. Por forma e çitjaneve nuk ia zbeh feminilitetin (pasi lëvizja është ende brenda veshjes) dhe njëherazi tregon prerjen dhe modelimin e tyre. Gjerësia e çitjaneve ose dimive krijonte një lloj siluete të re me forma të ekzagjeruara dhe lejonte lëvizje të lira, ndryshe nga ç’dukej. Ndarja në dy nivele, midis pjesës së sipërme me të poshtme realizohet me lidhjen delikate të çitjaneve në linjën e belit rreth e qark të cilit vendosen pjesë trekëndore të së njëjtës pëlhurë të qëndisura në bordura që bien vertikalisht deri në nivelin e gjunjëve në forma asimetrike. Vertikaliteti i tyre minimizonte efektin e shtypjes së siluetës prej formës gati sferike të dimive.
Fokusi artistik i këtyre autorëve për të përcjellë vizionin dhe qëndrimin e tyre ndaj trashëgimisë, parë në dritën e sotme përqaset me parimin thelbësor te fotografitë në modë, me kostumin në qendër dhe komfortin e modelit para objektivit. Stili i tregimit viziv, paraqitja e larmisë së formave dhe teksturës, kontrastit dhe bashkvendosjes së ngjyrave, ndërthurjen e dekoracioneve me linjat dhe figurat gjeometrike ose jo, i bën këto imazhe të mrekullueshme kostumi me vlera të spikatura etnografike dhe kombëtare./DR. MERITA TOÇILA/Panorama/