Ekspozita Performative “Shpella e Shkruar” te “Galeria e Arteve Digjitale” Korçë
Një bashkëpunim mes Tirana Art Lab dhe Galerisë së Arteve Digjitale Korçë
Ekspozitë Performative #4 – Shpella e Shkruar
Me: Enza Rripaj, Abi Shehu, Vasil Tole, Alexander Walmsley
Kuruar nga Adela Demetja dhe Fabio Toska
Hapja: E Shtunë, 19 Tetor, ora 18:00
Galeria e Arteve Digjitale Korçë
Tirana Art Lab dhe Galeria e Arteve Digjitale Korçë kanë kënaqësinë t’ju ftojnë në hapjen e “Ekspozitë Performative #4 – Shpella e Shkruar”. Ky projekt bashkon një grup artistësh shqiptarë dhe ndërkombëtarë, të disiplinava dhe brezave të ndryshëm. Pas një faze kërkimore intensive në rajonin e Korçës, ata kanë krijuar vepra të reja të frymëzuara nga dy site prehistorike.
Zona e Korçës dhe Devollit janë të njohura për trashëgiminë e pasur arkeologjike dhe projekti fokusohet në dy prej tyre: pikturat shkëmbore në Shpellën e Shkruar dhe Shpella e Trenit, që ndodhen pranë liqenit të Prespës së Vogël. Ekspozita është një kombinim i elementeve të realitetin virtual, videos, fotografisë, muzikës dhe tekstit dhe ofron një interpretim bashkëkohor të këtyre vendeve të trashëgimisë kulturore të largëta dhe më pak të aksesueshme. Nëpërmjet gjuhës së artit bashkëkohor, këto pasuri të rëndësishme kulturore vendase dalin në pah për publikun e gjerë të Korçës dhe jo vetëm.