
Libri “Mjeshtrit e hershëm shqiptarë” nga Suzana Varvarice te “COD Kryeministri”
📌 “Mjeshtrit e Hershëm Shqiptarë” është libri i autores Suzana Varvarica, njohur jo vetëm si studiuese, por edhe si autore e shumë veprave në skulpturë që gjenden nëpër parqet publike apo dhe institucionet tona kombëtare. Znj. Varvarica ndaj artit është njësuar me profesionin e skulptores, pa e penguar përfshirjen e saj në fusha të ndryshme; që nga skulptura, kinematografia dhe filozofia e arteve moderne.
📚 “Lexojmë autorët tanë” këtë muaj vjen si bashkëpunim i Qendrës për Hapje dhe Dialog #COD dhe shkollës së mesme “Qemal Stafa”, Tiranë. Libri në vetvete trajton njëzet mjeshtër të artit të pikturës dhe skulpturës, për të cilët, ndoshta, nuk është lexuar dhe dëgjuar më herët. Ata dhe veprat e tyre të përzgjedhura bëjnë pjesë në historinë e artit shqiptar të fillimit dhe mesit të shekullit XX. Jeta dhe krijimtaria, datat dhe vendlindjet e tyre, sfondi historik dhe shoqëror, edukimi, arsimimi dhe formimi i tyre artistik vijnë përmes bashkëbisedimit të autores me nxënësit.
