
Punishte e Laboratorit të Antropologjisë Urbane në Kamëz
“Zâdhania e jetëve të paregjistruara të Bathores”
[ARDHJA, SHTËPIA, VARRI]
| Kamëz, 2022
Grupi Ata në bashkëpunim me Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit kanë kënaqësinë t’ju ftojnë në punishten e radhës të Laboratorit të Antropologjisë Urbane me titull “Zâdhania e jetëve të paregjistruara të banorëve te ish-Stallat”.[ARDHJA, SHTËPIA, VARRI] – Kamëz, 2022. Në një kuptim, me i dhënë zë të “paregjistruarve”, është dhe akti i takimit e njohjes me ta, e akoma më shumë regjistrimi i zanit të tyre.
Pas një viti prej se organizuam bashkë me IAKSA-n Punishten e Laboratorit “Shtëpia, ardhja, varri”, sivjet vijmë me të njëjtin bosht tematik kërkimor, por duke u fokusuar në një prej lagjeve më të rëndësishme për nga historia politike dhe konteksti urban i saj: zonës së Bathores, kryesisht lagjes nr. 6, e njohur ndryshe me emrin ish-godinat blegtorale.
Kjo punishte do të zhvillohet përgjatë datave 29 tetor – 1 nëntor në qendrën e Grupit Ata. Përgjatë ditëve të punishtes do të zhvillohen vizita vrojtuese dhe intervista në terren në disa prej godinave të lagjes nr. 6 të Bathores, të cilat do të pasohen me një takim trajtim teorik të koncepteve të antropologjisë urbane, metodave kërkimore dhe analizave teorike mbi të dhënat empirike të mbledhura në terren. Punishtja koordinohet nga Nebi Bardhoshi [IAKSA] dhe aktivistët e grupit Ata.
Përshkrimi
Sipas raportit etnografik të studiueses Afërdita Onuzi, ndërmarrja bujqësore “Ylli i Kuq” është krijuar me datë 29 maj 1946 me vendim të Presidiumit të Kuvendit Popullor të RPSH. Siç e përshkruan Onuzi, kjo ndërmarrje shtrihej në veri-perëndim të Tiranës dhe fillimisht ka patur vetëm një sektor që përfshinte Kamzën dhe Valiasin. Më pas, u bashkuan disa kooperativa bujqësore duke përfshirë Tapizën, Laknasin, Bërxullën, Domjen, dhe fshatra të tjera që sot i përkasin Tiranës.
Në vitet 1990, si pasojë e migrimit masiv kryesisht nga zonat veri-verilindore, lagjia nr. 6 popullohet nga të ardhurit. Asgjë se shpjegon, të paktën së jashtmi, veç kurajos për t’u përballë dhe një përvujtnie të skajshme vendimin që kanë marrë këta banorë që të marrin në sy, shndërrimin e kësaj hapësire, në një vendbanim të ri, për veten e fëmijët e tyre. Ndoshta e panë si kalimtare, por kalimi ska sosur. E pyetur vjet njëra prej banoreve të ish-Stallave shprehet: “Po edhe këtu u ka ra fëmijëve me vujt se kur kena ardh s’ka pas shkollë. Shkojshin tu kërku fëmija ku ka shkollë me shkue.”
Tashmë ky kompleks ndërtesash është ridimensionuar dhe rifunksionalizuar plotësisht. Veç përvojave personale e familjare që ka secila shtëpi, banorët kanë krijuar edhe një kujtesë komunitare. Njëra se ku jetojnë, tjetra se si u përballën me politikat shtetërore mbi atë truall e mbi ta. Në fillimvitet 1990-ta, u përballën me urdhëra kryeministror për shembjen e banesave. Përballë tyre banorët qëndruan me çka patën në dorë. Prej vitesh janë në ‘proces’ legalizmi, a në pritje të shndërrimit të këtij kompleksi në zonë ndërtimi. Askush s’di të thotë pse një zonë që ka qenë ish-stallë, është më vështirë të legalizohet se një tokë ish-bujqësore.
Objektivi i punishtes:
Punishtja e sivjetshme përvijon trajtimin e tri temave të vitit të kaluar: të ardhjes, shtëpisë, varrit.
LAU-2022 do të ketë në fokus të regjistrojë zërin e vetë banorit që flet për veten dhe tjerët. Vetja si i ardhur, tjetri si fqinj, tjetri si vendali, tjetri si shtet. Do të dokumentohet dinamika, ndërveprimi njerëzor, dhe negocimin hapësinor e një peisazhi unik urban. Vijohet me qëllimin e krijimit të një Arkivi Komunitar. Arkivi Komunitar, ndodh të shndërrohet edhe një zádhanës, edhe záruejtës, e kësodore të mbartin një rol rezitence dhe dëshmie të ekzistencës njerëzore.
Më specifikisht, LAU 2022 do të merret me:
– Shqyrtimin e raportit të banorit me hapësirën, përdorimin, aksesimin dhe estetizimin e saj.
– Ritet, ritualet, praktikat e regjistrimit të kujesës personale dhe familjare lidhur me vendlindjen e re.
– Praktikat, ndjesitë dhe ndjenjat aktuale që lidhen me vendbanimin e ri. Duke u përqëndruar te mosha e tretë si dëshmitarët kryesor të ardhjes, ikjes së fëmijëve, përballjes me vetminë.
—
Pjesëmarrësit do të inkurajohen të përgatisin dhe të prezantojnë/publikojnë në platformat e IAKSA-s/Grupit Ata punimet/gjetjet e tyre (rrëfime, fotografi, publikime, profile).
Regjistrimet për të marrë pjesë në këtë punishte janë të hapura deri më datë 26 tetor 2022. Të interesuarit ftohen të plotësojnë shkurtimisht formularin e regjistrimit.
