“Rivalitete të hidhua (por edhe të ëmbla)” me Nea Tandini
Historiania e artit Nea Tandini rikthehet në Destil më 5 shtator në orën 19:30 🎨 për të rrëfyer historitë e rivaliteteve artistike që kanë formësuar kryeveprat më të njohura të historisë së artit botëror.
Në varrimin e Michelangelo Buonarrotit, i gjithë qyteti i Firences u mblodh në kishën e Santa Croce për t’i dhënë lamtumirën e fundit artistit më të madh të Republikës, përmes poezive dhe luleve. Gjatë ceremonisë, konsulli i Akademisë së Firences deklaroi se Rafaeli i Urbinos do të ishte artisti më i madh në botë nëse Michelangelo nuk do të kishte ekzistuar. Me siguri, nëse të dy artistët e lartëpërmendur do të ishin të pranishëm në këtë ceremoni mortore, do ta kishin konsideruar këtë fjalim të zellshëm, si mjaft të pashijshëm. Por, kjo deklaratë – e cila ringjalli në kujtesën kolektive rivalitetin midis dy gjenive të artit – nuk mungoi së emocionuari publikun e pranishëm.
Edhe pse rivalitetet midis artistëve janë të zakonshme në historinë e artit, publiku nuk ndalet kurrë së ushqyeri një kuriozitet entuziast për to. Ndoshta, sepse në imagjinatën kolektive, artisti i arrirë është një gjeni, domosdoshmërisht i zhveshur nga ndjenjat e vogla, si xhelozia ose mllefi, që do ta shndërronin atë në një qenie krejt të zakonshme. E megjithatë, ashtu siç janë talenti dhe gjenialiteti pjesë përbërëse të një kryevepre që ka shënuar historinë, edhe vogëlsitë njerëzore janë plotësisht të pranishme në to.