Teatri “Emigrantët” në Kamëz
Teatër në Kamëz |
27 & 28 Janar 2023 | 19:00
Teksti teatral “Emigrantët” i autorit Sławomir Mrożek, përshtatur nga Endrit Ahmetaj
Aktorë: Klodian Gjonpalaj & Endrit Ahmetaj
Regjia: Endrit Ahmetaj
Ndihmëse – regji: Ana Guçe
Dy emigrantë jetojnë në një bodrum. Njëri, i përndjekur për bindjet e tij politike, ka kryesisht shqetësime intelektuale. Tjetri, me shqetësime personale, ëndërron për një jetë të rehatshme kur të riatdhesohet. Ngërthehen në diskutime të gjata. Në dialogje të shpejtë, sarkastikë dhe groteskë. Për njërin bjerrëse, për tjetrin kuptimësuese. Intelektuali i majtë kuptimëson emigrimin e tij me tjerrjen teorike të trajektores së emigrantit tjetër. Emigranti tjetër mban veten të zënë me punë fizike dhe ëndrra të rikthimit. Janë të huaj për njëri-tjetrin, por luajnë si i njëjti trup.
Në audicionet tona njëri nga tre kandidatët, ishte ish-emigrant që priste të lëvizte për punë ditësh në Zvicër. Një gjimnazist i një prej shkollave të Kamzës, që mund të kishte qenë aktor potencial, ishte larguar tashmë në Angli. Ndërsa njëri nga aktorët e shfaqjes dhe njëherazi aktivist i yni është emigrant sezonal, me mëdyshjet e tij rinore të të jetuarit këtu a në vise të tjera të largëta. Edhe regjisori i kësaj shfaqjeje është ish-emigrant i kthyer nga Italia, jo më shumë se një vit më parë, që për pak ishte bërë gati të ikte sërisht. Aktorët janë studentë arti që po investohen në fushat e studimit, në ato pak mundësi që u jepen. Qytetit, verën që lamë pas i kanë ikur jashtë vendit të paktën nga një person për familje. Shumica me gomone. Shumë prej tyre kanë emigruar për arsye ekonomike, të tjerë për arsye ekzistenciale. Punëtorët e qytetit tashmë kanë kryesisht dy fasha moshore: nën 18 vjeç dhe mbi 50 vjeç. Kamerierët dhe fatorinot janë kryesisht gjimnazistë, ndërsa mjeshtrit e ndërtimit janë thuajse në pension. Këta pak të rinj që kanë mbetur po vihen në lojë nga të ‘ikurit’ si ‘të ngecur’. Dhe prap, ne vazhdojmë të mendojmë për një shfaqje teatri. Kronikat televizive njoftojnë mungesë personash në profesione të ndryshme. Dyqind vende të lira pune në Korçë. Fshatrat braktisen. Siç na thonë antropologët, të moshuarit trishtohen edhe më shumë se nuk dëgjojnë një të qarë fëmijë prej kohësh në fshat. Dje ambasada amerikane numëroi rreth 200 persona në radhë për vizë. Nji djalë teksa priste, i humbi ndjenjat. Një nënë fliste nënzë: “kanë ikur të gjithë, të vetmit që kemi ngelur jemi ne pleqtë, që na ka braktisur edhe Zoti”. Radhë të gjata tek ambasada gjermane. Mijëra aplikime tek ajo angleze. Familjarë që vazhdojnë të cingërisin nervat “pse rrini, pse s’ikni?”. Dhe ne vazhdojmë të mendojmë për një shfaqje teatri.
Në këtë valë ikjesh, dhe vaktësi qëndrimesh, ftojmë të gjithë të mbeturit e të kthyerit këtu të na bashkohen për dy net në shfaqjen “Emigrantët” të dramaturgut polak Sławomir Mrożek.
Hyrja e lirë.
Ju mirëpresim!